Qendrimi i Isa Boletinit ne Londer

[Marrë nga libri Tahir Z.Berisha: "Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova", Londër 2001, fq.56]

Isa Boletini
Isa Boletini (1864-1916)
Njëri nga anëtarët më markant të delegacionit shqiptar në këtë konferencë (Konferenca e Londrës), pa dyshim, ka qenë Isa Boletini. I pashëm, me allti në brez, veshje kombëtare, xhamadan e plis të bardhë në krye. Shtypi londinez i kohës, Isanë e kishte cilësuar si Robin Hudin shqiptar, duke i kushtuar mjaft komente. Madje, edhe vetë Lordi Grej e kishte pritur në një takim të veçantë. Duke dashur që disi ta disponojë, Lordi Grej i kishte thënë se do të ndërhynte personalisht, që vendlindja e tij (Boletini e Mitrovica) të përfshihej brenda kufijve të Shqipërisë. Ai, si zakonisht serioz dhe me pamje të rëndë, ministrit i kishte deklaruar se këtu kishte ardhur për gjithë Shqipërinë, e jo për qytetin e vet.

Ardhjen dhe qëndrimin e Isa Boletinit në Londër si dhe takimin e tij me Lordin Grej, e ka shënuar e përjetësuar në mënyrën e vet edhe këngëtari popullor:

N'Ministri të Londrës shkuan e thanë:
Isa Boletini vetë ka ardhë
Mban allti dhe kësulë të bardhë.
- Do ta presë si asht zakoni
Veç kujdes, ta kontrolloni!
Ju gjeneralë vetë ta shoqëroni!
Vjen Isai me kryet naltë
Palët e xhamadanit i rrinë haptë
Si shqiponja o me dy krahë.
- Më kanë thënë se je trim mali
Askërkush armet nuk t'i ndali
Veç n'Evropë unë do t'jem i pari!
- Nuk kam ardhë këtu, mor' zotni
N'Pallatë të Londrës m'u vra me ty,
Veç me të thanë se ka Shypni!
Se unë rregullat i zbatova,
Njanën allti n'derë e dorëzova,
Por këtë tjetrën prej brezit s'e nxorra.
N'mos besofsh, po ta kallxoj
Të dhetë plumbat i mban në gojë
Ismail Qemali mu' ma dhuroi.
Lordi plak mbeti pa mend
Asnji fjalë nuk foli, po i ban me shej:
- Ulu, mor' shqiptar, e të bajmë kuvend!
- Unë kalova detin këtu me ardh
Më ka çue populli shqiptar
E krajlive me jau thanë dy fjalë:
Kush ka thanë se s'ka Shypni,
Nuk ndigjon me vesh, e s'sheh me sy
Ka koritë, more, veten e tij!
Se Shypnia asht bash ai vend
Ku ka le ai Skenderbe
Që Portës së Lartë i pat vu' fre.
Detin, ndoshta, mund ta thani,
Mund të shterret edhe oqeani
Por, Shypninë ju të pa kanë s'e bani!

Përveç Hotelit York, gjatë qëndrimit në Londër, Isa Boletini një kohë kishte banuar edhe në rrugën 28 Bruton Street W1, afër Bond Street, si duket në shtëpinë e Aubrey Herbertit, ku ishte takuar e konsultuar me të dhe me mis Edith Durham e shumë miq të tjerë anglezë të shqiptarëve të asaj kohe. Kjo ndërtesë tani ishte shndërruar në galeri pikturash. Është mirë që të propozohet vendosja e një pllake përkujtimore në te ku të shënohet kjo ngjarje që lidhet me emrin e Isa Boletinit.




Ndërtesa në të cilën banoi përkohësisht Isa Boletini
- - - - - - - - - -

ESAT RUKA - Këngë për Isa Boletinin

No comments: