Sami Islami: "Veteran i palodhshem i arsimit shqip"

[Marre nga fjalaelire.com, gazeta "Albanian Mail" dhe "The Albanian", tetor dhe nentor 2009]

Sami Islami
VETERAN I PALODHSHËM I ARSIMIT SHQIP
(Kushtuar Tahir Z. Berishës me rastin e 81-vjetorit të lindjes)

Njëri prej shumë patriotëve kosovarë, që tërë jetën ia fali arsimit, kulturës dhe krijimtarisë është padyshim Tahir Berisha. E themi këtë pasi që ai, që në moshë të re, pa i mbushur ende 18 vjet e nisi këtë rrugë, jo me imponim, por me një dëshirë të zjarrtë. Kjo ndoshta sepse në atë kohë dëshira e tij për mesues ishte jashtëzakonisht e madhe, sikur që ishte edhe nevoja e përgjithshme e kombit. Si i tillë ai e nisi rrugëtimin e tij si mësues në fshatrat shqiptare të Vitisë, Gjilanit dhe të Anamoravës në përgjithësi, për të vazhduar më pastaj edhe në Gjilan, Prishtinë e gjetiu. Si bir i patriotit Zeqë Verbanit, i cili tërë jetën e vet kishte luftuar kundër pushtuesit serb, edhe Tahiri e kishte ndjekur rrugën e të atit duke e bartur mbi supet e tij djaloshare peshën e rëndë të popullit të vet. I ushqyer me këtë partriotizëm Tahir Berisha iu rrek edhe me më shumë dashuri profesionit fisnik, atij të mësuesit, duke arritur deri tek pozicioni i inspektorit të arsimit, në ç’post edhe u pensionua. Dhe derisa Tahir Berisha ishte me ditar në dorë, për punën e tij të pakompromis, inspektori i atëhershëm i arsimit Mehmet Gjevori e quajti me të drejtë „Mësues i popullit“.

Baca Tahir, siç e quajnë të tjerët për respekt, pas pensionimit, në një moshë mjaft të shtyer, i provoi për herë të dytë traumat e luftës. Herën e parë Luftën e Dytë Botërore, në kohën kur edhe i vritet babai nga Serbia. Dhe tani, në fund të shekullit XX, në moshë bukur të shtyer, atij iu desht të largohet nga trualli i vet shqiptar, duke u vendosur një herë në Turqi, e pastaj në Glasgou të Skocisë, për t’u vendosur definitivisht në Londër. Edhe pse i ra „hise“ të bëhet mërgimtar në këtë moshë, ai ishte dhe mbetet vazhdimisht shumë i lidhur për Kosovën.

Baca Tahir shkon shpesh atje (së paku për çdo verë). Edhe kësaj vere veterani i arsimit shkoi në Kosovë, por kësaj here kjo vizitë kishte një rëndësi të veçantë për arsye se u ftua dhe mori pjesë në një përvjetor që ishte organizuar në shkollën e parë shqipe të hapur nga vetë z.Tahir Berisha në vitin shkollor 1945/46. Ishte një emocion i papërshkruar, siç më tregon baca Tahir, nga se në këtë përvjetor po merrte pjesë si mesues i parë i asaj shkolle, e cila kishte filluar punën aty 63 vjet më parë! Në kohën kur Tahir Berisha e filloi punën në Zarbicë ishte më shumë i ri. Zarbicën e kishte vizituar për herë të dytë pas plot 47 vjetësh (me 2 korrik 1993) kur ishte djegur shkolla në të cilën kishte punuar vetë z. Berisha (hera e tretë ishte kësaj vere, pra më 26 korrik 2009). Në atë kohë Baca Tahir angazhohet për ta ndihmuar rindërtimin e shkollës duke e dhënë vetë një pension të plotë për rindërtimin e saj. Në këtë kohë ai e formoi një këshill për grumbullimin e ndihmave, në të cilin këshill, përveç autorit, si kryetar që ishte, ishin edhe prof. Tefik Geci, Hysen Kadriu, Veli Veliu, Ramiz Fazliu, Tefik Qarri, Shaban Xheladini dhe dr. Dali Emerllahu, të cilët më 2 korrik e vizituan Zarbicën dhe dhanë një kontribut modest për shkollën në fjalë.

Takimet në Zarbicë, më vonë, u bënë tradicionale edhe për tërë Malësinë e Bujanocit. Vlen të theksohet se kësaj radhe aty kishin ardhur më shumë njerëz, ish nxënës të z. Berisha, që të gjithë tani në moshë bukur të thyer, gati të një moshe sa edhe vete z. Tahir.

Në këtë manifestim folën shumë pjesëmarrës, ndër të cilët edhe publicisti dhe iniciatori i këtyre manifestimeve Refik Hasani, i cili tani jeton dhe punon në Gjilan. Ai foli për kontributin e madh të z. Berisha dhënë për arsimimin e gjeneratave të reja, poashtu kontributin për rindërtimin e shkollës etj. Kurse në fjalën e tij të rastit edhe baca Tahir nuk la pa i falenderuar për ftesën dhe pritjen nga Zarbicasit. Ai nuk harroi t’i përmendi edhe disa nga njerëzit, mësues, kolegë etj., kur kishte nisur punën në këtë fshat, si: xha Kamber Latën, Dynah Hajrën, Halil Islamin (atëherë ishte kryetar i këshillit të vendit),mulla Ajet Shaqirin me vëllain Xhelalin, mulla Velijën, shitës i Kooperativës bujqësore, mulla Shabanin, korrier i shkollës, xha Mahmutin e kolegun i tij Hajrizin, korier të këshillit komunal, e shumë të tjerë.

Me këtë rast z.Tahir Berisha u nderua me një mirënjohje nga Refik Hasani në emër të Lëvizjes për kthim dhe integrim „Guri i zi“. Në manifestimin e organizuar folën edhe: Selami Bajrami, kryetar i Bashkësisë Lokale të Zarbicës ( ende jeton në fshatin Suharrën, në mahallën Tahiraj); Prof.Rexhep Abazi, kryetar i Lëvizjes Demokratike për Integrim me seli në Medvegjë dhe Këshilltar Komunal në K.K. të Medvegjës, Eshref Shabani, nip i dëshmorit të kombit Sylë Zarbica; Sevdail Hyseni, ish-kryetar i Ansamblesë Komunale të Bujanocit, momentalisht drejtor i Radio Televizionit "Bujanoci", imami i Xhamisë në Zarbicë, Mefail Ramadani nga Novosella etj.

81-vjetori i lindjes së bacës Tahir mund të kompletohet edhe me punën e tij të madhe edhe si publicist, kronikan e shkrimtar. Si intelektual i madh që ishte , përveç punës arsimore, ai iu rrek me përkushtim të madh të shkruante vepra. Me punë vetmohuese ai mblodhi emrat e pothuaj të gjithë mësuesve, arsimtarëve dhe punëtorëve të tjerë të arsimit, të cilët kishin punuar në arsim që para Luftës së Dytë Botërore dhe në vazhdimësi deri në ditët sotme.

Ai këto biografi i botoi në veprat me titull „Emra që nuk harrohen“ vëlllimi 1, 2, 3, 4 Pastaj botoi veprën tjetër “Trojet që nuk shuhen” promovuar në tre vende: në Zarbicë, Prishtinë dhe Vërban në vitin 1993. Më vitin 1997 promovon veprën kushtuar babait të tij Zeqë Vërbanit me titull „Zeqë Vërbani dhe koha e tij“ të autorit Mujë Berisha. Në vitin 1998 në Elbasan dhe Prishtinë promovon veprën „Rrëfime në veten e parë“ etj. Fundi i mijëvjeçarit që shkoi për shqiptarët e Kosovës shenoi një gjenocid të paparë, bërë nga Serbia. Ajo deshi definitivisht t’i „heqte qafe“ shqiptarët. Dhe mori aksionin famëkeq të pastrimit etnik, duke i dëbuar shqiptarët jashtë Kosovës. Siç dihet dhjetra mijëra shqiptarë u vranë dhe mbi 1 milion shqiptarë u përzunë nga trojet e veta. Dhe në vargun e pafund të refugjatëve kosovarë, ishte edhe veterani i arsimit, tani në pension z. Tahir Berisha. Atij, i takoi ta provonte pra edhe jetën e refugjatit, pasi që edhe ai u ndodh në turmat e mëdha të shqiptarëve që po dëboheshin nga makineria kriminale serbe. U dëbua nga shtëpia e tij në Prishtinë dhe u vendos në kampin famëkeq të Bllacës, pastaj të atij të Stankovecit në Maqedoni dhe prej aty në kampin „Gazi Osman Pasha“ të Kirlarelit në Turqi. Ishte ky një përjetim tepër emocional për bacën Tahir, sepse dëbimin e shqiptarëve për në Turqi e kishte provuar edhe si i ri kur ishte në Kosovë, kur iknin shqiptaret „nga sytë këmbet“, si thonë, si gjithnjë nga reprezaliet serbe (njësoj sikur tash pas 40 e dy tri vjetësh). Atje, siç tregon autori, në memoaret e tij kishte takuar një shqiptar nga Pozhorani. Ky ishte Bajrush Misini, një i afërm i bashkëshortes së tij, të cilit turqit ia kishin ndërruar emrin në Bajram Shen. Më 1944 Serbia këtij ia kishte vrarë babain në prag të shtëpisë, ashtu siç ndodhi më vonë edhe me mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës. Dhe krejt atë çka kishte marrë me vete kishte qenë një pallto të babait të tij të bërë blozhë nga plumbat serb, dhe të cilën e kishte ruajtur kujtim si relikt të vërtetë për vite të tëra. Dhe shpesh kur donte të ç'mallej me vendlindjen e tij, Pozharanin, nxirrte nga fundi i arkës pallton e babait të vrarë, që serbët ia kishin vrarë gjysëm shekulli më parë. Ishte ky njëri nga shumë mërgimtarë shqiptarë që kishin ikur në Turqi po nga kjo dhunë, që po përsëritej edhe tashti…

Edhe si refugjat në dhe të huaj Berisha në asnjë çast nuk u nda nga blloku dhe lapsi. Edhe në ato kushte të dëbimit masiv dhe odisejades së tij dhe krejt popullit shqiptar të Kosovës, derisa arriti në Turqi, por edhe më vonë në Britaninë e Madhe (së pari në Gllazgou të Skocisë, e pastaj edhe në Londër) shënonte çdo gjë që e përjetonte. Kështu edhe lindi ditari i tij tashmë i njohur „Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova“ promovuar në Londër më vitin 2001. Libri është një ditar shumë i dobishëm, nëpërmes së cilit paqyrohet jeta e një numri të madh refugjatësh prej kur ishin në Kosovë dhe deri atëherë kur u vendosën në vendet e ndryshme perëndimore, siç qe rasti edhe me bacën Tahir.

Në Londër u promovua edhe filmi dokumentar i autorit dhe regjisorit Fatmir Terziu „Trokamat në jetën e një pene“ i vitit 2003, film ky që ishte një kontribut shumë i çmuar për të pasqyruar jetën e një pene që kishte bërë një personalitet, duke kaluar nëpër sfida të mëdha në jetën e tij si mësues, pedagog, inspektor i arsimit dhe si autor librash.

Siç thamë, tani baca Tahir jeton në Londër, por edhe pse në moshë të shtyer (tani është 81-vjeçar) nuk pushon së punuari. Sa herë që e takoj ose kur flasim edhe në telefon të kënaq me shakatë e tij. Gjithnjë është i hareshëm, i qeshur.. Kur e takova një herë, në bisedat e gjata që shpesh i kemi, më tregoi për rastin kur e kishte takuar (ndoshta në ndër takimet e fundit) Dr. Ihsan Toptanin, i cili para disa vitesh ndërroi jetë këtu në Londër, dhe kur e kishte pyetur autori se çfarë planesh kishte për të ardhmën, ai iu kishte përgjigjur:“ Do të qëndroi këtu në Londër deri sa t’i mbushi 100 vjet e pastaj do të shkoj në Shqipëri!“, Po për veten, si me mahi më thotë“ pasi t’i mbushi 100, do t’i shlyej të gjitha këto vite, (si kilometrat e veturës!) pastaj do t’ia nisi prej fillimit“. Dhe natyrisht qeshim.

Duke e përfunduar mund të themi se, me këtë prezentim, nuk mund ta përfshijmë as për së afërmi punën dhe kontributin që baca Tahir ka bërë për arsimim e as në lëmin e veprave që ka tashme të botuara. Ky shkrim le të jetë vetëm një kontribut i vogël për punën e madhe dhe të palodhshme të veteranit të arsimit, z.Tahir Berisha.
- - - - - - - - - - - - - - - - - - - -

Gazeta "The Albanian"

- - - - - - - - - - - - - - - - - - - -

Pasqyrë kronologjike nga biografia e Tahir Z.Berishës

1928 (31 korrik)
Tahir Z.Berisha u lind në Vërban të Vitisë si djali i parë i nënës Mihane dhe i katërti i Zeqë Vërbanit;

1936 – 1941
I kreu 4 klasë të shkollës fillore në Gërmovë të Vitisë;

1941 – 1943
Gjatë okupacionit bullgar ishte bari i deleve në fshatin e lindjes;

1943 (9 shtator)
Si 15 vjeçar ishte dëshmitar okular kur, në një përleshje të armatosur me patrullën italiane, iu vra i ati, e ku mbeti i vrarë edhe një "marshall" italian;

1943 – 1944
E la vendlindjen dhe jetoi në Mitrovicë tek i vëllai, ku i kreu 2 klasë gjimnaz;

1944 (fundi i janarit)
Në moshën 16 vjeçare u inkuadrua në rradhët e Brigadës VII Kosovare NÇ, e cila në fillim operonte në Kosovë;

1945 (nëntor)
Si pjesëtar i gjeneratës së re u lirua nga obligimi ushtarak për të vazhduar shkollimin e mëtejshëm;

1946 (10 nëntor 1945 – 9 shkurt 1946)
E kreu kursin e parë pedagogjik në Prizren;

1946 (13 mars)
Si nd.mësues e hapi shkollën e parë shqipe në Zarbicë të Bujanocit, e cila atëherë i takonte territorit të Kosovës;

1947
Transferohet me shërbim në Prishtinë, në Shk.F. "Vuk Karaxhiq";

1947 (15 qershor – 15 shtator 1947)
E kreu kursin për udhëheqës të pionerëve pranë Komitetit për Arsim dhe Shkencë të Qeverisë së RFPJ në Beograd dhe kaloi me shërbim në Komitetin Krahinor të Rinisë Popullore në seksionin e pionerëve dhe redaksisë "Gazeta e Pionierëve" në gjuhën shqipe;

1948 (4 dhjetor)
Paraqitja për herë të parë e sëmundjes së TBC-së (mjekimi i herë pas hershëm në Senatoriumin e Ozrenit, Senatoriumin e Surdulicës dhe Senatoriumin e Gollnikut në Slloveni) deri në vitin 1953;

1952
Hapja e dosjes së UDB-es.
Si shumicës së mësuesve e arsimtarëve shqiptarë, UDB-ja ia hap "Dosjen" si person i rrezikshëm për regjimin jugosllav (shih librat e dr.Sulltane Kojçini-Uka dhe dr.Hakif Bajrami);

1953 – 1955 (30 nëntor 1953 – 30 qershor 1955)
Studimi i rregullt në Shkollën e Lartë Pedagogjike (dega gjuha shqipe dhe letërsi) në Shkup;

1955 (1 shtator 1955 – 1 nëntor 1956)
Shërbimi si mësimdhënës në Gjimnazin e Lartë në Gjilan;

1956 (28 shtator)
Gjatë aksionit për mbledhjen e armëve përjashtohet nga LKJ dhe arsimi; U përjashtua se gjëja rrjedh nga një familje armiqësore, studion gjuhën shqipe dhe ka shkruar vjersha nacionaliste.

1957 (16 maj)
Emërimi si përkthyes në KP të rrethit Gjilan;

1958
(Pas shumë ankesave dhe rehabilitimit nga përjashtimi i padrejt nga LKJ dhe arsimi) Emërohet kryeshef i Sekretariatit për Shëndetësi dhe Politikë Sociale të KP të rrethit në Gjilan;

1959
Me vendimin e KP të rrethit Gjilan (nr.01-2174, dt.30.3.1959), shkarkohet nga detyra për t'i vazhduar studimet në Fakultetin Filozofik të Shkupit (prill 1959 – shkurt 1960);

1960 (mars)
Me vendimin e Këshillit Ekzekutiv të KP të rrethit Gjilan (nr.1716, dt.6.4.1960), emërohet shef i Entit Arsimor-Pedagogjik në Gjilan;

1960 (26 gusht)
Pas suprimimit të Entit Arsimor-pedagogjik, me vendimin e KP të Komunës së Gjilanit (nr.01-5530, dt.26.8.1960), emërohet drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan;

1962
Me aktvendimin e Themelatës Gazetaro-botuese "Fletorja zyrtare e KAKM" (nr.142/1-62, dt.15.12.1962) emërohet në vendin e punës PËRKTHYES;

1966
Me aktvendimin e Byros Krahinore për Informata (nr.34, dt.16.1.1966), emërohet në vendin e punës GAZETAR në seksionin për shtyp dhe publikime;

1967
Me aktvendimin e kryetarit të Kuvendit Krahinor të KAKM (nr.529, dt.1.2.1967), emërohet në vendin e punës REDAKTOR i shënimeve stenografike të Kuvendit Krahinor të KAKM (ku punoi deri më 24.4.1970);

1970
Me aktvendimin e Sekretariatit Krahinor për Arsim e Kulturë (dt.1.5.1970), emërohet INSPEKTOR krahinor i arsimit;

1974
Me aktvendimin e KE të Kuvendit të KAKM (nr.112-21/74, dt.26.12.1974) emërohet (për herë të parë) KRYEINSPEKTOR i arsimit të KAKM;

1985
Me aktvendimin e Kryesisë së Kuvendit Krahinor të KAKM (nr.112-71/85, dt.19.4.1985) emërohet KËSHILLTAR në Kuvendin Krahinor të KAKM;

1986
Pensionohet në moshën 58 vjeçare

1989 (2 qershor)
Përjashtohet nga Këshilli Komunal i LSHL të LNÇ të Prishtinës dhe të gjitha forumet e organizatave shoqërore-politike. U përjashtua pse kundërshtoi iniciativën e "Radiotonit" të Beogradit që në fsh.Batusë të ndërtohet një repart ku do të punësoheshin vetëm serbomalazezët dhe që nga ky fshat të shpërngulen me dhunë tri familjet e vetme shqiptare, në mënyrë që të pengohet shpërngulja e paralajmëruar e serbomalazezëve. Për këtë rast shkruan gjerësisht mjetet e informimit publik. (Ky ishte përjashtimi i dytë. I pari gjatë regjimit të A.Rankoviqit dhe ky gjatë regjimit të fundit të S.Millosheviqit)

Edhe pas daljes në pension vazhdoi ta ushtroj detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës (ky dhe ishte iniciator i themelimit të saj dhe koordinator i Manifestimit Unikal "Takimet e Veteranëve të Arsimit të Kosovës" gjatë periudhës 1981 – 1999. Ai organizoi dhe 10 takime të këtilla një dhe dyditore.

BOTIMI DHE PROMOVIMI I VEPRAVE

Edhe gjatë shërbimit aktiv, Tahir Z.Berisha u muar me krijimtari letrare e publicistike. Përveç artikujve dhe ndonjë poezie që i botoi kohë pas kohe në gazeta e revista të ndryshme, ai vazhdoi të botojë edhe libra të veçantë si vijon:

1. Monografia e Shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan, "Nova Makedonija", Shkup 1961;

2. Dhjetë Vjet të Shërbimit të Inspeksionit të Arsimit në KSA të Kosovës (1970 – 1980), Prishtinë 1981;

3. Trojet që nuk shuhen – Shënime nga Vërbani dhe Anamorava, Prishtinë 1993 (ribotimi 1995);

4. Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951) dhe arsimi shqip në Kosovë, Vëllimi I, Prishtinë 1994;

5. Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951), Vëllimi II, Prishtinë 1996;

6. Rrëfime në veten e parë, Prishtinë 1998;

7. Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova, Londër 2001;

8. Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951), Vëllimi III, Prishtinë 2005;

9. Në fokus të ngjarjeve – Bisedë me Sinan Hasanin, Prishtinë 2005;

10. Emra që nuk harrohen – Arsimtarët shqiptarë në diasporë, Prishtinë 2006 (si koautor me Hamza Halabakun dhe Çerkin Bytyqin).

Tahir Z.Berisha është i përfshirë edhe në Antologjinë e krijuesve shqiptarë në Angli "Lërmeni pak atdhe", Tiranë 2004.

Veprat e Tahir Z.Berishës janë promovuar dhe prezentuar në vende të ndryshme si: në Zarbicë të Bujanocit, Prishtinë, Vërban, Preshevë, Shkup, Tiranë, Elbasan, Durrës, Stamboll të Turqisë, Gllasgou të Skocisë dhe në Londër.

Disa ekzemplarë të veprave të tij u janë dhuruar Bibliotekës Kombëtare Universitare në Prishtinë, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë, Bibliotekës së vendlindjes në Viti, Bibliotekës Britanike në Londër dhe Bibliotekës së Kolegjit "Aga Xhite" në Ferizaj.

DEKORIMET, MIRËNJOHJET, FALËNDERIMET ETJ.

1982 (13 maj)
Kryesia e RS të Jugosllavisë me Dekretin nr.42, dt.13.5.1982, e dekoroi me URDHËRIN E PUNËS, me kurorë të artë.

1983 (10 mars)
Këshilli jugosllav, ia ndau HARTËN e Vitit Ndërkombëtar të Invalidëve të Kombeve të Bashkuar, KB – 1981, si mirënjohje të veçantë për kontributin e jashtëzakonshëm të përparimit të pozitës shoqërore të invalidëve dhe realizimin e programit të aktiviteteve gjatë vitit ndërkombëtar të invalidëve të KB – 1981.

1985 (1 maj)
Këshilli Komunal i Lidhjes së Sindikatave të Prishtinës, ia ndau MIRËNJOHJEN PUBLIKE me shenjën e argjendtë për kontributin e posaçëm në arritjen e rezultateve në punën e bashkuar gjatë vitit 1984.

1986 (qershor)
Lidhja e Organizatave të Bletarëve të KSA të Kosovës, ia ndau DIPLOMËN ME BLETË TË ARTË, në shenjë mirënjohje për kontributin në zhvillimin dhe përparimin e bletarisë në KSA të Kosovës.

1990
Me propozimin e strukturave arsimore të Kosovës, për punën e suksesshme si mësues, mësimdhënës, drejtor shkolle, inspektor dhe kryeinspektor shumëvjeçar i arsimit të Kosovës, ai ishte laureat i Shpërblimit Republikan "25 maj". Mirëpo për shkak të politikës diskriminuese të S.Millosheviqit, sidomos pas vitit 1981, ndaj arsimit shqip dhe shqiptarëve në përgjithësi, hoqi dorë publikisht nga ky shpërblim në shenjë proteste dhe pakënaqësie (shih "Rilindja" dt.1 gusht 1990)

1995 (10 qershor)
Shoqata për Zhdukjen e Analfabetizmit në Kosovë "Motrat Qiriazi" ia ndau MIRËNJOHJEN për punë dhe kontribut të çmueshëm në luftë kundër analfabetizmit.

1997 (5 qershor)
Shkolla Fillore "7 Shtatori" në Begracë, Komuna e Kaçanikut, me rastin e 52-vjetorit të punës, ia ndau MIRËNJOHJEN për kontributin e dhënë në lëminë e arsimit dhe të historisë kombëtare.

1997 (28 qershor)
Shoqata e Veteranëve të Arsimit e Republikës së Kosovës me rastin e 15 vjetorit të Themelimit të Manifestimit "Takimet e Veteranëve të Arsimit të Kosovës", i ndau MIRËNJOHJE.

1997 (19 dhjetor)
Ndërmarrja e revistave "Rilindja" – Redaksia e revistës "Pioneri", në Prishtinë, me rastin e 50 vjetorit të botimit të saj, i ndau MIRËNJOHJE për ndihmën e dhënë në ngritjen e revistës.

2003 (16 prill)
Biblioteka Kombëtare Univerzitare e Kosovës i ndau FALËNDERIM për kontributin në pasurimin e koleksioneve të Bibliotekës.

2004 (20 maj)
Shkolla Fillore "Zenel Hajdini" në Goshicë, me rastin e 50 vjetorit të themelimit i ndau MIRËNJOHJE.

2005 (7 mars)
Bashkësia Shqiptare "Faik Konica" në Britani të Madhe, me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 Marsit dhe 76 vjetorit të lindjes së tij, i ndau MIRËNJOHJE.

2005 (27 nëntor)
Kryesia e Shoqatës "Dituria" në Hounslow të Londrës,i lëshon ÇERTIFIKATË për emërimin e tij KRYEREDAKTOR NDERI të gazetës "Koha Shqiptare".

2006 (24 tetor)
Biblioteka Britanike (The British Library) në Londër e falënderon për librat e dhuruar.

2007 (19 prill)
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Vitisë e falënderon për librat e dhuruar Bibliotekës në Viti.

2009 (7 mars)
Shoqata "Ardhmëria" në Angli, me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 Marsit, i ndau një ÇERTIFIKATË nderi për kontributin e tij shumëvjeçar në fushën e arsimit dhe të gjuhës shqipe.

2009 (26 korrik)
Lëvizja për Kthim dhe Integrim "Guri i Zi", i ndau MIRËNJOHJE për merita të veçanta në hapjen e shkollës së parë shqipe në Zarbicë të Malësisë së Bujanocit në vitin shkollor 1945/46, kontributin në përhapjen e arsimit shqip dhe zhdukjen e analfabetizmit në këtë trevë.

Që nga viti 1999, Tahir Z.Berisha jeton dhe vepron në Londër të Anglisë, ku ka shkuar si refugjat. Edhe atje, krahas kurimit nga pasojat e luftës, vazhdimisht merret edhe me krijimtari letrare e publicistike dhe me promovimin dhe prezentimin e veprave të tij. Gjatë kësaj kohe në Londër, i ka shkruar dhe botuar 4 veprat e tij te fundit.

No comments: