Promovim: "Kujtime e Shenime" dhe "Rrefime Ne Veten e Pare", Elbasan 1998


Kristaq Mullisi hap promovimin

Promovim i përbashkët i veprave “KUJTIME E SHËNIME” të autorit Mehmet Gjevori dhe “RRËFIME NË VETEN E PARË” të autorit Tahir Z.Berisha, në Elbasan, më 14.11.1998

Tubimin e hapi Zoti Kristaq Mullisi, kryetar i Shoqatës “Normalisti” të Veteranëve të Arsimit të Shqipërisë. Për vlerat e këtyre veprave referuan me shkrim dr.Reshit Koburja për veprën e M.Gjevorit, ndërsa Zeqir Sarja për veprën e T.Berishës. U lexuan edhe recensionet e Prof.dr.Pajazit Nushit dhe Vehap Shitës. Në promovim mori pjesë dhe diskutoi Prof.dr.Muhamet Bicaj, Ministër i Arsimit i Republikës së Kosovës. Diskutuan edhe Prof.dr.Muhamet Çeliku, Prof.Sefedin Trungu dhe shkrimtarja Mynavere Hysen Zajmi me prejardhje nga Peja.

FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER


--------------------
Mediat Televizive


--------------------

KRISTAQ MULLISI:
“Duke i uruar mirëseardhjen, në qytetin-djep të arsimit kombëtar, miqëve të nderuar nga Kosova, nderohem për rastin që më jepet, të prezantoj fizikisht para jush, dy ndër figurat e nderuara të arsimit shqiptar në Kosovë, që një jetë të tërë ia kushtuan arsimit, shkollës e gjuhës shqipe, 86 vjeçarin elbasanas, i cili që nga viti 1941 punon e jeton në Kosovë, kryetarin e Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës z.Mehmet Gjevori dhe z.Tahir Berisha, sekretar i përgjithshëm i kësaj shoqate, në nderin e të cilëve sot po promovojmë dy librat e fundit të tyre, në vazhdën e mjaft botimeve të tjera, librat “Kujtime e Shënime” të z.Mehmet Gjevori dhe “Rrëfime në veten e parë” të z.Tahir Berisha. E gjithë jeta, puna e veprimtaria e këtyre personaliteteve të arsimit në Kosovë, është e lidhur me shkollën dhe me arsimin në gjuhën shqipe. Ata kanë dhënë një kontribut të madh në hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe, në drejtimin dhe organizimin e tyre, në përgaditjen e mësuesve të rinj dhe në hartimin e programeve e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Nuk mund të kuptohet shkolla shqipe në Kosovë pa kujtuar emrat e këtyre korifejve të arsimit të Kosovës. Jo më kot akademiku i mirënjohur Jashar Rexhepagiq, e ka cilësuar z.Mehmet Gjevorin një pedagog të rrallë, një mësues të mësuesve të rinj, një Pestaloe në Kosovë. Duke folur për Mehmet Gjevorin, Dr.Ali Jakupi ka theksuar se ai është një prej themeluesëve të arsimit në Kosovë, i cili për gjashtë dekada kultivoi, thelloi e begatoi arsimin e kulturën shqiptare në Kosovë, e nëpërmjet fjalës së gjallë të arsimtarit, të përgjegjësit dhe të inspektorit të arsimit, të hartuesit e redaktuesit të teksteve shkollore, krijoi emër të pashlyer. Ndërsa, Vehap Shita duke folur për punën e palodhur të z.Tahir Berisha dhe për librin e fundit të tij që ne po e promovojmë sot, shprehet se ne do të ndiejmë e do të përcjellim përpjekjet e tij, të bashkëpunëtorëve e të bashkëluftëtarëve të tij për zhvillimin e përparimin e arsimit shqip në Kosovë, për vendin e merituar të arsimtarëve në shoqëri. Sepse i tillë është edhe personaliteti i Tahir Berishës. Me këtë rast, Shoqata “Normalisti”, duke promovuar sot këto dy libra, krahas bashkëpunimit me Shoqatën homologe në Republikën e Maqedonisë, organizon aktivitetin e parë të përbashkët me Shoqatën homologe të Veteranëve të Arsimit në Kosovë, në vazhdën e shumë përpjekjeve e të kontakteve të përbashkëta të realizuara më parë. Me promovimin e këtyre dy librave ne zgjerojmë dijet tona, pasurojmë bibliotekat tona mbi përpjekjet për mësimin dhe për shkollën shqipe në Kosovë dhe për njerëzit e nderuar të saj të arsimit.”

ZEQIR SARJA:
“Ndjehem i lumtur që pata fatin, i pari, ndoshta, këtu në Elbasan, të kem në dorë, këto ditë, një libër me peshë ("Rrëfime në vetën e parë"). Është i rëndë për nga lënda e përzgjedhur, për faktet e bollshëm dhe arsyetimet e mençura, është i rëndë për mesazhet që përcjell dhe idetë që mbart, por është i lehtë në të kuptuar, për stilin e rrjedhshëm dhe komunikues, për gjuhën dhe frazeologjinë popullore, pa kursim, për figuracionin e pasur, pa stoli laramane, prandaj të mban të mbërthyer me kurreshtje deri në fund.

Natyrisht që pena ime e belbët nuk do të mund të japi atë që duhet.
Zoti Tahir Berisha është mësues; Mësues do t'i them, sepse është atribut i madh, e jo zanat, sepse ka një opus të gjerë, vepër të shkruar dhe veprim të gjallë, që u kushtohen arsimit. Që në faqen e parë zbulon veten: ua kushton veprën prindërve. Duket që është zemër - mësuesi. Ka një mënyrë originale të shtjelluarit të autobiografisë. Zoti Shefki Stublla, ish drejtor muzeu në Prishtinë, pastaj dhe të tjerë, Beqir Berisha, Berat Luzha e Nexhmedin Basha, intervistojnë autorin që, i thekur nga dituria, veprimi atdhetar dhe mosha, falë kujtesës fisnike, të vajisur mirë, pa ndryshk, nxierr natyrshëm ngjarje pas ngjarjeje, të gatuara bukur, që i japin kënaqësi lexuesit.

Ai nis rrëfimin me kohën e vegjëlisë. Rrjedh nga një familje e shquar atdhetarësh e arsimdashës. I ati Zeqë Vërbani, i përzier në lëvizjet kombëtare të viteve 1910 - 1912, i shkulur me forcë, por i zgjedhur tribun popullor në vitin 1927 në Gjilan e në Vranjë, kundërshton dhe u kundërvihet ballaball mbretit Aleksandër e kryeministrit Pashiq. Ka një fund tragjik por frymëzues. I biri nuk e shkit nga sytë atë skenë, kur ishte mbërthyer pas të jatit që jepte shpirt. I ka mësuar rrënjet e veta, si shqiptar, jo në shkollën serbo-bullgare, por në odën e burrave duke dëgjuar për Idriz Seferin, Shaban Hazirin etj. nga sa e sa personalitete dhe mësues të Anamoravës, që shpesh, i përcjellnin ngjarjet heroike të shoqëruara me çifteli. I vogli "i përkëdheluri", pra, autori ynë, që rri pas mysafirëve të odës, gjithë sy e vesh, thith, tret e konservon nga bëmat e të parëve, por dhe gajaset me humorin e Sadik Coklit, që Tahir Berisha na e kallëzon aq këndshëm.

Bien në sy vështirësitë e shkollimit, etja për dituri. I inspiruar nga ai mjedis familjar atdhetar, merr pjesë në Luftën Antifashiste, sepse shihte tek Brigada VII Kosovare një dritë shpëtimi e çlirimi, por, shpejt, ndjen zhgënjim, tradhëti, sidomos pas pushkatimit të mësuesit Adem Guta, të cilit ende nuk i dihet varri. Pak kohë mësues - fshati, por ndryshon mentalitetin e të gjithë fshatarëve për shkollën. Kualifikohet e shkollohet më tej; mësues në gjimnaz dhe përjashtim nga arsimi, si i "padëshirueshëm", pastaj gazetar, përkthyes dhe kryeinspektor i arsimit të Kosovës. I përjashtuar nga arsimi, e ndjen veten të mbërthyer në një unazë akuzash absurde. Ishte një mohim i rebeshtë inkuizicional. Ishin hapur dosjet e UDB-ja, ishte futur në "rreth". Të orvatesh t'i bësh gjoks rrezikut dhe punës, të këmbëngulësh për t'i shkuar deri në fund çështjes së madhe dhe idealit, janë cilësi të Tahir Berishës.

Duke lexuar veprën, të krijohen ato imazhe përfytyrime, situata të jetës së një mësuesi aktiv që ka përshkuar gjithë hierarkinë arsimore, me zikzake, hipje e zbritje, por në mënyrë burrërore. Flet për jetën e mësuesit të fshatit, për komunikimin me nxënës, ish nxënës e fshatarë, e mandej, për shqetësimet, ngacmimet, kurthet e goditjet. Të bën për vete për energjitë, aftësitë intelektuale e organizative, për sukseset, që i ndanë me shokët. Në Gjilan, si drejtor i shkollës së mesme, me një kolektiv me shumicë shqiptare, krijoi një konfiguracion të përbashkët vlerash, sepse gjeti pika bashkimi interesash, që lidheshin me qëllime të përbashkëta, në detyrën e caktuar, që ishte njëherazi rreptësisht e kontrollueshme e kërkuese, në vertikalën shtetërore, por dhe në horizontalen e kamufluar, sepse dhe në atë mjedis kishte gjemba që shponin.

Duke dhënë shkurt, por qartë, një historik të ekonomisë e politikës në Kosovë gjatë dhe pas Luftës II Botërore, del e pastër idea, se regjimi i Beogradit ka ruajtur gjithnjë linjën e hegjemonizmit shoven, të diskriminimit e të shkombëtarizimit. Prandaj, në këtë situatë të vështirë e "ore të ligë", lypsej të rritet vetëdija kombëtare dhe vendosmëria për ta çuar deri në fund aspiratën kombëtare. Pastaj autori nënvizon nevojat për kuadër arsimor e kualifikimin e tyre, për lokalet shkollore, me shifra bindëse. me simbolikë të goditur e aluzion të qartë në vjershën "Ty o vremç bujar" u jep mesazhin e madh bashkëqytetarëve se:

"Këtu, ku së pari pamë qiellin
Të mira - të këqija do t'i presim,
Këtu, më këndshëm na ngroh dielli,
Këtu, të qetë, pra, edhe të vdesim!"

Z.Tahir Berisha në intervistat e tij jep një mori emrash atdhetarësh, luftëtarësh, mësuesish, nxënesish, kolegësh, pushtetarësh, personalitetesh; një mori ngjarjesh, faktesh, shifrash, datash, me lidhje të brendshme logjike dhe dallohet mes tyre qëndrimi dhe interpretimi nga këndvështrimi i nacionalistit të kulluar; një mal kujtimesh!

Duke patur një veprimtari të gjerë publicistike ruan dhe mprehtësinë e rrokjes së ngjarjeve të sotme brenda e jashtë Kosovës, sidomos, qëndrimin ndërkombëtar ndaj konfliktit në Kosovë e përmbledh bukur në maksimën:

"Ti, i dobëti, mos bëj zë,
Ti i forti, mos bëj më!"

Autori është një figurë e njohur jo vetëm në Kosovë e këtu, por dhe më gjerë. Këtë e dëshmon korrespondenca me shumë personalitete dhe intelektualë, të cilëve u është mirënjohës. Ai e njeh mirënjohjen si virtyt, prandaj përkulet me veneracion për mësuesit e vet, për bashkëpunëtorët, për Mehmet Gjevorin, elbasanasin - legjendë në Kosovë, për Hasan "Mësuesin" (Dylgjeri), për Tajar Hatipin, Jonuz Ballën e Sali Kolgecin si mësonjës të mësuesve.

Është për ta patur zili që, dhe pse i pensionuar, kryen një veprimtari shumë të gjerë, me obligime shoqërore e familjare dhe ankohet se "nuk i del koha" dhe e quan veten borxhli. Unë doja të thoja, se për Tahir Berishën, ka vërshyer koha dhe po derdh ngacmimet, prandaj thellë në shpirtin e tij, mpleksen ndjenja, mendime, përjetime.

Ai ndërton projekte të reja veprash. Do të krijoje edhe vëllimin III të monografisë "Emra që nuk harrohen...", ku veç 2 mijë figurave, është venë në kërkim të mësuesve të tjerë, që kanë shërbyer në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Sigurisht që ne mësuesit elbasanas do të japim ndihmesën tonë, për të ndriçuar ata mësues, që me veprën e tyre i siguruan vetës lavdi, por pa ja lënë emrat historisë. Këtë kërkon të bëjë profesori, madje ai ndjen obligim edhe për mësuesit çamë, arbëreshë e të diasporës.

Zotëri Tahiri na bëhet dhe më i afërt, kur kërkoi ta promovoi librin e vet këtu në Elbasan. Ai ka ardhur tri herë në Shqipëri: herën e parë i mbushur gjithë mall e emocione, ku gjithçka i dukej se shkëlqente, sepse kërkonte njerëzit, studiuesit, mësuesit dhe, dy herët e tjera, si i shtëpisë. Është ai që pranoi dhe pastaj kërkoi të lidhet me Shoqatën tonë "Normalisti", duke qenë vetë sekretar i përgjithshëm i "Shoqatës së Veteranëve të Arsimit" në Kosovë. Patëm programuar e miratuar veprimtari të përbashkëta në këtë drejtim që, për arsye që dihen, dështuan më 7 Marsin e vitit 1997.

Të flasësh 341 faqe në vetën e parë dhe të mos duket gjëkundi kurrëfarë mburrje, mendjemadhësie, subjektivizmi! Sigurisht, modestia është marka e shkencëtarit të vërtetë.

Shpreh mendimin se kësisoj veprash, jo vetëm pasurojnë historinë e arsimit mbarëkombëtar, por janë dhe burim frymëzimi e me forcë edukuese për brezat. Ato cysin për të kurdisur zemrekët e kujtesës së plogët të ndonjërit prej ne mësuesve veteranë, që t'i zbardhim, sipas këtij shembulli, kujtimet tona të mësuesisë, qofshin ato dhe të paka.

Fola si mësuesi - mësuesit, sepse s'mund e s'di t'i flas shkrimtarit, shkencëtarit, personalitetit të shquar të Kosovës, por, me sinqeritetin e fjalës sime ta bind z.Tahir Berishën të kuptojë se ka dashamirë të veprës së tij, jo vetëm në vendlindjen e vet, por dhe këtu në Elbasan.

No comments: