Promovim: "Zeqe Verbani dhe koha e tij", Verban 1997


Zeqë Vërbani (1886-1943)

Promovimi i Monografise “ZEQË VËRBANI DHE KOHA E TIJ” të autorit Mujë Berisha, në Vërban më 31.08.1997

Në 54-vjetorin e hapjes së shkollës së parë në Vërban dhe vrasjes së Zeqë Vërbanit, u mbajt promovimi i Monografisë së autorit Mujë Berisha “Zeqë Vërbani dhe koha e tij”. Promovimin e hapi z.Ibrahim Emërllahu, drejtor i shkollës. Pas intonimit të himnit kombëtar u bë zbulimi i portretit të Zeqë Vërbanit, punim i piktores Shqipe Berisha-Shala.

Kryesuesi i promovimit, Tahir Z.Berisha, pasi përshendeti z.Mehmet Gjevorin, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës, delegacionin e Vërbanit të Bujanocit, Ajet Jasharin nga Turqia dhe mysafirët tjerë nga Prishtina, Peja, Gjilani, Ferizaji dhe Kaçaniku, ua dha fjalën recenzentëve Dr.Mehmet Halimi dhe Dr.Daut Bislimi. Pas tyre Prof.Ramiz Kuqi nga Kaçaniku, e lexoi vjershën kushtuar Zeqë Vërbanit. Në diskutim morën pjesë Jetish Vishi-Bislimi, mësues i parë i kësaj shkolle, Ramadan Hoxha-Cërnica, Prof.dr.Musa Limani etj.

Në fund u falënderua edhe autori Prof.Mujë Berisha dhe pastaj vazhdoi programi kulturo-zbavitës.


FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER


--------------------

Pse e çmoj tim et?
(Me rastin e 56-vjetorit të vrasjes së Zeqë Vërbanit)

Unë e çmoj shumë tim et,
Se kur isha fëmi në djep,
Të më lidhin s’lejoi kurrë,
Duarlirë u rrita, u bëra burrë!

Në odë hyja pa ndalesa,
Me burra rrija pa pengesa,
Këshillat e tij i dëgjova,
Historinë n’odë e mësova.

Kur për shqiptarë shkolla s’kishte,
Ai dëshirë të flaktë për to kishte.
Tha: “Pa shkolla s’bën të jemi,
Shkollat shqipe do t’i kemi!”

Kur “me sy e pashë vdekjen”
Me trup të vet ma shpëtoi jetën
E kujtoj, pra, sa të jet jeta
Por, ndoshta, ende borxh i mbeta?

Tahir Z.Berisha
Shtator 1999
--------------------

Kundër kolonizimit të Kosovës dhe Reformës Agrare

Kolonizimi së pari filloi në trevat rreth Gjilanit (e pastaj u zgjerua edhe në trevat e tjera të Kosovës. Kështu, në 61 vendbanime të këtij rrethi u kolonizuan 1142 familje serbe e malazeze. Vetëm në komunën e Sllatinës së Epërme u vendosën 294 familje …

Këtyre kolonistëve kryesisht iu nda toka që iu muar me të padrejtë fshatarëve shqiptarë të Sllatinës së Epërme dhe të Ramjanit". Ky veprim i pushtetit shkaktoi shumë ngatërresa e mosmarrëveshje ndërmjet vendësve autoktonë dhe kolonistëve, i cili u përdor edhe si mjet presioni ndaj popullatës shqiptare për t'u shpërngulur nga trojet e veta etnike.

Zeqë Vërbani nuk mund t'i shikonte me indiferentizëm padrejtësitë që u bëheshin fshatarëve nga ana e pushtetit dhe kolonistëve. Traumat e tyre i përjetoi si të vetat. Meqë edhe vetë ishte bir fshatari, e dinte se toka e bukës dhe kullosat për fshatarin kanë rëndësi jetike. Prandaj, i revoltuar nga tërë këto të këqia, që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, mori guximin që, si kryetar komune në Sllatinë të Epërme, e pastaj edhe si deputet i Kuvendit të Parë të Krahinës së Vrajës, të reagojë haptas duke u vënë në anën e popullit të vet.

Së pari këtë e bëri bashkë me parinë shqiptare të rrethit të Gjilanit në takimin me mbretin Aleksandër Karagjorgjeviqin, në shtëpinë e deputetit dinak Tomë Popoviqit, në Gjilan, kur mbreti e vizitoi Kosovën në fillim të vitit 1927. Në atë takim, patrioti, Hamdi Kurteshi, i nxitur nga interesimi i mbretit për gjendjen e shqiptarëve, e hap një dialog të ashpër, duke iu ankuar se me masat e reformës agrare ishte rrezikuar ekzistenca e fshatarësisë shqiptare dhe ishte shtuar pakënaqësia e tyre. Mbreti, i revoltuar nga ato fjalë që dëgjoi nga Hamdi Kurteshi dhe të tjerët, ishte zemëruar keq dhe, pa e pirë kafenë, u ishte drejtuar të pranishmëvet me këto fjalë kërcënuese: "Nëse nuk jeni të kënaqur me këtë regjim, ja ku e keni Shqipërinë dhe Turqinë dhe mund të shkoni kur të doni!". Pas këtyre fjalëve, biseda ishte ndërprerë si e padëshirueshme për të dy palët, ndërsa te përfaqësuesit shqiptarë kishte lënë përshtypje shumë të keqe.

Për ta zbutur sado pak "incidentin", Tomë Popoviqi e merr iniciativën që një delegacion i parisë shqiptare të kësaj ane ta vizitojë mbretin Aleksandër në Beograd. Kjo vizitë realizohet më 19.II.1927, me pjesëmarrjen e 23 përfaqësuesve shqiptarë. Ndër ta ishte edhe Zeqë Vërbani (është ruajtur fotografia). Sipas rrëfimeve të Zeqës, pas kthimit nga Beogradi, dhe kujtimeve të mëvonshme të disa pjesëmarrësve të vizitës në Beograd, delegacioni ishte pritur mirë nga mbreti dhe kryetari i qeverisë N.Pashiqi. Madje, mbreti secilit ia kishte dhuruar nga një kuti duhani të gravuar me kurorën mbretërore, emrin dhe datën e vizitës, si shenjë falënderimi për peshqeshet që këta ia kishin dhuruar mbretit (qilima, jana, etj.). Me atë rast mbreti Aleksandër iu kishte premtuar mysafirëve se do të merreshin masa urgjente për korigjimin e gabimeve lidhur me zbatimin e reformës agrare dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në rrethin e Gjilanit. Po ashtu, u kishte premtuar se nëse Partia jugosllave radikale do të fitonte përsëri në zgjedhje, së shpejti do të realizohej projekti për ndërtimin e hekurudhës Ferizaj - Gjilan - Bujanoc. Edhe mysafirët u ishin zotuar mikëpritësve të saj se do të përkrahnin këtë parti, duke ua siguruar votat kandidatëve të saj. Lidhur me këtë takim dhe me pjesëmarrjen e Zeqë Vërbanit në të, janë ruajtur edhe anekdota.
----------

Paria e Anamoravës në vizitë te mbreti Aleksandër Karagjorgjeviqi në Beograd (19.02.1927)

Rreshti I në këmbë (nga e majta): Mehmet Devaja, Feriz Llashtica, Hajdar Demosha nga Begunca, Zeqir Sejdiu - Zeqë Vërbani, Rexhë Kurdia nga Komogllava, Musë Tomaku nga Pograxha; rreshti II (në këmbë): Hamdi Kurteshi nga Pozherani, Rashit Llashtica, Adil Agë Dobërçani, Sinan Staneci, Kamber Dani nga Hogoshti, Jonuz Përlepnica, Shefki Zhegra, Veli Kopërnica; rreshti III (ulur): Jakup Karaçeva, Tomë Popoviqi, Haxhi Jusuf Shkodriqi nga Desivojca, Sejdë Budrika, Islam Pira nga Pozherani; rreshti IV (ulur këmbëkryq): Ramiz Kabashi, Osman Agë Muçivërca, Sali Fejza nga Hogoshti, Hafiz Osmani nga Dobërçani dhe Ramadan Shipashnica.

----------
Meqë, as përkundër premtimeve të mbretit, pushteti nuk ndërmori asgjë për përmirësimin e padrejtësive ndaj fshatarëve, ndërsa situata e tyre dita-ditës keqësohej, Zeqë Vërbani, i nxitur edhe nga ankesat e shumta të tyre, reagoi për herë të dytë. Këtë herë në cilësinë e kryetarit të komunës dhe të deputetit të Kuvendit të Parë të Krahinës së Vrajës, i shkroi zyrtarisht mbretit Aleksandër një telegram protestues, të cilin ia dërgoi në selinë e tij në Topollë, më 13.V.1928. Nëpërmjet telegramit Zeqa, në emër të shqiptarëve të Sllatinës së Epërme, shpreh mospajtimin për marrjen e pasurisë, të arave dhe livadheve të tyre të trashëguara nga gjyshërit e stërgjyshërit, e për të cilat i kanë edhe tapitë. Këtu, më poshtë po e japim tekstin e telegramit të përkthyer në gjuhën shqipe nga origjinal (i cili ruhet në Arkivin e Jugosllavisë dhe në Arkivin e Kosovës):
----------
LARTËMADHËRISË SË TIJ MBRETIT ALEKSANDËR
Topollë

Ne shqiptarët e rrethit të Gjilanit të fshatit Sllatinë e Epërme, me devotshmëri më të përulët qytetare, pasi i shterëm të gjitha mjetet e tjera të rregullta, marrim guximin që Juve, Lartëmadhëri, të ju dërgojmë sa vijon: pasuritë, arat dhe livadhet që na kanë mbetur nga gjyshërit tanë qysh para njëqind vjetësh dhe për të cilat i kemi tapitë, rend me rend po u merren fshatarëve tanë dhe po u jepen kolonistëve, edhe pse ka mjaft mera për këtë qëllim kudo, pra edhe në rrethin e Gjilanit. Sikur të kishte nevojë për këtë, ne do t'i ndanim vetë pasuritë me kolonistët pa urdhërin e pushtetit, por për këtë nuk ka nevojë, por me një veprim të tillë vetëm po dëshirohet që të krijohet gjaku i keq ndërmjet kolonistëve dhe popullsisë myslimane (shqiptare), gjë që nuk shkon në favor të rregullit dhe qetësisë së atdheut tonë të dashur... Prandaj, me përultësi më të madhe lutemi për fjalën Tuaj të lartë që pasuritë tona mos t'i prekin, por ato të na mbesin neve!

Në emër të shqiptarëve të fshatit Sllatinë e Epërme, me përultësi ndaj madhërisë Suaj mbretërore,

Zeqir Sejdiu
kryetar komune dhe deputeti i Krahinës së Vrajës

----------
Ngjarjet që pasuan më vonë, dëshmuan se as premtimet e mbretit Aleksandër dhe as telegrami protestues i Zeqë Vërbanit, nuk patën efekt. Madje, autorit të tij i është zënë për "...gabim të madh, gjoja pse ai si kryetar komune dhe deputet rajonal në këtë mënyrë po e pengonte politikën zyrtare rreth zbatimit të masave të reformës agrare", nëpërmjet të së cilës, në të vërtetë, po zbatohej politika kolonizuese serbomadhe, mbështetës i së cilës ishte vetë mbreti.

Megjithatë, më së keqi e pësuan fshatarët e Sllatinës së Poshtme në përpjekjet e tyre për t'i shpëtuar gjashtë hektarë mera të katundit, të cilët në mënyrë arbitrare ua uzurpuan "kolonistët e Tankosiqit Mirko dhe Simo Miliniqi”. Atë ditë kur e kishin kufizuar këtë pronë si të veten, kishin bërë aheng me pije e me të shtëna armësh në ajër. Kur u ishin afruar fshatarët shqiptarë për të protestuar, e disa edhe duke gjuajtur me gurë, kolonistët ua kthejnë me armë. Me atë rast ishte vrarë në vend Mehmet Demelezi, ndërkaq ishin plagosur: Ramiz Frangu, Metush Frangu dhe Tush Frangu, si dhe e mitura Xhevrije Sylë Demelezi. Por, në vend se të përgjigjeshin vrasësit, burgosen: Bejtë Frangu, Elmaz Mjaku dhe Bahri Frangu, të cilët pas tre muajsh qëndrimi në burg, me ndihmën dhe intervenimet e shumta të kryetarit të komunës, Zeqë Vërbanit, mezi ishin liruar.

Raste të ngjashme të uzurpimit të merave pati edhe në fshatra të tjera, ndërsa ajo e Sodovinës së Jerlive, e njohur për kullosa të mira, edhe pse disa herë qe marrë në konsiderim për t'iu ndarë kolonistëve, shpëtoi falë angazhimit të Zeqë Vërbanit dhe deputetit Tomë Popoviqit, i cili kishte nevojë për votat e banorëve të kësaj treve.
------------------

Zeqë Vërbani dëshmor i kombit

Regjimi jugosllav Zeqë Vërbanin e kishte shpallur si viktimë të terrorit fashist. Mirëpo, pasi ai nuk u vra me duar lidhur, por me armë në dorë në një përleshje të armatosur me patrollën e ushtrisë fashiste italiane, Shoqata e Veteranëve të Luftës Antifashiste NÇ të Kosovës – Dega në Viti, me vendimin Nr.106, dt.16.11.2007, Zeqë Vërbanin e shpalli Dëshmor të kombit shqiptar të LANÇ të Kosovës.

Në vitin 2007 atij iu ngrit përmendorja në vendin ku u vra me këtë tekst:

“ZEQË VËRBANI (1886 – 1943), DËSHMOR I KOMBIT SHIPTAR dhe arsimdashës i flakët, u vra më 9 shtator 1943, në një përleshje të armatosur me fashistët italianë. Me atë rast mbeti i vrarë dhe një “Marshalle” italian dhe u plagos një tjetër. Nga predha bombe u plagosën dhe: Hajrush Hajrullahu nga Gërmova dhe Sherif e Haki Misini nga Sodovina e Jerlive.

Po në këtë vend, në Maj të 43-ës, kur një patrullë ushtarësh fashistë bullgar rrethoi shtëpinë e Zeqës, për ta likuiduar bashkë me familjen, u vra një nënoficer bullgar dhe Ali Kovaçi nga Vërbani, Nezir Myftari nga Goshica dhe Mustafë Ramadani nga Smira.”



I biri i Zeqë Vërbanit, Xhaviti, duke u kujdesur për përmendoren e babait të vet.
----------
Mediat Televizive

----------

Hashim Shala - Gezim i madh sod në Vërban


----------

Demir Krasniqi:

"ZEQË VËRBANI" - rapsodi

N'dorë e mora çiftelinë,
Ta shpaloj pak historinë.
Ta këndoj nji trim shqiptar -
Zeqë Vërbanin, atdhetar!
Zeqë Vërbani, si kreshnik -
Ka nxanë Grykën n'Kaçanik,
Dërgut pashës i ka dalë n'pritë,
Nji ushtri e kanë koritë!
Po ban Pasha: "Mjeri unë,i mjeri,
Me këta trima nuk koka seri!"
Idriz Seferi e Zeqë Vërbani -
Qesi trimash i don vatani!...
Këta kreshnikë prej Karadaku -
S'po i trembë topi, s'po i trembë gjaku!...
Le e rritë mbi kreshta t'gurit -
Kokan loza e Bajram Currit!"
Zeqë Vërbani në rreth t'Vitisë -
Karrshillak po i banë Serbisë!
Nuk duron çetnikë, komitë,
N'dru , Stojanin, e ka llomitë!
Zeqë Vërbanin, atë zog shqiptari -
S'e trembë serbi,as bullgari!
S'e trembë Krajli i Serbisë,
Jo, as Cari i Rusisë!...
Po kjanë Krajli, n'Beligrat:
"Nji shqiptar, s'po m'le rehat!
N'telegram, po m'proteston -
Për AGRAR, po m'kundërshton!"...
Se n'Gjilan, Krajli ka ardhë -
Zeqë Vërbani, i del për ballë:
"Ty, bre, Krajl, po t'shoh budallë,
Këto zullume, pse s'po i ndalë!
Ti, more, Krajl, keq po gabon,
Qysh po bjenë n'Kosovë, kolonë!
N'vend me i hapë shkollat shqiptare -
Po zbaton REFORMË AGRARE!...
Tokat tona me TAPI -
Ja u jepë serbëve e Malit t'Zi!
Po i bjen serbë e malazezë -
Kjo REFORMË, të qoftë e zezë!"...
Kështu thotë faqja e historisë -
Kurrë zullumi s'iu nda Shqipnisë!
Nga pushtuesit, nga barbarët -
Kurrë ditë t'bardhë, nuk panë shqiptarët!
Erdhi këtu lloj-lloj barbari -
Iku turku,erdh bullgari,
Malazezi e serbijani,
Këmishazitë dhe italiani!...
Zeqë Vërbani, n'robni ish rritë,
Nëpër lufta, ishte kalitë!
Italianët dhe këmishazitë -
N'tokat tona, ia vrajshin sytë!
"Marrshall"-zeza, italiani,
Thot:"Kush asht, ai Zeqë Vërbani?
Këmishazitë,po m'i ngacmon,
Këtë regjim, s'po ma duron!"...
Zeqë Vërbani, ai burrë trim,
I del "Marrshallit" n'dyluftim!
N'dyluftim, iu shue jeta,
Veç për komb e troje t'veta!
Zeqë Vërbani, ai sokol mali,
Me armiqë, luftën s'e ndali,
S'e frikësoi Mbreti, as Krajli -
Për Kosovë, jetën e fali!
Zeqë Vërbani, çau stuhi -
Hapi shkolla e ndërroi kufi.
Luftë mbas lufte në Vërban -
Për Atdhe, u ba kurban!
Sa t'ketë trima, si Karadaku -
Kurrë pa tym nuk jet oxhaku!
Sa t'ketë trima, si Kaçaniku -
Kurrë n'Kosovë, s'mund t'shkelë armiku!
Sa t'ketë trima, si Stagova -
Kurrë pa Zot, nuk jet Kosova!
Sa t'ketë trima, si Zeqë Vërbani -
Kurrë pa Zot, nuk jet vatani!
...
Zeqë Berisha - Zeqë Vërbani,
Lumja nana, ty, që t'bani!
T'njeh Tirana, t'njeh Gjilani -
Lum, si Ty, që t'pat vatani!

Demir Krasniqi, u lind më 1950 në Tugjec të Malësisë së Gollakut (Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Shkollën e Mesme të Muzikës në Prishtinë dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë të Muzikës, por për shkaqe ekonomike nuk arriti që ta mbarojë. Ndërkohë u diplomua në dy degë të gazetarisë (Radio-gazetari dhe gazetari hulumtuese) në Universitetin e Gazetarisë Norvegjeze dhe në Universitetin e Gazetarisë Kanadeze.

Si arsimtar i kulturës muzikore, ka punuar në shumë shkolla fillore dhe të mesme, por është marrë edhe me gazetari në radio e televizion. Është i njohur dhe mjaft i popullarizuar, sidomos në Anamoravë si rapsod edhe interpret i muzikës popullore, krijues i këngëve në frymën e melosit tradicional popullor dhe kultivues i parodive, humorit dhe satirës popullore.

Është pjesëmarrës i dhjetra festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare, publikues i shumë disqeve të gramafonit dhe i mbi 70 albumeve të këngëve dhe muzikës popullore shqiptare. Demiri është autor i mbi dy mijë këngëve dhe valleve origjinale dhe mbledhës i mbi 4000 këngëve të ndryshme popullore. Deri më tash i ka botuar këto vepra:

"Mallëngjime dhe oshtima", Prishtinë, 1993;
"Qamili i Vogël - zë që nuk shuhet", Prishtinë, 1995;
"Gjakon Kosova", Gjilan, 1998;
"Këngë krismash lirie", Gjilan, 2000;
"Bejtë Pireva", Gjilan, 2002;
"Zeqir Maroca", Gjilan, 2002;
"Këngë krismash lirie", II, Gjilan, 2003;
"Familja Kurti nga Tugjeci", Gjilan, 2003.
Në dorëshkrim i ka të gatshme edhe shumë vepra të tjera që presin botimin.

Demir Krasniqi jeton dhe vepron në Gjilan.

No comments: