Anamorava dhe Perpjekjet Kunder Kolonizimit Serbosllav!

Pamje nga Anamorava

Përpjekjet e shqiptarëve të Anamoravës kunder Reformës Agrare dhe kolonizimit serbosllav

Nga Tahir Z.Berisha, Londër Prill 2010

Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore edhe popullsia shqiptare e Anamoravës, iu nënshtrua një terrori dhe gjenocidi të paparë. Prandaj, që atëherë një numër i familjeve të tyre u detyruan të shpërngulen në Turqi dhe Shqipëri, ndërsa në shtëpitë dhe tokat e tyre, vendosej elementi serbomalazez që ishte pikësynim i të gjitha regjimeve serbe që nga "Naçertania" e Ilia Garashaninit (1844). Kështu regjimi i dinastisë së Obrenoviqëve i shpërblente ata serb që arrinin të shpërngulnin së paku një shqiptar. Këtë platformë e përsosën dhe e konkretizuan edhe më detajisht Vaso Çubrilloviqi, Nikolla Pashiqi, nobelisti Ivo Andriqi, A.Rankoviqi e Millosheviqi. Kësaj politike të shpërnguljeve iu dha edhe forma ligjore me dekretligjin mbi kolonizimin e viseve jugore në vitin 1920, proces ky që zgjati deri në vitin 1938.

Me reformen agrare dhe kolonizimin synohej që të vihej një baraspeshë etnike që të sundoheshin më lehtë vendet e pushtuara. Madje edhe në Jugosllavinë e Titos, edhe pse në forma të tjera, vazhdoi kjo politikë (marrëveshja gjentelmene me Turqinë, memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Jugosllavisë etj.).

Zeqe Verbani
Zeqe Verbani
Shqiptarët e Anamoravës edhe pse të pashkolluar dhe pa pushtet, gjithmonë iu kundërvuan kësaj politike të padrejtë dhe diskriminuese. Kështu veproi edhe paria shqiptare e Anamoravës kur në fillim të vitit 1927, u takua me Mbretin Aleksander Karagjorgjeviq, i cili kishte ardhur në vizitë miqësore në Gjilan, në shtëpine e deputetit Toma Popoviqit me të cilin kishte miqësi personale. Tomë Popoviqi që si deputet kishte nevojë për votat e shqiptarëve, me atë rast i kishte ftuar edhe disa krerë shqiptarë më të dalluar të Anamoravës. Ata e kishin shfrytëzuar rastin për t'u ankuar kundër pushtetit që zbatonte politikën agrare dhe kolonizimin. Në këtë drejtim ishin të ashpër sidomos Zeqë Vërbani dhe stërnipi i tij Hamdi Kurteshi nga Pozharani e disa të tjerë. Në një moment kur ishte hap një dialog dhe debat i nxehtë, Mbreti Aleksandër i revoltuar dhe i zemëruar, pa e përfunduar kafën, u ishte drejtuar të pranishmëve me këto fjalë: "Nëse nuk ju pëlqen dhe nuk jeni të kënaqur më këtë regjim, ja ku i keni Shqipërinë dhe Turqinë dhe mund të shkoni kur të doni!", dhe ishte nisur për Vranjë gati pa u përshëndetur me askend. Ramiz Kabashi i pakënaqur aty për aty kishte thënë: "Po besa, do të shkoj" dhe po atë vit i kishte rregulluar dokumentat dhe ishte shpërngul për Turqi. Kështu kishin vepruar edhe shumë të tjerë. Ky "incident" me shpejtësi u përhap dhe u komentua në opinionin e gjërë.

Me këtë rast më së shumti ishte dëshpëruar mikëpritësi Toma Popoviq. Prandaj për ta zbutur sado kudo situatën, ai merrë iniciativën që një delegacion i parisë shqiptare të Anamoravës, sa më parë ta vizitojë Mbretin Aleksandër në Beograd. Kështu, pra, po atë vit, më 19.2.1927 një delegacion prej 23 përfaqësuesve shqiptarë në krye me deputetin Toma Popoviq e realizoi këtë vizitë, e cila ishte pritur mirë nga mbreti dhe kryetari i qeverisë Nikollë Pashiqi. Mbreti Aleksandër secilit prej tyre u kishte dhuruar nga një kuti duhani të gravuar me kurorën mbretërore, emrin e mbiemrin dhe datën e vizitës, në shenjë falënderimi për peshqeshet që këta ia kishin sjellur mbretit (jana, qilima etj.). Në delegacion kishin marrë pjesë edhe Zeqë Vërbani, Hamdi Kurteshi dhe disa të tjerë që me pyetjet e tyre në Gjilan e kishin pas nervozuar mbretin. Mbreti të pranishmëve u kishte premtuar se do të merreshin masa konkrete për korigjimin e gabimeve me rastin e zbatimit të reformës agrare dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në rrethin e Gjilanit, nëse Partia Radikale do të fitonte përsëri në zgjedhje. Madje ai dhe Pashiqi u kishin premtuar se së shpejti do të realizohej projekti për ndërtimin e hekurudhës Ferizaj – Gjilan – Bujanoc.

Paria e Anamoravës në vizitë te mbreti Aleksandër Karagjorgjeviqi në Beograd (19.02.1927)
Rreshti I në këmbë (nga e majta): Mehmet Devaja, Feriz Llashtica, Hajdar Demosha nga Begunca, Zeqir Sejdiu - Zeqë Vërbani, Rexhë Kurdia nga Komogllava, Musë Tomaku nga Pograxha;
rreshti II (në këmbë): Hamdi Kurteshi nga Pozherani, Rashit Llashtica, Adil Agë Dobërçani, Sinan Staneci, Kamber Dani nga Hogoshti, Jonuz Përlepnica, Shefki Zhegra, Veli Kopërnica;
rreshti III (ulur): Jakup Karaçeva, Tomë Popoviqi, Haxhi Jusuf Shkodriqi nga Desivojca, Sejdë Budrika, Islam Pira nga Pozherani;
rreshti IV (ulur këmbëkryq): Ramiz Kabashi, Osman Agë Muçivërca, Sali Fejza nga Hogoshti, Hafiz Osmani nga Dobërçani dhe Ramadan Shipashnica.

Mirëpo, përkundër të gjitha këtyre premtimeve, pushteti lokal nuk ndërmori kurrfarë masash për përmirësimin e gjendjes dhe eliminimin e padrejtësive që iu bëheshin fshatarëve, ndërsa situata e tyre dita – ditës keqësohej, sidomos në Komunën e Sllatinës ku ishte kryetar Zeqë Vërbani (i zgjedhur me votat e shqiptarëve). Prandaj, në cilësinë e kryetarit të Komunës dhe të deputetit rajonal të Krahinës së Vranjës, më 13.5.1928, zyrtarisht i dërgoi një telegram protestues Mbretit Aleksandër në selinë e tij në Topollë. Në këtë telegram, në emër të shqiptarëve të Rrethit të Gjilanit të fshatit Sllatinë e Epërme, kërkonte që fshatarëve mos t'iu merren pronat e tokat e punueshme për të cilat i kishin edhe tapiat që u kishin mbetur trashëgim nga gjyshërit e stërgjyshërit e tyre. Kjo Zeqë Vërbanit iu zu për gabim të madh se gjoja ai si kryetar komune dhe deputet rajonal në këtë mënyrë po e pengonte politikën zyrtare rreth zbatimit të Reformës Agrare dhe kolonizimit, mbështetës i të cilave ishte edhe vetë Mbreti Aleksandër dhe në heshtje u muarr qëndrimi që ky, dalëngadalë të eliminohet dhe më mos të lejohet të zgjidhet në këto poste. Kështu edhe ndodhi kur pushtetin lokal, pra edhe në Komunën e Sllatinës, e mori në dorë familja koloniste e Petroviqëve të Gërmovës (kryetar komune Millan Petroviqi, "dellovogj" kushëriri i tij Veljko Petroviqi dhe sekretar dhëndrri i tyre Mijat Jokanoviqi, babai i Vukashin Jokanoviqit, i cili më vonë ishte kryetar i Kuvendit krahinor të Kosovës, kur kësaj iu muarr autonomia).

LARTËMADHËRISË SË TIJ MBRETIT ALEKSANDËR
Topollë
Ne shqiptarët e rrethit të Gjilanit të fshatit Sllatinë e Epërme, me devotshmëri më të përulët qytetare, pasi i shterëm të gjitha mjetet e tjera të rregullta, marrim guximin që Juve, Lartëmadhëri, të ju dërgojmë sa vijon: pasuritë, arat dhe livadhet që na kanë mbetur nga gjyshërit tanë qysh para njëqind vjetësh dhe për të cilat i kemi tapitë, rend me rend po u merren fshatarëve tanë dhe po u jepen kolonistëve, edhe pse ka mjaft mera për këtë qëllim kudo, pra edhe në rrethin e Gjilanit. Sikur të kishte nevojë për këtë, ne do t'i ndanim vetë pasuritë me kolonistët pa urdhërin e pushtetit, por për këtë nuk ka nevojë, por me një veprim të tillë vetëm po dëshirohet që të krijohet gjaku i keq ndërmjet kolonistëve dhe popullsisë myslimane (shqiptare), gjë që nuk shkon në favor të rregullit dhe qetësisë së atdheut tonë të dashur... prandaj, me përultësi më të madhe lutemi për fjalën Tuaj të lartë që pasuritë tona mos t'i prekin, por ato të na mbesin neve!

Në emër të shqiptarëve të fshatit Sllatinë e Epërme, me përultësi ndaj madhërisë Suaj mbretërore,

Zeqir Sejdiu
kryetar komune dhe
deputeti i Krahinës së Vrajës
(Origjinali ne gjuhen serbokroate ruhet ne Arkivin e Jugosllavise dhe Arkivin e Kosoves)

Zeqë Vërbanit më vonë kurre nuk iu lejua kurrfarë pozite shoqërore -politike, por gjithmonë ishte i mbikqyrur dhe i kontrolluar. Kështu, kur kapitulloi Jugosllavia e Vjetër në arkivin e Stacionit të xhandarmërisë së Vërbanit u gjetë shkresa e Policisë së rrethit të Gjilanit, ku në mes tjerash afërsisht thuhej edhe sa vijon:"... Në territorin e juaj jeton Zeqir Sejdiu, i quajtur Zeqë Vërbani. Edhe pse i pa punë, ai vishet mirë dhe bredhë prej kafes në kafe, gjithmonë i rrethuar nga një grup ithtarësh dhe bashkëmendimtarësh. Ai kudo përhap propagandë kundër shtetit tonë. Kështu b.f. në odën e Rexhep Tahirit në Vërban, ai ka thënë se Jugosllavinë do ta okupojë Italia, e cila do të përfshijë edhe Kosovën, Maqedoninë Perëndimore dhe viset tjera të banuara nga shqiptarët etj. Prandaj, duhet gjithmonë ta përcjellni dhe në rast të ndonjë mobilizimi të përgjithshëm ta likuidoni në atë mënyrë që të frigohen dhe të tmerrohen edhe të gjithë ithtarët e tij..." etj. Me përmbajten e kësaj shkrese sekrete ishin njohur me kohë edhe pushtetmbajtësit kolonist të Gërmovës, të cilët edhe gjatë okupacionit bullgar disa herë u orvatën që me ndihmën e okupatorit ta likuidojnë Zeqë Vërbanin. Prandaj, ky u detyrua që ta braktisi familjen dhe të emigrojë në zonën okupuese italiane.

Duhet theksuar se Zeqë Vërbani ishte një figurë e shquar kombëtare me influencë në rrethin e Anamoravës, i cili nuk u pajtua me asnjë okupator dhe luftoi deri në fund për të drejtat e popullit të vet. Ai mori pjesë në luftën e Kaçanikut e të Drenogllavës kundër ushtrisë osmane, për cka më vonë ushtarët e Turgut Pashës ia dogjën shtëpinë. Në vitin 1913 ra në konflikt fizik me kryeçetnikun Stojan Domorovcin – Sellkiqin dhe u detyrua të emigrojë 5 vjet në Turqi. Pas ndërrimit të vijës së kufirit të demarkacionit bullgaro – italian, në vitin 1943 kur u kthye në vendlindje ra në konflikt të armatosur me patrullën italiane dhe mbeti i vrare krye më krye me një "marshall" italian. Më vonë u shpall dëshmor i kombit dhe në vendin ku u vra, iu zbulua lapidari.

Lapidari i Zeqe Verbanit

Është për t'u çuditur si rikolonizimi i fshatrave të Anamoravës ende nuk ka pushuar. Përkundrazi tani me decentralizimin dhe Planin e Ahtisarit, me krijimin e enklavave dhe komunave të reja me shumicë të popullsisë serbe, ai ka marrë hov dhe nuk po hasë në kurrfarë kundërshtime të pushtetmbajtësve të sotëm dhe përfaqësuesve të ndërkombëtarëve. Përkundrazi, komunat e reja serbe janë të lidhura horizontalisht dhe vertikalisht me Serbinë, gjuha serbe është gjyhë zyrtare, gjë që nuk është rasti me popullsinë shqiptare në Luginën e Preshevës etj. Pra, popullsia serbe këtu nuk konsiderohet si pakicë, por është e privilegjuar në çdo pikëpamje.

1 comment:

cakaj07 said...

Një blog shumë domethënës,plot ndriçime,begati....Unë jam vet nga rrethi i Anamoraves dhe më intereson të ndjek këto ndriçime.
Përshëndetje të përzemërta dhe të lumtë mik.


Shaban Cakolli