Prezentim i Veprave, Stamboll 1999


Panoramë e Stambollit

Prezentim i veprave të Tahir Z.Berishës në Stamboll të Turqisë, më 28.05.1999.

Ishte caktuar me kohë data e mbajtjes së prezentimit të veprave të mia në kampin e refugjatëve në Kirklareli. Ardhjen në këtë prezentim e kishin paralajmëruar edhe një grup ish veteranësh të arsimit shqip nga Stambolli. Mirëpo, në momentin e fundit valiu i kampit (z.Camer Yulduz) ishte friguar dhe nuk lejoi që në kamp të prezentohen librat shqip, përmbajtjen e të cilave nuk e dinte.

Ndërkohë, Enver Tali, përgjegjës i Zyrës së Republikës së Kosovës në Stamboll, më njoftoi me telefon se ishte marrë vesh me Shoqatën Turko-Shqiptare të prizrenasve që ky prezentim të organizohet në Stamboll. Prandaj mora leje njëjavore nga drejtoria e kampit gjoja për të vizituar disa të afërm në Stamboll.

Prezentimi i veprave u bë me 28 maj 1999, në lokalet e Shoqatës Turko-Shqiptare të prizrenasve në Stamboll, ku përveç Enver Talit me personelin e Zyrës së Republikës së Kosovës, mori pjesë një numër i konsiderueshëm mysafirësh në mesin e të cilëve edhe dr.Rexhep Boja, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës. Tubimin e hapi nënkryetari i kësaj shoqate, z.Rafet Kavjardi, kurse fjalën e hyrjes e mbajti vetë z.E.Tali, i cili kishte pasur rast që më heret të njihej me përmbajtjen e veprave dhe me punën time në përgjithësi, pasi që e kisha bashkëvendas-gjilanas.

Në diskutimin e gjerë morën pjesë: Fahri Turkkan, kryetar i Shoqatës Turko-Shqiptare në Stamboll, Nijazi Straja-Saraçoglu, veteran i arsimit shqip dhe ish i burgosur politik nga Prishtina, i cili që nga vitet e '50-ta jeton si emigrant në Turqi (Ky nuk mundi ta përfundojë diskutimin e vet të gjatë nga lotët e mallëngjimit), Kamil Bitis (Qamil Bytyçi), përkthyes, Melihate Jaka, refugjate kosovare, Laurant Bica, profesor universiteti nga Korça (i cili e çmoi lart punën e autorit, sepse për të mbledhur të dhëna për mbi 2000 portrete e biografi veteranësh të arsimit, siç tha, duhet të ketë punuar një ekip i tërë ekspertësh). Diskutoi edhe Ahmet Namani, refugjat, kurse me pyetje u paraqit zonja Alie Myderizi-Pektok, po ashtu veterane e arsimit nga Prishtina, e tash disa vjet emigrante në Turqi.

Në përmbyllje të prezentimit kryesuesi R.Kavjardi theksoi se ky është rasti i parë në Turqi që të organizohet prezentimi i veprave të një autori shqiptar kosovar. Ai shprehu dëshirën që prezentime të këtilla të organizohen edhe në të ardhmen, ndërsa autorit i dëshiroi shëndet të mirë dhe suksese në punën e tij krijuese.

Në fund edhe autori i falënderoi organizatorët e prezentimit dhe ua dhuroi nga një ekzemplar të librave: "Trojet që nuk shuhen" dhe "Rrëfime në veten e parë". U shkëmbyen shumë mendime edhe gjatë koktelit që shtroi organizatori i prezentimit.

Në pamundësi që të merrte pjesë në këtë prezentim, një vështrim me shkrim e kishte dërguar edhe zonja Kadrie Beqiri-Berisha, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën shqipe kosovare "Paqja" në kampin e Kirklarelit të Turqisë, të cilin po e japim në tërësi:
- - - - - - - - - - -
Nga veprat e Tahir Berishës mësova shumë gjëra të reja

Me autorin, Tahir Z.Berishën, u njoha për herë të parë në fillim të muajit maj të këtij viti në kampin e refugjatëve "Gazi Osman Pasha" në Kirklareli të Turqisë. Kjo ndodhi rastësisht, kur profesori mori pjesë në një mbledhje të këshillit të arsimtarëve të shkollës sonë. Me qenë se kjo shkollë për fëmijët e refugjatëve ishte hapur në shpejtësi, na lindën shumë vështirësi dhe pengesa të ndryshme objektive e subjektive, që, në shikim të parë, dukeshin si të papërballueshme. Megjithatë, puna vazhdon me rreth një mijë nxënës, ku mësimin në gjuhën shqipe po e zhvillojnë 54 arsimtarë.

Në këtë mbledhje fjalën e mori edhe mysafiri ynë, i cili duke evokuar disa kujtime nga përvoja e tij e pasur shumëvjeçare si pishtar i arsimit, na dha një frymëmarrje lehtësuese dhe na e shtoi vullnetin për ta vazhduar punën e mëtejshme. - Ju jeni duke bërë një punë shumë të madhe e të vlefshme, peshën e së cilës do ta kuptoni më vonë - na tha ai duke vlerësuar shumë lartë misionin tonë.

Për meritat dhe kontributin e këtij autori, mësova më vonë kur fillova t'i përpunoj veprat e tij me nxënës, në mungesë të teksteve dhe literaturës tjetër në gjuhën shqipe. Prej veprave të tij, mësova shumë gjëra të reja. Më pëlqeu, sidomos vepra e tij më e re "Rrëfime në vetën e parë", e botuar në vitin 1998. Edhepse "në vetën e parë", në këtë libër si edhe në tri veprat e tjera, autori më pak flet për vete, e shumë më tepër për të tjerët, për kolegët e vet veteranët e arsimit. Ndërkaq, të tjerët kolegët, gazetarët e dashamirët e librit shqip dhe të kulturës kombëtare, flasin shumë më tepër për te dhe veprat e tij. Unë nuk kam pasur rast që përpara t'i lexoj këto vepra dhe të marrë pjesë në promovimin e tyre, por duke lexuar me plot andje veprën e fundit, më dukej se edhe vetë, e futur thellë dhe e strukur pranë miqëve e kolegëve, isha pjesëmarrëse aktive në të gjitha këto ngjarje.

Prandaj, autorit i uroi shëndet të mirë dhe sukses në punën e tij të palodhshme në përfundimin edhe të vëllimit III të librit "Emra që nuk harrohen".

Kadrije Beqiri-Berisha

- - - - - - - - - - -
FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER


- - - - - - - - - - -

PAMJE FILMIKE NGA PREZENTIMI - PJESA 1


PAMJE FILMIKE NGA PREZENTIMI - PJESA 2

2 comments:

Unknown said...

i dashur Tahir
vertet u habita qe gjeta pas 9 vjetesh pamjet dhe fjalet e takimit ne Stamboll ne qendren e Prizrenasve. Ishin caste te paharruara dhe te paperseritshme ato qe perjetuam se bashku ne perurimin e librave tuaj per arsimtaret shqiptare. Takimi qe nje sfide e vertete ndaj mizorise serbe e cila deboi nje popull te tere. pikerisht ju dhe shqiptaret e Stambollit te cilet ju mirpriten
diten t 'ju largojne dhimbjen e atyre diteve te holokaustit shqiptar te Kosoves duke ju nderuar dhe ndare gezimin e daljes se kolanes se librave tuaj ne drite. Edhe njehere mirnjohjen e zemres qe na rikthyet vecmas me fotot ne faqen tuaj ne internet brenda emocioneve te atyre diteve.
suksese te metejshme
miqesisht
dr.Laurant Bica
Universiteti Kristal dhe Marin Barleti, Tirane

Gazi said...

I nderuari z.Laurant Bica,

Edhe mua me keni befasuar kendshem qe m'i perkujtuat vertet "castet e paharruara dhe te paperseritshme" ne nje kohe te turbullt si refugjat i perndjekur nga regjimi shovenist e gjenocidial i Millosheviqit. Sepse vija nga kampi i refugjateve "Gazi Osman Pasha" ne Kirklareli te Turqise, me shpresa te thyera dhe perspektive te mjegulluar dhe hasa ne nje mikepritje te sinqerte e te perzemert qe me dha force dhe shprese qe t'i perballoj te gjitha veshtiresite e mergimit. Sidomos diskutimi Juaj i zjarrte dhe emocional ma shtoi vullnetin qe ta vazhdoj edhe ma me hov punen e filluar rreth ndricimit te ceshtjeve te arsimit dhe te perjetesimit te pishtareve te arsimit shqip qe i hapen shkollat e para ne trojet shqiptare jashte kufijve te shtetit ame, duke i zhvilluar ndjenjat kombetare tek popullsia e ketyre viseve. Pas atij takimi e deri me sot i botova edhe kater vepra te reja: "Shenime dhe ecejake te nje refugjati nga Kosova", "Emra qe nuk harrohen - Arsimtaret veterane (1941 - 1951)" Vellimi III; "Ne fokus te ngjarjeve" dhe "Emra qe nuk harrohen..." Vellimi IV.

Komenti i juaj me nxiti qe edhe njehere ta perkujtoj kete takim te paharrueshem ne kohen me te veshtire per shqiptaret e Kosoves, jo vetem duke i shikuar fotot, por edhe pamjet e ruajtura filmike qe ndoshta edhe do t'i publikojme edhe.

Edhe njehere, Ju falenderoj per kujdesin dhe konsideraten Tuaj, duke Ju deshiruar shendet dhe gjithe te mirat.

Me respekt,

Tahir Z.Berisha