nga Fatmir Terziu
(me rastin e 75 vjetorit të lindjes së Tahir Z.Berishës)
VIDEO DOKUMENTARI >>>https://www.youtube.com/watch?v=zgKnmrJL3xc
Me peshën e 75 viteve mbi kurriz, hapat e tij i ngjajnë një trokame të një beteje, e cila nis në Vërban të Kosovës dhe bitis në Grinuiç, aty ku një vijë e hollë ndan Lindjen nga Perëndimi në dy pjesë të barabarta. Në këtë trokamë hapat e Tahir Berishës ndalen tek familja, herë tek shqipja në tërë ndjesinë e saj, tek arsimimi, patriotizmi, Kombi, shoqëria, shqiptaria e kurrë s’pushojnë…
-1-
Në familjen e gjërë Sokoli të fisit Berisha , e ardhur në Vërban të Vitisë nga Pidiqi i Karadakut të Gjilanit, më 31 Korrik 1928, në Lagjen e Karadakëve të Vërbanit u dëgjuan pesë të shtëna pushkësh. Këto të shtëna , që sipas traditës shqiptare shënonin një gëzim të veçantë e të shumëpritur, lajmëruan ardhjen në jetë të pinjollit më të ri të këtij fisi, Tahir Zeqir Berisha…, fëmija i parë i nënës Mihane, pas 16 vjet martese të saj dhe djali i katërt i patriotit Zeqir Sejdë Sokoli, i njohur me emrin Zeqë Vërbani.
Tahir Zeqir Berisha, një emër që më pas në 75 vjet u gjend në libra, shkolla, luftra, muzeume, mitingje, dasma, aktivitete, tubime etj dhe u rrënjos mes një itinerari jetik domethënës, si një monument i gjallë për kohërat , i cili rreket mes ecejakeve të shumta e të panumërta...
Në këto ecejake këmbët e tij lanë gjurmët e para në vendlindje dhe që në moshën dyvjeçare, si më i zgjuari ndër fëmijët e moshës së tij , por edhe të moshës më të madhe, u bë i përkëledhuri i të Atit, duke fituar privilegjin e odës së burrave. Në një moshë të tillë ra shpejt në sy të të tjerëve, por në realitet jo aq për moshën, sa për temperamentin dhe mprehtësinë e tij në këtë mes burrëror. Këtë privilegj e përforcoi edhe më shumë pas regjistrimit në shkollë, ku filloi të lexonte me zë të lartë në odë të burrave dhe mbrëmjeve, gazetat e asaj kohe nën dritën e kandilit e herë – herë të llambës së vajgurit që i komentonte i ati, Zeqë Vërbani. Më pas ai teksa hidhte hapa të tjerë rrugëve e rrugicave të jetës ndihej edhe më krenar për fatin e të qënit djali i një njeriu që mendonte për Kombin, për Shqiptarinë por që ishte i papëlqyer prej autoriteteve zyrtare të asaj kohe në krahinën ku jetonte dhe që vepra e hija e tij që i tërbonte armiqtë e Kombit, jo pak do t’i kushtonte ecjes së Tahir Berishës.
U rrit dhe u burrërua më tej duke njohur okupatorin, në të gjitha ngjyrat e tij, pa me sy torturat, vrasjet e hakmarrjet sllave, pa kërbaçin dhe dajakun e okupatorit bullgar që mbyste e vriste shqiptarët. Kështu më parë e mbytën me dajak Ahmet Muhaxherin, kurse në qershor të vitit 1943, natën e rrethuan shtëpinë e Zeqë Vërbanit dhe pasi hasën në rezistencë të fortë u larguan por me atë rast i therrën fqinjët e tij: Ali Kovaçin, Nezir Miftarin dhe Ramadan Mustafën. Në përleshje e sipër gjatë natës, u vra edhe një nënoficer bullgar. Zeqë Verbani u detyrua të strehohet në zonën italine, përtej kufirit.
Ndërsa më 9 shtator 1943, kur ai sapo hidhte mbi supe të katërmbëdhjetat, mori fund dhe fëmijëria e tij. Pushtuesit italianë ia vranë babanë e tij në prag të shtëpisë, ndërsa ai bashkë me të dhe disa shqiptarë po ktheheshin nga një ditë e zakonshme e psonisjes për familjen në tregun e asaj kohe në Ferizaj. Në këtë përleshje të armatosur me patrullën italiane, përveç babait, u vra edhe një "marshall" italian dhe u plagos një tjetër dhe disa fshatarë. Kështu edhe ushtarët e okupatorit bullgaro – italian i lanë eshtrat e veta në Vërban siç patën bërë edhe ushtarët e Turgut Pashës famëkeq.
-2-
Duke u pjekur para kohe, për Tahir Berishën nisi një jetë ndryshe mes kalvarit të vuajtjeve, një jetë më serioze në fakt ku gradualisht u inkuadrua në rrjedhat e jetës. I detyruar pas vdekjes së të Atit të ndiqte vëllanë e tij në Mitrovicë, ku ai ishte me punë, për herë të parë në jetën e tij përjetoi tmerrin e bombardimit të qytetit dhe mezi shpëtoi duke u fshehur rreth Sitnicës në drejtim të Vushtrisë.
Me shkollën fillore të kryer e me dëshirën e vullnetshme për të vazhduar gjimnazin, por i izoluar në një vend pa mundësi të arsimohej shqip, Tahir Berisha u detyrua të vazhdonte mësimet në gjuhën serbe dhe brenda një viti kreu privatisht dy klasa të gjimnazit të ulët.
-3-
Sjelljet brutale të okupatorit bullgar, vrasja e të atit nga fashistët italianë, burgosja e vëllait nga nazistët gjermanë dhe ngjarjet e tjera tragjike, që përjetoi gjatë asaj periudhe e bënë Tahir Berishën më të fortë, më burrëror, por i zgjuan dhe një urrejtje më të madhe për pushtuesit. Dhe aty nga fundi i Nëntorit të 1944-ës ai u rrjeshtua në rradhët e Brigadës VII Sulmuese Kosovare, ku ishte në fakt një nga partizanët më të rinj të saj dhe më pas iu bashkua Brigadës së Parë të Krajishtës, e cila e ndoqi okupatorin në Bosnjë-Hercegovinë-Mostar-Metkoviq-Sarajevë etj
Prej Tërnavës, ku u vendos çeta e tij, Tahir Berisha, më i arsimuari i çetës u dërgua në shkollën e nënoficerëve, por vetëm për një muaj pasi me kërkesën e tij dhe me urdhërin e komandës si një 17 vjeçar u la i lirë për t’u arsimuar në shkollimin civil.
-4-
Më pas me shumë halle, pas mbarimit të luftës, pa shkëputje nga puna, kreu maturën në gjuhën shqipe , pastaj Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, ku u diplomua në afatin e duhur në degën e ghuhës dhe letërsisë shqipe dhe në fund Fakultetin Filozofik në degën e historisë së letërsisë jugosllave.
Ai pati "dimër" edhe gjatë shkollimit e arsimimit të tij. Në këtë "dimër", jo pak herë ia vështirësuan arsimimin "akujt" e Komiteteve të Lidhjes së Komunistëve , ku vetëm në vitin 1953 nëpërmjet Sekretarit Organizativ Petar Borozan dhe UDB-ës së Vitisë, nisën drejt familjes Berisha akuza të reja, sa për inate të njohura, po aq edhe për inate të tjera edhe sot e kësaj dite të njohura si të qëllimshme, për të ndaluar ecjen përpara të Tahir Berishës, për të ndalur hapin e tij të sigurtë e të ideuar mirë drejt së ardhmes. Duhet theksuar se Tahir Berisha vetëm pas një kursi që zgjati prej 10 Nëntorit 1945 deri më 9 shkurt 1946 e që zhvillohej për pregatitjen e mësuesve në Prizren më 13 Mars 1946 u emërua mësues në fshatin Zarbincë të Kosovës Lindore, kur ai ishte i moshës 17- 18 vjeçare. Më saktë atij i ra shanci të hapte shkollën e parë në këtë fshat. E atje në Zarbincë ai dëgjoi të thuhej sërish: "Vetëm pak n’i pastë përngjajt babës- ky s’ka çare pa vyejte". Dhe ndërkohë ndiente më shumë krenari, më shumë forca i jepnin këto fraza, i jepnin më shumë obligim e përkushtim.
Zeqë Vërbani, jo vetëm që ishte i njohur si luftëtar trim, por edhe si arsimdashës i flakët. Derisa ishte kryetar i Komunës së Sllatinës, i zgjedhur me votat e shqiptarëve, vazhdimisht u interesua për mirëvajtjen e dy shkollave (në Sllatinë dhe Gërmovë), ku gravitonin 12 fshatra të banuara nga shqiptarët. Ai ishte iniciator edhe për hapjen e shkollës së parë shqipe në fshatin e lindjes – Vërban në vitin 1943.
Brenda pak kohësh e ngriti lart emrin e shkollës së Zarbincës dhe pas vlerësimeve të mara nga inspektorët e arsimit, sidomos pas propozimit nga inspektori Mehmet Gjevori, aty nga fundi i Nëntorit 1946 u transferua në shkollën fillore qëndrore të Prishtinës.
-5-
Dhe hapat e zotit Berisha s’u ndalën kurrë. Në Prishtinë pasi u bë një udhërrëfyes pionierësh, një anëtar i seksionit të Pionierëve të Kosovës së asaj kohe, ku ishte kryetar Xhafer Vokshi, në kuadër të po këtij seksioni, më 28 Nëntor 1946, filloi botimi i gazetës me emër "Gazeta e Pionierëve", një gazetë për herë të parë në shqip dhe që nga prilli i vitit 1948 i caktuar anëtar i redaksisë, ai mbeti i vetmi redaktor, lektor, daktilografier, korrektor dhe ekspeditor i saj.
-6-
Dhe përsëri "dimër" në jetën e tij. Kësaj here pasojat e luftës, puna e pandërprerë në redaksi, pluhuri i plumbit dhe zinkut nga shtypja e gazetës, shkollimi pa shkëputje nga puna, kushtet e banimit dhe ushqimit jo te mirë, i sollën një shëndet të lig që u pasua me shtrim në senatoriumet e Ozrenit, Surdulicës dhe Gollnikut ku nga viti 1949 deri në vitin 1952 luftoi me jetën e vdekjen derisa e flaku tej TBC-në.
Pas daljes nga Senatoriumi në Qershor të vitit 1952 filloi përsëri punën në shkollën Fillore të vendlindjes në Vërban, ku kishte dhe kushtet më të volitshme.
E më pas referent në Këshillin e Rrethit e Sekretar i Pleqësisë së Arsimit e të Kulturës në Viti, por edhe me dosje nga Sigurimi Shtetëror, përjashtim nga Lidhja e Komunistëve dhe nga arsimi. Dhe kuptohet pse. Ai shikohej tepër i rrezikshëm teksa ishte kryeinspektor i arsimit për Kosovë, shkollat në Kosovë mbinin nën kujdesin e tij si kërpulla pas shiut. E ndërsa ai rrezikohej përditë e më shumë, e ndërsa miqtë e këshillonin më tej ai theksonte:
"Nuk kam dëgjuar e as lexuar gjer më tani që të ketë bërë keq dikush që ka hapur shkolla…, se aty ku hapet një shkollë mbyllet një burg."
Në faqen 234 të librit të historianes dr Sulltane Kojçini - Ukaj, thuhet e kuptohet qartë çdo gjë në lidhje me Tahir Berishën.
Tahir Berisha e vazhdoi veprimtarinë mësimore si arsimtar i Gjimnazit të Lartë, pastaj si drejtor i shkollës së mesme Ekonomike dhe drejtor i Entit Rajonal Arsimor –Pedagogjik në Gjilan. Ai e ngriti lart emrin e shkollës së mesme Ekonomike në Gjilan në vitet 61-62, por kjo i kushtoi prapë, teksa nxiti nxënësit të shkruanin tek fletëpalosja letrare e shkollës "Shprehja e të rinjve". Edhe pas shumë hetimeve dhe mbledhjeve maratonike në shkollë , nuk u konstatua asnjëlloj gabimi, Tahir Berisha u detyrua të braktisë Gjilanin dhe të shpërngulet në Prishtinë, ku e vazhdoi më me intensitet aktivitetin e tij. Gjatë viteve 1970-85 ai punoi si kryeinspektor i Arsimit të Kosovës dhe kryetar i Bashkësisë Punuese. Mirëpo në vitin 1986, prapë u përjashtua nga LKJ dhe Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ të Jugosllavisë së asaj kohe dhe doli në pension.
-7-
I mbetur një kohë as në qiell, as në tokë, në një dimër po aq të egër sa të parët dimra të jetës së tij, ai prapë se ndali hapin e tij…
Një jetë të tërë për gjuhën shqipe, në procesin e drejtpërdrejt arsimor-edukativ, një jetë të tërë kundër politikës diskriminuese ndaj arsimit, ku thekson se Kosova u përgjak dhe më shumë u plaçkit, por megjithatë u rrit ..Dhe këtë rritje ai e kishte paraparë…
Tahir Berisha asnjëherë nuk i tha të zezës e bardhë se e donte puna por vazhdonte hapat e tij dhe e ngrente zërin teksa thoshte "Duket sikur është çuar lugat hegjemonizmi serbomadh".
Tahir Berisha krahas punës në procesin mësimor-edukativ, krahas aktiviteteve e veprimtarive të tjera, asnjëherë s’e hoqi penën nga dora. Ai rrjeshtoi shkrimet e tij letrare e publicistike dhe është autor i mjaft librave voluminozë. Ai është autor i "Trojet që nuk shuhen" botuar në Prishtinë 1993, dhe ribotimi i tij në 1995, "Emra që nuk harrohen-Arsimtarët veteranë (1941-1951) dhe arsimi shqip në Kosovë", vëllimi i parë i botuar në Prishtinë më 1994, "Emra që nuk harrohen-arsimtarët veteranë (1941-1951)", vëllimi II i botuar në Prishtinë më 1996, "Rrëfime në vetën e parë", Prishtinë 1998, "Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova" të botuar më 2001 në Londër dhe një sërë dorëshkrimesh, tekstesh e materialesh që pregatitet t’i hedh në botim. Por veprat e tij fill pas botimit janë promovuar në Prishtinë, Preshevë, Shkup, Tiranë, Elbasan, Stamboll, Gllasgou të Skocisë dhe në Londër, ku dhjetra e dhjetra vetë kanë thënë e vlerësuar stilin dhe gjuhën e një njeriu që i mëshon fort traditës dhe një tendence pasuruese në rritje të saj. Disa ekzemplarë të këtyre librave sot gjenden në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Prishtinës, në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, në Bibliotekën Britanike të Londrës etj.
Tahir Berisha, merita të veçanta ka edhe si inisiator për konstituimin e manifestimit unikal "Takimet e veteranëve" ku ishte dhe sekretar për një periudhe të gjatë i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës…
-8-
Edhe pse shpesh i ankuar mes shokësh për kohë jo të bollshme, ai duket një racionues perfekt i saj, dhe i ndal hapat e tij në jetën plot arritje e vështirësi, herë në lojën me nipërit e mbesat, se ai ka shumë, herë në një cep të jetës së tij shfleton kohën që ia kushtoi bletarisë, herë përhumbet ende mes bilbilave e papagajve si dikur, herë mediton dhe kujton rritjen e pulave në Kodrën e Diellit në Prishtinë, herë trazon kujtesën gjetkë, herë mes halleve e derteve të familjes e herë mes shokësh…, pa hequr nga dora lapsin, bllokun, shënimet, librat, letrat, gazetat dhe radion, të çmuarën dhe miken e tij të hershme…
-9-
Dhe si një traumë mbarëkombëtare "dimri" tjetër i përket edhe Tahir Berishës… Si shumë shqiptarë edhe ai më 5 Prill 1999, u shpërngul me dhunë nga Kosova. E mes këtij "dimri" ai la pas tmerrin e Bllacës, Stankovcin mizor, la pas dy muajt në kampin e "Gazi Osman Pashës" në Kirklareli dhe më 19 Qershor 1999 kaloi si refugjat në Angli…
Këtu në takimin e parë me të birin Gazmendin pas disa vjetësh, në Grinuiç ai e tha me poezi amanetin, jo vetëm për të por edhe për të gjithë ata që e ndiejnë detyrimin ndaj një vepre tërësisht kombëtare…
DIALOGU BABË E BIR
(Porosia në Grinuiç të Anglisë)
Pushtuesi, babë, na ndau
Prej Atdheut na përzu’ shkau!
Por, pa pritë, e pa kujtuar
Në Angli jemi bashkuar.
Po, në Grinuiç u takuam,
Në Meridian u fotografuam.
Ti në "Lindje", unë në "Perëndim"
Që do të na mbetet si kujtim…
Dhe kjo poezi vazhdon me dy strofat e tjera me porosine e Tahir Berishës për të birin me qëllim vazhdimin prej tij të veprës së vet, ashtu sic ai bëri me veprën e babait.
Ai është prapë në ecjen e tij të zakonshme, në jetën e tij në një mjedis ndryshe, por sërish mes shkrimeve e hulumtimeve. Ecën i qetë, durimtar, i thjeshtë, dëgjues e kompetent, i vendosur në atë që duhet të bëjë. Tahir Berisha nuk e ndal hapin. Zhurma e hapave të tij ndihet vetëm në trokamën e penës që tashmë ka shumë për të lënë pas…
Rrugëve të mbretërisë së Bashkuar ai kërkon shqiptarin, vendasin, historianin, shkrimtarin, kërkon çdonjërin që di për shqiptarinë, që ka bërë sadopak për të, kërkon tërë kombin e madh anglez që në momentin e duhur iu gjend tokës së djegur Dardane, kërkon e kërkon…të veçantën që i përket të djeshmes, të sotmes e të ardhmes.
E ndërsa dielli ka lëshuar tashmë rrezet mbi Kosovë dhe shqipja endet e pafrikur në trojet Dardane, Tahir Berisha, akoma e ka një merak në zemër, teksa na thotë: "Mos i kam lën’ mangut gjë Kombit?!
Londër, 24 qershor 2003
No comments:
Post a Comment