TUBIM KULTURO-ARTISTIK NË LONDËR ME RASTIN E DITËS SË MËSUESIT 7 MARSI DHE DITËS SË GRUAS 8 MARSI
(Me ç’rast u promovua libri “Emra që nuk harrohen – Arsimtarë shqiptarë në diasporë”, IV)
Në shkollën “Haverstock School”, në Chalk Farm, për nder të 7 Marsit - Ditës së Mësuesit dhe 8 Marsit - Ditës së Gruas, Bashkësia Shqiptare "Faik Konica" në Londër, organizoi një tubim kulturo-artistik.
Salla e madhe, e stolisur me flamuj kombëtar dhe shtetëror, ishte një vend i mirë dhe ishte e mbushur përplot bashkatdhetarë nga të gjitha trojet shqiptare. Në mesin e tyre kishte fëmijë, prindë, të rinjë, të moshuar, mësues, pensioner etj.
Nga radhët e mysafirëve në rendin e parë ishin të ulur: z.Myzafer Alushi, këshilltari i parë i Ambasadës shqiptare në Londër, z.Tahir Berisha veteran i arsimit, z.Talat Pllana, kryetar i Bashkësisë shqiptare "Faik Konica" në Britani të Madhe, z.Sherif Bllaca, kryetar i Shoqatës "Peja", z.Maliq Vllasaliu, kryetar dhe Bektesh Bekteshi, aktivist në Shoqatën "Sylejman Vokshi" në Harrow, Londër. Pastaj mësuesit Sami Islami dhe Selman Lokaj etj.
Në fillim u intonua hymni kombëtar në interpretim të Shqipe Ratkocerit i përcjellur me piano nga Dardan Uka. Më pastaj fjalën e rastit e mbajti z.Talat Pllana i cili foli për rolin dhe rëndësinë e Ditës së Mësuesit, si dhe Ditës së Gruas, meqenëse këto dy festa u mbajtën me 8 Mars, pra në Ditën e Gruas. Ai pastaj të pranishmëve në sallë dhe shqiptarëve kudo që janë, ua uroj PAVARËSINË e KOSOVËS.
Në vazhdim fjala iu dha z.Myzafer Alushit, nga Ambasada e Shqipërisë i cili të pranishmit i përshëndeti me këto fjalë:
"Të nderuar bashkatdhetarë, ju nga Kosova, nga Shqipëria dhe nga të gjitha trojet shqiptare, në emër të Ambasadës Shqiptare në Britani të Madhe, ju uroj Pavarësinë e Kosovës, si dhe Ditën e Mësuesit dhe atë të Gruas. Sot jemi të bashkuar dhe më të afërt se kurrë më parë. Sot lindi edhe shteti më i ri në botë, Republika e Kosovës. Sot jemi më krenarë se kurrë, se jemi shqiptarë. Prandaj gëzuar dhe urime Pavarësia". Duartrokitjet ishin të pafund.
Në vazhdim, moderatorja Arta Tivari, kishte nderin që para publikut ta ftoj z.Tahir Berisha, veteranin e arsimit nga Kosova, për të përshëndetur publikun në sallë dhe njëkohësisht për t’a kryesuar promovimin e librit "EMRA QË NUK HARROHEN – ARSIMTARË SHQIPTARË NË DIASPORË" IV, të autorëve Tahir Z.Berisha, Hamza Halabaku dhe Çerkin Bytyçi. Ky libër ishte dhurata më e mirë për mësuesit në ditën e festës së tyre.
Promovimin e këtij libri, kushtuar mësuesve shqiptarë në diasporë, e filloi i pari z.Sami Islami, mësues me përvojë të pasur në edukimin e fëmijëve tanë këtu në Angli, i cili tha:
“…Veterani, mësuesi, pedagogu, inspektori i arsimit, z.Tahir Berisha, gjatë jetës së tij si arsimtar, krahas punës së tij të palodhshme në procesin edukativo-arsimor, u angazhua për të hedhur dritë mbi ata që kishin bërë shumë për gjenerata e gjenerata, pra pishtarët e arsimit, duke i gjurmuar nga të gjitha anët, në Kosovë dhe në Diasporë. Tahir Z.Berisha më parë botoi tre vëllime të Monografisë “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951), mandej "Trojet që nuk shuhen", "Rrëfime në veten e parë", si dhe ditarin "Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova, etj”.
Në vazhdim Sami Islami foli për rolin dhe rëndësinë e veprës e cila po promovohej, duke e quajtur atë si një vepër e cila duhet të futet në histori sepse në vehte mbanë jetën, veprimtarinë dhe punën që e kanë bërë dhe po e bëjnë mësuesit shqiptarë në diasporë.
Pas mësuesit Sami, fjalën e mori mësuesi Selman Lokaj i cili me pak fjalë e dha një vështrim rreth librit të cilin gjatë fjalës së tij, e mbante në dorë. Ai e vlerësoi si një libër të shkëlqyer, libër të punuar me punën e palodhur të z.Berishës dhe të kolegëve të tij, Hamza Halabaku dhe Çerkin Bytyçi. Ai tha: “Unë kam një porosi për mësuesit, nxënësit, prindërit dhe secilin këtu në sallë, si dhe kudo që janë shqiptarët - Mos të lejojmë të na humbet kombi, kultura, gjuha dhe tradita jonë shqiptare; Mos ta lejojmë një gjë të tillë për hir të Shqipërisë dhe të Kosovës, për hir të të parëve tanë që ju përballuan shtypjeve të pandërprera shekuj me radhë nga sllavët, turqit etj.”
Në fund, Tahir Z.Berisha u dhuroj nga një ekzemplar të librit përfaqësuesit të Ambasadës, disa mysafirëve dhe mësuesve të pranishëm të përfshirë në libër.
Pastaj programi vazhdoi me recitime të nxënësve të shkollave të ndryshme, me sfilatë fëmijësh, lojë me piano, valle nga trojet shqiptare, me recitime vargjesh për mësuesin dhe Pavarësinë e Kosovës, vargje humoristike, lojra, vallëzime moderne nga fëmijë të moshave të ndryshme. Ishte një program i pëlqyer nga të gjithë. Kjo ishte një ditë e madhe për secilin, ditë kjo që në fytyrat dhe zemrat e secilit la një përshtypje sikur gjendeshim mu në mes të Republikës së Kosovës duke i kënduar Kosovës, Mësuesit, Gruas dhe të gjithë Shqiptarëve kudo që janë.
Shkroi: Selman Lokaj, Londër, 8 Mars 2008
--------------------
FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga evenimenti.
Për të parë albumin, ju duhet
FLASH PLAYER
No comments:
Post a Comment