Sami Islami: "Realiteti Kohor dhe Ditari"

Sami ISLAMI:
REALITETI KOHOR DHE DITARI

“Ka ndodhur vetëm ajo ngjarje, për të cilën është shenuar”
(Autori anonim)

(Përkitazi me ditarin e Tahir Berishës “Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova”)

Sami IslamiNë jetë ndodhin lloj-lloj ngjarjesh. Po a u shënuan ato nga dikush apo jo? Kjo është çështja. Nëse këto ngjarje nuk u shënuan, logjikisht ato “nuk ndodhën”. Prandaj që ngjarjet të bëhen “të ndodhshme” duhet të shenohen, e me të cilën tematikë merret ditari si gjini letrare.

Duke u nisur nga kjo pikë vështrimi do të ndalemi pak tek ditari i Tahir Berishës me titull "Shenime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova", vepër kjo e cila e çon më tej pasurimin e kësaj gjinie tek ne. Si autor edhe i disa veprave të tjera si “Rrëfime në veten e parë”, “Emra që nuk harrohen” etj. Tahir Berisha në këtë ditar, nëpërmes përjetimeve të veta personale, prezenton në njëfarë mënyre edhe tërë odisejadën e popullit shqiptar të Kosovës që e përjetoi në fundshekullin që e lamë pas. Vepra është bërë në mënyrë kronologjike dhe spikat disa nga ngjarjet që ndodhën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në fakt duke i lexuar ato ngjarje që pasuan pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, kuptohet atmosfera që mbretëronte në Kosovë, veçanërisht në Prishtinë, ku jetonte autori.

Dhe vërtetë, duke e lexuar ditarin “Shënime dhe ecejake te një refugjati nga Kosova” ballafaqohesh me këto skena danteske të kohës më të re. Skena, të cilat, më shumë se çdo tjetër bënë që fuqitë perëndimore Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja të intensifikojnë edhe më tej sulmet ndaj Serbisë.

Është interesant se si autori ia kishte vu detyrë vetes, të “merrte shënime” edhe në situata tepër të vështira, sikur ato përjetimet e Bllacës dhe ato të vendosjes në kampin e Stankovecit, kur siç thuhet nganjëherë në popull, “njeriu nuk dinte se ku e kishte kokën”, por jo Berisha edhe këtu, herë me fotografi e herë vetëm me laps merr shenime për atë se ç'dodhi, duke mbledhur materiale tepër të rëndësishme jo vetëm për ditarin e tij.

Duke e parë ç’po ndodhte me popullin shqiptar të Kosovës, përveç Shqipërisë, e cila i kishte hapur dyert nga të gjitha anët për t’u dalur në mbrojtje vëllezërve dhe motrave të një gjaku, të gjitha shtetet anëtare të NATO-s kishin hapur dyert, kush më shumë e kush më pak, të strehonin refugjatë shqiptarë. Deri në këtë moment bota nuk e kishte pasur të qartë se kush ishte serbi. Se të dëbohet një popull i tërë nga trojet e veta kjo s'kishte ndodhur askund në botë, e lerë më në Ballkan e në Evropë! Në këtë rëmujë Tahir Berishës i “bie” fati të strehohet në Turqi. Ky moment zgjoi emocione tek shumë shqiptarë të dëbuar, poashtu edhe tek autori i ditarit, i cili i vetëdijshëm se vërtet edhe ai tashti ishte refugjat kujton kohën e babait të tij kur më 1912/13, duke ikur nga dhuna serbe ishte detyruar të strehohej në Turqi. Në këtë kapitull autori prezenton një varg ngjarjesh të cilat s'e di a e ndoqën autorin e librit, apo autori i librit i ndoqi apo i hulumtoi ato?

Dhe vendosja e shumë refugjatëve shqiptarë në kampin "Gazi Osman Pasha" të Kirlarelit, organizimi i tyre nëpër bungallo (baraka prej dërrasash) dhe në vend të huaj krijuan një situatë të re për kosovarët e traumatizuar dhe të shkatërruar shpirtërisht. Siç do të shohim nga ditari i Berishës, aty në Kirlareli refugjatët kishin filluar ta marrin pak a shumë veten. Qeveria turke kishte bërë të gjitha përgatitjet për t'u dalur në ndihmë refugjatëve shqiptarë. Kishte rend dhe jeta organizohej sikur në ndonjë pushimore të madhe, që po të krahasoheshin me atë çfarë kishin përjetuar në kampet e Maqedonisë ose me qëndrimin e tyre në Bllacën famëkeqe, siç shkruan autori, ishte një parajsë e vërtetë.

Nga shënimet e Tahir Berishës, lexuesi mund të mësojë për shumë gjëra të cilat ai me një pedantëri të madhe i ka mbledhur dhe i ka sistemuar dhe do të thoshim ia ka dalur me sukses, jo vetëm t'i shenojë këto ngjarje nga këndi i një vrojtuesi pasiv, por nga këndi i një pjesëmarrësi aktiv në to.

Ngjarje e veçantë gjatë qëndrimit në Turqi, do të thoshim, ishte takimi i autorit me një mërgimtar nga Pozharani. Ky ishte Bajrush Misini, një i afërm i bashkëshortes së tij, të cilit turqit ia kishin ndërruar emrin në Bajram Shen. Më 1944 Serbia këtij ia kishte vrarë babain në prag të shtëpisë, ashtu siç ndodhi më vonë edhe me mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës. Dhe krejt atë çka kishte marrë me vete kishte qenë një pallto të babait të tij të bërë blozhë nga plumat serbe, dhe të cilën e kishte ruajtur kujtim si relikt të vërtetë për vite të tëra. Dhe shpesh kur donte të ç'mallej me vendlindjen e tij, Pozharanin, nxirrte nga fundi i arkës pallton e babait të vrarë, që serbët ia kishin vrarë në derë të shtëpisë gjysëm shekulli më parë. Ishte ky njëri nga shumë mërgimtarë shqiptarë që kishin ikur në Turqi po nga kjo dhunë, që po përsëritej edhe tashti…

Jeta i ka të gjitha. Autori i librit, gjatë rrugëtimit të tij për në Bllacën famëkeqe, qëndrimit atje dhe në kampet e Maqedonisë, e më vonë edhe në kampin turk, ndeshet me njerëz që kishin shqetësime të ndryshme; dikujt i kishte humbur nëna, disa të tjerëve u kishin kumbur prindërit, disave kryefamiljarët e tyre etj. etj. Por edhe në këto situata ai di të gjejë edhe momente të tilla, që lexuesi të shkëputet për një çast nga traumat. Kështu madje edhe sa ishte në Prishtinë, dhe kur u krijua asi situate sa njerëzit nuk dinin se çfarë të ndërmerrnin: të iknin që andej apo të qëndronin dhe t'i prisnin paramilitarët serbë? Kur u krijua një situatë që, si të thuash, dihej se si të ngryste nata, po nuk dihej se si do të gdhinte mëngjesi, Tahir Berisha me një dozë humori then atë monotoni, që lexuesi edhe në këto situatash të buzëqesh pak, siç është rasti i zënies në gojë i gjelit të fqiut të tij, Metushit, i cili posa ishte dhe larguar pronari i tij ( ai kishte marrë rrugën e Bllacës) kishte dalë në oborrin e autorit dhe duke u krekosur po "pretendonte" të bëhej "zot shtëpie " , jo vetëm në shtëpinë e pronarit të tij -Metushit,por edhe në shtëpinë e autorit të librit e ndoshta edhe i tërë mëhallës! Dhe tjetri, në kampin turk, kur të gjithë refugjatët prisnin me ankth zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë e rreth Kosovës, ai takon dy të rinj, të cilët i kishte kapluar diçka tjetër. Ata për momentin nuk ishin të preokupuar se ç'po ndodhte në Kosovë dhe në kamp. Ata i kishte kapluar dashuria. Siç shkruan autori, ata ishin kapur dorë për dore dhe nuk shihnin asgjë sepse një natë më parë ishin martuar. Ata dukeshin shumë të gëzuar dhe po bëheshin gati të pritnin në radhë pranë kabinës së telefonit për t'i lajmëruar familjet e tyre të ndara, të cilat fati i kishte hudhur njërën në një vend të Shqipërisë, kurse tjetrën në Ulqin! E Berisha për të bërë pak humor i uron këta me atë shprehjen popullore "Po juve ju paska rënë shiu në kollomoç, ore'! duke i bërë të qeshin pak edhe për këtë fat, në këtë fatkeqësi të madhe të popullit shqiptar.

Kapitulli tjetër "Shënime nga Anglia dhe Skocia" zë vend më të madh në ditarin e Tahir Berishës, për arsye se këtu autorit i ra fati që të qëndronte më gjatë. Gjatë gjithë kësaj kohe sa qëndroi në Angli dhe në Skoci, ai pati rastin të hulumtonte shumë arkiva, biblioteka, galeri, shoqata, ekspozita etj. etj. dhe do të thoshim që për një kohë shumë të shkurtër arriti të vizitonte më shumë vende se ndonjë tjetër, i cili do të ketë qëndruar me vite të tëra në këtë metropolë botërore. Fati e solli autorin që të takohej edhe me më të afërmit e vet në Londër, siç qe rasti i takimit të tij me të birin - Gazmendin, pas shtatë vitesh dhe atë në Griniç, shi aty ku ndahet Lindja me Perëndimin.

Tahir Berisha dhe Sami Islami
nga e majta: Tahir Z Berisha, Sami Islami dhe Gazi

Kronologjia e ngjarjeve është sikur edhe në kapitujt e tjerë, po këtu, përveç përshkrimeve të ngjarjeve apo takimeve të ndryshme me njerëz, ai shenimet e veta i pasuron edhe duke shenuar ngjarje që kanë ndodhur shumë më heret, pra duke u kthyer në retrospektivë. Ai kthehet në ngjarjet që lidhen ngusht me historinë e popullit tonë, siç është rasti i Koferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1912-13. Sado që për këtë ngjarje është shkruar edhe më parë, Tahir Berisha, si njeri kurioz, duke mos prituar të hulumtojë në arkivat shtetërore angleze, përpiqet dhe ia del me sukses të ndriçojë edhe më tej rrethanat në të cilat u zhvillua kjo konferencë dhe padrejtësitë që iu bënë popullit shqiptar.

Vlen të theksohen me këtë rast edhe reagimet e patriotëve shqiptarë në lidhje me copëtimin e tokave shqiptare, siç qe reagimi i qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit, vizita e delegacionit shqiptar në Londër të prirë nga Ismail Qemali dhe Isa Boletini, qëndrimi i Konferencës ndaj kësaj çështjeje etj.

Nuk mund të ndodh që Tahir Barisha të udhëtojë diku pa e marrë bllokun dhe lapsin për të marrë shenime, po një ndihmë të madhe në këtë aspekt i ka bërë dhe vazhdon t'i japë djali i tij Gazmendi, i cili gjithnjë me fotoaparat e me kamerë i regjistron këto ngjarje. Le të përmendim këtu Glasgoun, kur u bënë promovimet e librave të tjerë të autorit, vizita e Bashkësisë Shqiptare "Faik Konica", vizita e ekspozitës se Shoqatës së Artistëve në Bromley, ku përveç tjerash ekspozoi edhe piktori i njohur kosovar Skënder Kapiti, vizita e shtëpisë muze të shkencëtarit me famë botërore të Çarls Darvinit, vizita e Qendrës për Studime Shqiptare, drejtor i së cilës është bashkatdhetari ynë Bejtullah Destani, Qendrën Kulturore e Islamike të Londrës, drejtor i së cilës është Zymer Salihu, si dhe vizita e tij e shkurtër në Kosovë etj. etj.

Autori i kishte vu detyrë vetes që të prezentonte në librin e tij madje edhe tërë aktivitetin e shqiptarëve në këtë metropolë botërore. Ai nuk kishte ngurruar t'i vizitonte edhe disa biznesmenë shqiptarë që me punën e tyre kanë arritur të ngrenë kafeteri, reastaurante, servise për larje të veturave etj. Ai kishte vizituar poashtu restaurantin "Koha", "Buka", "Lisi", "Kalamari", kafeterinë "Kalabria" etj.

Të katër kapitujt e fundit "Me shqiptarët në Angli", "Mërgata shqiptare në Angli", "Intervista dhe artikuj" dhe "Korrespondenca" edhe pse drejtpërdrejt nuk lidhen me natyrën e ditarit, këto në njëfarë mënyre e pasurojnë veprën me të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe miqtë e tyre në këtë vend. Dhe të qëndrosh në Angli, siç thotë edhe vetë autori, e të mos i gjurmosh ngjarjet që kanë ndodhur dhe personalitetet, të cilat kanë vepruar në etapa kohore të ndryshme, është sikur të flasësh për historinë e popullit shqiptar pa e përmendur fare Skënderbeun! Duke e pasur parasysh këtë fakt, do të thoshim se Tahir Berisha ka bërë një punë të mirë që është interesuar dhe ka hedhur pak a shumë dritë lidhur me këtë çështje, të cilat lexuesin do ta nxisin ta lexojnë veprën me një frymë. P.sh. lexuesi do të ketë rastin që të njihet me miq të ndryshëm të shqiptarëve, si me Aubrey Herbert, themeluesin e parë të Lidhjes Anglo-shqiptare" më 1912, pastaj me veprimtaren dhe miken e madhe të popullit shqiptar, e cila tërë jetën ia kushtoi popullit tonë duke i lënë madje edhe shumë vepra lidhur me shqiptarët. Pra me miken e shquar Edit Durham. Kryetarin e Shoqatës Anglo-Shqiptare të viteve 1985-1994 Harry Hodgkinston, kryetarin e tashëm të Shoqatës Anglo-Shqiptare Noel Malkom, i cili është autor edhe i një libri "Kosova, një histori e shkurtër", e cila siç thotë vetë autori i saj "çdo kund u prit mirë, përveç në Beograd". Pastaj me sekretarin e shoqatës Peter Rennie etj. etj.

Lexuesi ka rastin të njihet edhe me disa detaje rreth personalitetit të Mbretit Zog, i cili siç pohon autori, edhe përkundër faktit se , nuk shikohet me sy të mirë nga disa qarqe shqiptare, ai ka bërë punë të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pastaj për Faik Konicën, Dërvish Dumën, Tajar Zavalanin, Alfred Andonin, Qazim Kastratin, Anton Logorecin, Dr. Ihsan Bej Toptanin, Skënder Dumën, Ndue Kalthin, Viktor Çamin etj.

Në funksion të një prezentimi sa më të plotë të mërgatës shqiptare në Angli Berisha ka përmendur edhe formimin e Bashkësisë Shqiptare "Faik Konica", e cila më vonë filloi të nxjerrte "Informatorin" e mëpastaj edhe gazetën "Albania". Në kohë të fundit herë pas here dolën edhe fletushkat "Lajmëtari" dhe "Kontakti", por edhe revista "Fjala jonë". Do përmendur këtu edhe punën e Shkollës Shqipe "Kosova", e cila me rolin e saj ka bërë të mundur që nxënësit shqiptarë të ruajnë identitetin e vet edhe në këto trysni të mëdha kulturash në këtë metropolë botërore, si dhe "Shoqatën e të rinjve shqiptarë" (Albanian Youth Action), e cila poashtu ka luajtur dhe luan rol të madh për ruajtjen e vlerave kulturore e kombëtare të popullatës shqiptare në këtë pjesë të botës.

No comments: