Ruzhdi Jata: "Kur Google Emrin Tahir Berisha"



[Ruzhdi Jata, Albanian Mail, 20 Shkurt 2009]

Kur ben Google emrin Tahir Berisha...

Tahir Berisha është një histori e gjallë, që u flet e do t'u flasë në shekuj brezave për shqiptarinë. Histori e luftës, e punës dhe e jetës me përkushtim për çështjen e madhe kombëtare. Ky veteran është padyshim krenaria e intelektualizmit shqiptar Brenda dhe jashtë Kosovës e Shqipërisë me dhjetra botimet për historinë e arsimit shqiptar, kulturën dhe traditat tona duke qenë vetë autor dhe aktor i saj për më shumë se 5 dekada

Jeta dhe puna e tij tanimë janë jo vetëm në libra, në muzeume, në bloge, në filma, por i kapërcejnë kufijtë hapësinorë. Mbi të gjitha ato janë në zemrat e mijëra shqiptarëve në të katër anët e Globit. Nuk e teproj këtë pasi vetëm Google Emrin Tahir Z.Berisha dhe ke për t'u lumturuar nga Madhështia e Tij. Dhe në mes është thjeshtësia e njeriut, zemra e tij e bardhë si bora e bjeshkëve të Sharrit. Tani ka filluar të ecë më ngadalë, herë-herë mban shkop dhe barsolinë në kokë, por zemra e tij nuk njeh mplakje e moshë kurrë. Është, pra, ai Njeriu i Mirë, ai zemërgjeri Tahir Berisha që vërtetë prapa i vjen historia.

Unë, e ndjej veten paksa fajtor, që kam shkruar pak për Mjeshtrin Njeri, kur kam patur mundësi të shkruaj edhe më parë. Nderim për kolegët e mi që kanë shkruar më shumë për Berishën. Nderim për bashkëpunëtorët e panumërt të Tij.

E kam njohur nga afër Tahirin personalisht këtu në Londër, por emrin ia kisha dëgjuar më parë.

Njohja fizike me veteranin e arsimit

Ishte momenti ku po diskutonim për të rritur tirazhin e gazetës "Koha Shqiptare" që Shoqata "Dituria" e botonte në Hounslow, ku Tahiri ishte një bashkëpunëtor dhe lexues i gazetës. Unë njihja mirë shumë shokë, por Tahirin jo dhe aq. Me demek unë kisha bërë diçka, e quaja veten kryeredaktor, njihja Fatmir Terziun, Mëhill Tanushin, Mark Hasen, Sami Milloshin, Petrit Kuçanën e disa të tjerë. Po ky kush është? – pyes një ditë në një aktivitet Talat Pllanën. Është veterani i arsimit të Kosovës, më thotë ai me krenari. Është aktivist i shquar. Fërkova duart sikur të kisha zbuluar një thesar. Ky më duhet, thashë me vete. Por ajo që më gëzoi më shumë ishte përshëndetja dhe fjala e ngrohtë e Tahirit për punën me gazetën dhe me shoqatën. Ju lumtë! Dhe nisi të më fliste per shumë gazetarë të tjerë. Mendova: në se duhet t'i rrisim autoritetin gazetës, atë duhet ta kemi kryeredaktor nderi, u thashë shokëve dhe për kënaqësinë time ata të gjithë e aprovuan. Dhe unë nuk kisha gabuar në propozimin tim. Ai jo vetëm që është kryeredaktor nderi i shtypit shqiptar në UK, por edhe një ambasador i vërtetë i shqiptarizmës. Unë e nderoj dhe e respektoj atë deri në madhështi për hovin e tij djaloshar që më jep frymëzim për të punuar në rrugën e tij të ndritur.

Kanë kaluar vetëm pak vite nga njohja dhe tani për pjesëtarët e tjerë të familjes sime, veçanërisht për Gretën, që ka botuar tre libra në Anglisht, Tahiri është bërë tepër i respektuar. Ashtu si dhe për shumë shokë e miq të mi. Greta po i lexon me kujdes librat e tij dhe, ndoshta, në një të afërme jo të largët edhe ajo do të shkruaj diçka për të, ashtu siç Tahiri ka shkruar për babain e Gretës.

Tahir Berisha – një patriot i flakët. Një enciklopedi e vërtetë. Sa më shumë zhytesh në veprën e tij – Berisha, aq më shumë ndien se ke të bësh me një njeri që kurrë nuk ka pushuar së punuari për Atdheun, për Kosovën, për vendlindjen, pesha e së cilës e ka ndjekur atë hap pas hapi edhe këtu në Britani, por edhe vende të tjera të Botës. Kur e takoj ai më shfaqet si një djalosh edhe pse i ka kapërcyer të 80-tat. Atë do ta gjeni kudo ku ka veprimtari të përbashkëta jo vetëm në Londër, në Manchester, Birmingham etj.

Tahir Berisha më kujton ato dhjetëra e dhjetëra veteranë të Luftës Nacional Çlirimtare që unë i kam intervistuar e botuar në vëllimin "Yje të Pashuar" dhe ndihem krenar që Tahiri jeton në Londër. Si publicist dhe gazetar jam gjithashtu krenar që bashkëpunoj me të. Pasioni me të cilin vazhdon të punojë edhe sot Tahiri, është frymëzues për gjeneratat e ardhshme.

Dy episode

Por le të ndalem në dy-tre episode që dua t'i ndriçoj më tepër. Nuk e kam qëllimin për të bërë hulumtim në veprën e Tij, por vetëm për të skicuar për gjërë portretin dhe karakterin e Bacë Tahirit. Edhe pse ndonjë herë i pamundshëm, se mosha e bën të sajën, për aktivitetet ai vjen i pari, si djalë i ri. Edhe pse i themi s'ka problem, ai thotë: Jo, jo, o tani o kurrë, Kosova na do në këmbë, Shqipëria na do të bashkuar. Ai i drejtohet brezit të ri me fjalët që i burojnë nga shpirti: punoni e kurrë mos ndjeni lodhje, mësojeni e mos e harroni gjuhën shqipe, kurre mos u asimiloni. Të jeni krenarë pse jeni shqiptarë. Ndërsa, ne bashkëmoshatarëve dhe aktivistëve na thotë: "Ju po bëni një punë të mrekullueshme, zoti do t'ju ndihmoj". Të ndihmoftë e të bekoftë zoti, o Tahir Berisha, për ty kjo lutje në emrin tim e të shokëve që të duan dhe të respektojnë.

Kurrë nuk mund të shkruhen të gjitha në një portret për Tahir Berishën. Por një penë e fortë si ajo e Terziut i ngjizi shumë në film te Kredoja "Trokamat në jetën e një pene", tashmë në shqip dhe në gjuhën angleze, i transmetuar nga disa stacione televizive dhe gati të transmetohet edhe në disa të tjerë së afërmi.

Forcën ai e gjen te atdhedashuria, te respekti, te bashkimi, te mirëkuptimi. Janë këto cilësitë dhe virtytet më të spikatura të personalitetit të tij që kanë marrë jetë edhe në veprat që ka shkruar. Ne blogun e tij e shikon Berishën në intervista, te takime me gazetarë e shkrimtarë, në aktivitete e në promovime, e shikon atë me ambasadorë, me politikanë të vendit e të huaj. Ai e ka vendin kudo se është një enciklopedist i vërtetë. Ka shumë njerëz që janë të përkushtuar për cështjen kombëtare, ka shumë njerëz që janë shkrimtarë dhe artistë me famë, por njeriu që i mishëron këto në jetë është ai, që e vuri jetën në shërbim të njerëzve të thjeshtë, Tahir Z.Berisha.

[kliko per te zmadhuar]

No comments: