Shënime Biografike

Tahir Z.Berisha, lindi në Vërban të Vitisë më 1928. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, maturën e mësuesisë në Pejë, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike (Gjuhë Shqipe dhe Letërsi) dhe Fakultetin Filozofik në Shkup. Më pas vijoi studimet pasdiplomike në Degën e Informatikës në Zagreb.

Si 16 vjeçar mori pjesë aktive në LANÇ, kurse në moshën 18 vjeçare u emërua mësues në Zarbincë të Bujanovcit - Kosova Lindore. Veprimtarinë arsimore e vazhdoi si arsimtar në gjimnaz, drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike dhe drejtor i Entit Arsimor Pedagogjik në Gjilan. Në vitin 1956, gjatë aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve u përjashtua nga mësimi si "i papërshtatshëm politikisht". Pas Plenumit të Brioneve dhe rënies së A.Rankoviqit, më 1966, rehabilitohet dhe kthehet prapë në arsim ku punoi si inspektor dhe kryeinspektor i arsimit si dhe sekretar shumëvjeçar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës.

Në vitin 1986 regjimi shovenist i Millosheviqit përsëri e përjashton nga Lidhja e Luftarëve të LNÇ dhe del në pension.

Gjatë shërbimit aktiv dhe më vonë vazhdimisht është marrë me shkrime letrare e publicistike. Përveç shumë artikujve publicistikë dhe punimeve të tjera profesionale, deri më tash i ka botuar këto vepra:

1.) “Monografia e Shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan”, ‘Nova Makedonija’, Shkup, 1961;

2.) “Dhjet Vjet të Shërbimit të Inspeksionit të Arsimit në KSA të Kosovës (1970 - 1980)”, Prishtinë, 1981;

3.) “Trojet që nuk shuhen - Shënime nga Vërbani dhe Anamorava”, Prishtinë, 1993 (ribotimi 1995);

4.) “Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941 - 1951) dhe arsimi shqip në Kosovë”, Vëllimi I, Prishtinë, 1994;

5.) “Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941 - 1951)”, Vëllimi II, Prishtinë, 1996;

6.) “Rrëfime në veten e parë”, Prishtinë, 1998;

7.) “Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova”, Londër, 2001;

8.) “Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941 - 1951)”, Vëllimi III, Prishtinë, 2005;

9.) “Në fokus të ngjarjeve - Bisedë me Sinan Hasanin”, Prishtinë, 2005;

10.) “Emra që nuk harrohen - Arsimtarët shqiptarë në diasporë”, Prishtinë, 2006 (si koautor me Hamza Halabakun dhe Çerkin Bytyqin).

Ështe i përfshirë në Antalogjinë e krijuesve shqiptarë në Angli, “Lërmeni pak atdhe”, Tiranë, 2004, si dhe ne librin “100 Shqiptarët e Britanisë”, Londër, 2013.

No comments: