MANIFESTIM MADHËSHTOR NË LONDËR NË MBËSHTETJE TË PAVARËSISË SË KOSOVËS
Me inisiativën e z.Lutfi Vatës, kryetar i Shoqatës “Ardhmëria” dhe në marrëveshje me shoqatat dhe subjektet tjera, më 9.12.2007 në Londër, para selisë së qeverisë britanike (Downing Street), u mbajt një manifestim madhështor, në mbështetje të Pavarësisë së Kosovës dhe në shenjë falënderimi për qëndrimin e Qeverisë britanike ndaj çështjes së Kosovës, në të cilin morën pjesë disa qindra shqiptarë që jetojnë në Londër. Sipas pohimit të shumë pjesëmarrësve, ky ishte manifestimi më i organizuar i shqiptarëve në Britani të Madhe që prej kohës së luftës së fundit në Kosovë. Në fillim, Qeverisë britanike (kryeministrit Gordon Brown) iu dorëzua një peticion i nënshkruar nga përfaqësuesit e organizatave dhe individëve që përfaqësojnë komunitetin shqiptar në Britani të Madhe.
Në këtë manifestim, folën z.Lutfi Vata, MP John Grogan, deputet i Parlamentit Britanik, Agron Loxha, ish përgjegjës shumëvjeçar i Zyrës së Kosovës në Angli, Ruzhdi Jata, drejtor i Shoqatës “Dituria”, Petrit Kuçana, drejtor i Shoqatës “Edith Durham”, Tahir Z.Berisha, veteran i arsimit dhe publicist, Emanuel Bajra, gazetar dhe aktivist etj.
Gjatë tërë kohës së këtij manifestimi paqësor, pjesëmarrësit me veshje kombëtare e flamuj kuq e zi në dorë, hidhnin parulla për zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës, duke përshëndetur Britanine e Madhe dhe SHBA për mbështjetjen dhe përpjekjet e tyre për finalizimin e Pavarësisë së Kosovës.
Manifestimin e organizuan:
Shoqata “Ardhmëria”, Shoqata “Edith Durham”, “British Culture of Britain”, Shoqata “Dituria”, Centre for Albanian Studies, Albanian Association for Mental Health, “Skenderbeu”, LSE Albanian Society, “Sfida”, “Albanur”, “UK Albanians”, “Tifozat Kuq e Zi”, “London Mjaft Club” etj.
Peticionin e dorëzuan:
Lutfi Vata, Petrit Kuçana, Klement Banushi (avokat), Valbona Luta (gazetare), Flora Krasniqi dhe Rexhep Bajraktari.
FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga protesta.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER
No comments:
Post a Comment