Prezentim i Veprave, Stamboll 1999


Panoramë e Stambollit

Prezentim i veprave të Tahir Z.Berishës në Stamboll të Turqisë, më 28.05.1999.

Ishte caktuar me kohë data e mbajtjes së prezentimit të veprave të mia në kampin e refugjatëve në Kirklareli. Ardhjen në këtë prezentim e kishin paralajmëruar edhe një grup ish veteranësh të arsimit shqip nga Stambolli. Mirëpo, në momentin e fundit valiu i kampit (z.Camer Yulduz) ishte friguar dhe nuk lejoi që në kamp të prezentohen librat shqip, përmbajtjen e të cilave nuk e dinte.

Ndërkohë, Enver Tali, përgjegjës i Zyrës së Republikës së Kosovës në Stamboll, më njoftoi me telefon se ishte marrë vesh me Shoqatën Turko-Shqiptare të prizrenasve që ky prezentim të organizohet në Stamboll. Prandaj mora leje njëjavore nga drejtoria e kampit gjoja për të vizituar disa të afërm në Stamboll.

Prezentimi i veprave u bë me 28 maj 1999, në lokalet e Shoqatës Turko-Shqiptare të prizrenasve në Stamboll, ku përveç Enver Talit me personelin e Zyrës së Republikës së Kosovës, mori pjesë një numër i konsiderueshëm mysafirësh në mesin e të cilëve edhe dr.Rexhep Boja, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës. Tubimin e hapi nënkryetari i kësaj shoqate, z.Rafet Kavjardi, kurse fjalën e hyrjes e mbajti vetë z.E.Tali, i cili kishte pasur rast që më heret të njihej me përmbajtjen e veprave dhe me punën time në përgjithësi, pasi që e kisha bashkëvendas-gjilanas.

Në diskutimin e gjerë morën pjesë: Fahri Turkkan, kryetar i Shoqatës Turko-Shqiptare në Stamboll, Nijazi Straja-Saraçoglu, veteran i arsimit shqip dhe ish i burgosur politik nga Prishtina, i cili që nga vitet e '50-ta jeton si emigrant në Turqi (Ky nuk mundi ta përfundojë diskutimin e vet të gjatë nga lotët e mallëngjimit), Kamil Bitis (Qamil Bytyçi), përkthyes, Melihate Jaka, refugjate kosovare, Laurant Bica, profesor universiteti nga Korça (i cili e çmoi lart punën e autorit, sepse për të mbledhur të dhëna për mbi 2000 portrete e biografi veteranësh të arsimit, siç tha, duhet të ketë punuar një ekip i tërë ekspertësh). Diskutoi edhe Ahmet Namani, refugjat, kurse me pyetje u paraqit zonja Alie Myderizi-Pektok, po ashtu veterane e arsimit nga Prishtina, e tash disa vjet emigrante në Turqi.

Në përmbyllje të prezentimit kryesuesi R.Kavjardi theksoi se ky është rasti i parë në Turqi që të organizohet prezentimi i veprave të një autori shqiptar kosovar. Ai shprehu dëshirën që prezentime të këtilla të organizohen edhe në të ardhmen, ndërsa autorit i dëshiroi shëndet të mirë dhe suksese në punën e tij krijuese.

Në fund edhe autori i falënderoi organizatorët e prezentimit dhe ua dhuroi nga një ekzemplar të librave: "Trojet që nuk shuhen" dhe "Rrëfime në veten e parë". U shkëmbyen shumë mendime edhe gjatë koktelit që shtroi organizatori i prezentimit.

Në pamundësi që të merrte pjesë në këtë prezentim, një vështrim me shkrim e kishte dërguar edhe zonja Kadrie Beqiri-Berisha, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën shqipe kosovare "Paqja" në kampin e Kirklarelit të Turqisë, të cilin po e japim në tërësi:
- - - - - - - - - - -
Nga veprat e Tahir Berishës mësova shumë gjëra të reja

Me autorin, Tahir Z.Berishën, u njoha për herë të parë në fillim të muajit maj të këtij viti në kampin e refugjatëve "Gazi Osman Pasha" në Kirklareli të Turqisë. Kjo ndodhi rastësisht, kur profesori mori pjesë në një mbledhje të këshillit të arsimtarëve të shkollës sonë. Me qenë se kjo shkollë për fëmijët e refugjatëve ishte hapur në shpejtësi, na lindën shumë vështirësi dhe pengesa të ndryshme objektive e subjektive, që, në shikim të parë, dukeshin si të papërballueshme. Megjithatë, puna vazhdon me rreth një mijë nxënës, ku mësimin në gjuhën shqipe po e zhvillojnë 54 arsimtarë.

Në këtë mbledhje fjalën e mori edhe mysafiri ynë, i cili duke evokuar disa kujtime nga përvoja e tij e pasur shumëvjeçare si pishtar i arsimit, na dha një frymëmarrje lehtësuese dhe na e shtoi vullnetin për ta vazhduar punën e mëtejshme. - Ju jeni duke bërë një punë shumë të madhe e të vlefshme, peshën e së cilës do ta kuptoni më vonë - na tha ai duke vlerësuar shumë lartë misionin tonë.

Për meritat dhe kontributin e këtij autori, mësova më vonë kur fillova t'i përpunoj veprat e tij me nxënës, në mungesë të teksteve dhe literaturës tjetër në gjuhën shqipe. Prej veprave të tij, mësova shumë gjëra të reja. Më pëlqeu, sidomos vepra e tij më e re "Rrëfime në vetën e parë", e botuar në vitin 1998. Edhepse "në vetën e parë", në këtë libër si edhe në tri veprat e tjera, autori më pak flet për vete, e shumë më tepër për të tjerët, për kolegët e vet veteranët e arsimit. Ndërkaq, të tjerët kolegët, gazetarët e dashamirët e librit shqip dhe të kulturës kombëtare, flasin shumë më tepër për te dhe veprat e tij. Unë nuk kam pasur rast që përpara t'i lexoj këto vepra dhe të marrë pjesë në promovimin e tyre, por duke lexuar me plot andje veprën e fundit, më dukej se edhe vetë, e futur thellë dhe e strukur pranë miqëve e kolegëve, isha pjesëmarrëse aktive në të gjitha këto ngjarje.

Prandaj, autorit i uroi shëndet të mirë dhe sukses në punën e tij të palodhshme në përfundimin edhe të vëllimit III të librit "Emra që nuk harrohen".

Kadrije Beqiri-Berisha

- - - - - - - - - - -
FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER


- - - - - - - - - - -

PAMJE FILMIKE NGA PREZENTIMI - PJESA 1


PAMJE FILMIKE NGA PREZENTIMI - PJESA 2

Promovim: "Kujtime e Shenime" dhe "Rrefime Ne Veten e Pare", Elbasan 1998


Kristaq Mullisi hap promovimin

Promovim i përbashkët i veprave “KUJTIME E SHËNIME” të autorit Mehmet Gjevori dhe “RRËFIME NË VETEN E PARË” të autorit Tahir Z.Berisha, në Elbasan, më 14.11.1998

Tubimin e hapi Zoti Kristaq Mullisi, kryetar i Shoqatës “Normalisti” të Veteranëve të Arsimit të Shqipërisë. Për vlerat e këtyre veprave referuan me shkrim dr.Reshit Koburja për veprën e M.Gjevorit, ndërsa Zeqir Sarja për veprën e T.Berishës. U lexuan edhe recensionet e Prof.dr.Pajazit Nushit dhe Vehap Shitës. Në promovim mori pjesë dhe diskutoi Prof.dr.Muhamet Bicaj, Ministër i Arsimit i Republikës së Kosovës. Diskutuan edhe Prof.dr.Muhamet Çeliku, Prof.Sefedin Trungu dhe shkrimtarja Mynavere Hysen Zajmi me prejardhje nga Peja.

FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER


--------------------
Mediat Televizive


--------------------

KRISTAQ MULLISI:
“Duke i uruar mirëseardhjen, në qytetin-djep të arsimit kombëtar, miqëve të nderuar nga Kosova, nderohem për rastin që më jepet, të prezantoj fizikisht para jush, dy ndër figurat e nderuara të arsimit shqiptar në Kosovë, që një jetë të tërë ia kushtuan arsimit, shkollës e gjuhës shqipe, 86 vjeçarin elbasanas, i cili që nga viti 1941 punon e jeton në Kosovë, kryetarin e Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës z.Mehmet Gjevori dhe z.Tahir Berisha, sekretar i përgjithshëm i kësaj shoqate, në nderin e të cilëve sot po promovojmë dy librat e fundit të tyre, në vazhdën e mjaft botimeve të tjera, librat “Kujtime e Shënime” të z.Mehmet Gjevori dhe “Rrëfime në veten e parë” të z.Tahir Berisha. E gjithë jeta, puna e veprimtaria e këtyre personaliteteve të arsimit në Kosovë, është e lidhur me shkollën dhe me arsimin në gjuhën shqipe. Ata kanë dhënë një kontribut të madh në hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe, në drejtimin dhe organizimin e tyre, në përgaditjen e mësuesve të rinj dhe në hartimin e programeve e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Nuk mund të kuptohet shkolla shqipe në Kosovë pa kujtuar emrat e këtyre korifejve të arsimit të Kosovës. Jo më kot akademiku i mirënjohur Jashar Rexhepagiq, e ka cilësuar z.Mehmet Gjevorin një pedagog të rrallë, një mësues të mësuesve të rinj, një Pestaloe në Kosovë. Duke folur për Mehmet Gjevorin, Dr.Ali Jakupi ka theksuar se ai është një prej themeluesëve të arsimit në Kosovë, i cili për gjashtë dekada kultivoi, thelloi e begatoi arsimin e kulturën shqiptare në Kosovë, e nëpërmjet fjalës së gjallë të arsimtarit, të përgjegjësit dhe të inspektorit të arsimit, të hartuesit e redaktuesit të teksteve shkollore, krijoi emër të pashlyer. Ndërsa, Vehap Shita duke folur për punën e palodhur të z.Tahir Berisha dhe për librin e fundit të tij që ne po e promovojmë sot, shprehet se ne do të ndiejmë e do të përcjellim përpjekjet e tij, të bashkëpunëtorëve e të bashkëluftëtarëve të tij për zhvillimin e përparimin e arsimit shqip në Kosovë, për vendin e merituar të arsimtarëve në shoqëri. Sepse i tillë është edhe personaliteti i Tahir Berishës. Me këtë rast, Shoqata “Normalisti”, duke promovuar sot këto dy libra, krahas bashkëpunimit me Shoqatën homologe në Republikën e Maqedonisë, organizon aktivitetin e parë të përbashkët me Shoqatën homologe të Veteranëve të Arsimit në Kosovë, në vazhdën e shumë përpjekjeve e të kontakteve të përbashkëta të realizuara më parë. Me promovimin e këtyre dy librave ne zgjerojmë dijet tona, pasurojmë bibliotekat tona mbi përpjekjet për mësimin dhe për shkollën shqipe në Kosovë dhe për njerëzit e nderuar të saj të arsimit.”

ZEQIR SARJA:
“Ndjehem i lumtur që pata fatin, i pari, ndoshta, këtu në Elbasan, të kem në dorë, këto ditë, një libër me peshë ("Rrëfime në vetën e parë"). Është i rëndë për nga lënda e përzgjedhur, për faktet e bollshëm dhe arsyetimet e mençura, është i rëndë për mesazhet që përcjell dhe idetë që mbart, por është i lehtë në të kuptuar, për stilin e rrjedhshëm dhe komunikues, për gjuhën dhe frazeologjinë popullore, pa kursim, për figuracionin e pasur, pa stoli laramane, prandaj të mban të mbërthyer me kurreshtje deri në fund.

Natyrisht që pena ime e belbët nuk do të mund të japi atë që duhet.
Zoti Tahir Berisha është mësues; Mësues do t'i them, sepse është atribut i madh, e jo zanat, sepse ka një opus të gjerë, vepër të shkruar dhe veprim të gjallë, që u kushtohen arsimit. Që në faqen e parë zbulon veten: ua kushton veprën prindërve. Duket që është zemër - mësuesi. Ka një mënyrë originale të shtjelluarit të autobiografisë. Zoti Shefki Stublla, ish drejtor muzeu në Prishtinë, pastaj dhe të tjerë, Beqir Berisha, Berat Luzha e Nexhmedin Basha, intervistojnë autorin që, i thekur nga dituria, veprimi atdhetar dhe mosha, falë kujtesës fisnike, të vajisur mirë, pa ndryshk, nxierr natyrshëm ngjarje pas ngjarjeje, të gatuara bukur, që i japin kënaqësi lexuesit.

Ai nis rrëfimin me kohën e vegjëlisë. Rrjedh nga një familje e shquar atdhetarësh e arsimdashës. I ati Zeqë Vërbani, i përzier në lëvizjet kombëtare të viteve 1910 - 1912, i shkulur me forcë, por i zgjedhur tribun popullor në vitin 1927 në Gjilan e në Vranjë, kundërshton dhe u kundërvihet ballaball mbretit Aleksandër e kryeministrit Pashiq. Ka një fund tragjik por frymëzues. I biri nuk e shkit nga sytë atë skenë, kur ishte mbërthyer pas të jatit që jepte shpirt. I ka mësuar rrënjet e veta, si shqiptar, jo në shkollën serbo-bullgare, por në odën e burrave duke dëgjuar për Idriz Seferin, Shaban Hazirin etj. nga sa e sa personalitete dhe mësues të Anamoravës, që shpesh, i përcjellnin ngjarjet heroike të shoqëruara me çifteli. I vogli "i përkëdheluri", pra, autori ynë, që rri pas mysafirëve të odës, gjithë sy e vesh, thith, tret e konservon nga bëmat e të parëve, por dhe gajaset me humorin e Sadik Coklit, që Tahir Berisha na e kallëzon aq këndshëm.

Bien në sy vështirësitë e shkollimit, etja për dituri. I inspiruar nga ai mjedis familjar atdhetar, merr pjesë në Luftën Antifashiste, sepse shihte tek Brigada VII Kosovare një dritë shpëtimi e çlirimi, por, shpejt, ndjen zhgënjim, tradhëti, sidomos pas pushkatimit të mësuesit Adem Guta, të cilit ende nuk i dihet varri. Pak kohë mësues - fshati, por ndryshon mentalitetin e të gjithë fshatarëve për shkollën. Kualifikohet e shkollohet më tej; mësues në gjimnaz dhe përjashtim nga arsimi, si i "padëshirueshëm", pastaj gazetar, përkthyes dhe kryeinspektor i arsimit të Kosovës. I përjashtuar nga arsimi, e ndjen veten të mbërthyer në një unazë akuzash absurde. Ishte një mohim i rebeshtë inkuizicional. Ishin hapur dosjet e UDB-ja, ishte futur në "rreth". Të orvatesh t'i bësh gjoks rrezikut dhe punës, të këmbëngulësh për t'i shkuar deri në fund çështjes së madhe dhe idealit, janë cilësi të Tahir Berishës.

Duke lexuar veprën, të krijohen ato imazhe përfytyrime, situata të jetës së një mësuesi aktiv që ka përshkuar gjithë hierarkinë arsimore, me zikzake, hipje e zbritje, por në mënyrë burrërore. Flet për jetën e mësuesit të fshatit, për komunikimin me nxënës, ish nxënës e fshatarë, e mandej, për shqetësimet, ngacmimet, kurthet e goditjet. Të bën për vete për energjitë, aftësitë intelektuale e organizative, për sukseset, që i ndanë me shokët. Në Gjilan, si drejtor i shkollës së mesme, me një kolektiv me shumicë shqiptare, krijoi një konfiguracion të përbashkët vlerash, sepse gjeti pika bashkimi interesash, që lidheshin me qëllime të përbashkëta, në detyrën e caktuar, që ishte njëherazi rreptësisht e kontrollueshme e kërkuese, në vertikalën shtetërore, por dhe në horizontalen e kamufluar, sepse dhe në atë mjedis kishte gjemba që shponin.

Duke dhënë shkurt, por qartë, një historik të ekonomisë e politikës në Kosovë gjatë dhe pas Luftës II Botërore, del e pastër idea, se regjimi i Beogradit ka ruajtur gjithnjë linjën e hegjemonizmit shoven, të diskriminimit e të shkombëtarizimit. Prandaj, në këtë situatë të vështirë e "ore të ligë", lypsej të rritet vetëdija kombëtare dhe vendosmëria për ta çuar deri në fund aspiratën kombëtare. Pastaj autori nënvizon nevojat për kuadër arsimor e kualifikimin e tyre, për lokalet shkollore, me shifra bindëse. me simbolikë të goditur e aluzion të qartë në vjershën "Ty o vremç bujar" u jep mesazhin e madh bashkëqytetarëve se:

"Këtu, ku së pari pamë qiellin
Të mira - të këqija do t'i presim,
Këtu, më këndshëm na ngroh dielli,
Këtu, të qetë, pra, edhe të vdesim!"

Z.Tahir Berisha në intervistat e tij jep një mori emrash atdhetarësh, luftëtarësh, mësuesish, nxënesish, kolegësh, pushtetarësh, personalitetesh; një mori ngjarjesh, faktesh, shifrash, datash, me lidhje të brendshme logjike dhe dallohet mes tyre qëndrimi dhe interpretimi nga këndvështrimi i nacionalistit të kulluar; një mal kujtimesh!

Duke patur një veprimtari të gjerë publicistike ruan dhe mprehtësinë e rrokjes së ngjarjeve të sotme brenda e jashtë Kosovës, sidomos, qëndrimin ndërkombëtar ndaj konfliktit në Kosovë e përmbledh bukur në maksimën:

"Ti, i dobëti, mos bëj zë,
Ti i forti, mos bëj më!"

Autori është një figurë e njohur jo vetëm në Kosovë e këtu, por dhe më gjerë. Këtë e dëshmon korrespondenca me shumë personalitete dhe intelektualë, të cilëve u është mirënjohës. Ai e njeh mirënjohjen si virtyt, prandaj përkulet me veneracion për mësuesit e vet, për bashkëpunëtorët, për Mehmet Gjevorin, elbasanasin - legjendë në Kosovë, për Hasan "Mësuesin" (Dylgjeri), për Tajar Hatipin, Jonuz Ballën e Sali Kolgecin si mësonjës të mësuesve.

Është për ta patur zili që, dhe pse i pensionuar, kryen një veprimtari shumë të gjerë, me obligime shoqërore e familjare dhe ankohet se "nuk i del koha" dhe e quan veten borxhli. Unë doja të thoja, se për Tahir Berishën, ka vërshyer koha dhe po derdh ngacmimet, prandaj thellë në shpirtin e tij, mpleksen ndjenja, mendime, përjetime.

Ai ndërton projekte të reja veprash. Do të krijoje edhe vëllimin III të monografisë "Emra që nuk harrohen...", ku veç 2 mijë figurave, është venë në kërkim të mësuesve të tjerë, që kanë shërbyer në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Sigurisht që ne mësuesit elbasanas do të japim ndihmesën tonë, për të ndriçuar ata mësues, që me veprën e tyre i siguruan vetës lavdi, por pa ja lënë emrat historisë. Këtë kërkon të bëjë profesori, madje ai ndjen obligim edhe për mësuesit çamë, arbëreshë e të diasporës.

Zotëri Tahiri na bëhet dhe më i afërt, kur kërkoi ta promovoi librin e vet këtu në Elbasan. Ai ka ardhur tri herë në Shqipëri: herën e parë i mbushur gjithë mall e emocione, ku gjithçka i dukej se shkëlqente, sepse kërkonte njerëzit, studiuesit, mësuesit dhe, dy herët e tjera, si i shtëpisë. Është ai që pranoi dhe pastaj kërkoi të lidhet me Shoqatën tonë "Normalisti", duke qenë vetë sekretar i përgjithshëm i "Shoqatës së Veteranëve të Arsimit" në Kosovë. Patëm programuar e miratuar veprimtari të përbashkëta në këtë drejtim që, për arsye që dihen, dështuan më 7 Marsin e vitit 1997.

Të flasësh 341 faqe në vetën e parë dhe të mos duket gjëkundi kurrëfarë mburrje, mendjemadhësie, subjektivizmi! Sigurisht, modestia është marka e shkencëtarit të vërtetë.

Shpreh mendimin se kësisoj veprash, jo vetëm pasurojnë historinë e arsimit mbarëkombëtar, por janë dhe burim frymëzimi e me forcë edukuese për brezat. Ato cysin për të kurdisur zemrekët e kujtesës së plogët të ndonjërit prej ne mësuesve veteranë, që t'i zbardhim, sipas këtij shembulli, kujtimet tona të mësuesisë, qofshin ato dhe të paka.

Fola si mësuesi - mësuesit, sepse s'mund e s'di t'i flas shkrimtarit, shkencëtarit, personalitetit të shquar të Kosovës, por, me sinqeritetin e fjalës sime ta bind z.Tahir Berishën të kuptojë se ka dashamirë të veprës së tij, jo vetëm në vendlindjen e vet, por dhe këtu në Elbasan.

Promovim: "Rrefime ne veten e pare", Prishtine 1998


Pamje nga promovimi

Promovimi i librit “RRËFIME NË VETEN E PARË”, mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 5.11.1998

Tubimin e kryesoi z.Iljaz Meta, ndërsa për vlerat e librit folën Vehap Shita, kritik letrar dhe Mr.Shefki Stublla. Në diskutimin e gjërë morën pjesë: Mehmet Gjevori – veteran i arsimit, Mehmet Pozharani - veteran i arsimit, Fehmije Bytyci – avokate, Sylejman Dërmaku, prof.dr. Abdylaziz Veseli, prof.dr. Mehmet Halimi etj.

Në fund, autori Tahir Z.Berisha, falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e promovimit.


FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER


--------------------

MEHMET GJEVORI:
“…Tahir Z.Berisha nuk është i panjohur në rrethin e gjerë të inteligjencies sonë këtu në Kosovë. Ka shërbyer një kohë të gjatë në arsim dhe ka kryer me sukses detyra me përgjegjësi. Herë pas here, ka shkruar e botuar punime e vështrime të ndryshme profesionale e publicistike. Si punëtor i frytshëm në fushën e arsimit e të kulturës ka nxjerrë në dritë këto vepra : “Trojet që nuk shuhen” (1993, 1995), “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951) dhe arsimi shqip në Kosovë”, I (1994) dhe “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951)”, II (1996). Tash po paraqitet me veprën “Rrëfime në veten e parë”, e cila dallohet nga veprat e tjera, sepse ka karakter autobiografik dhe përfshinë shënime të hollësishme nga jeta e tij e bujshme që fillon nga ajo e fëmijërisë dhe e rinisë e deri kur ai doli në pension. Të gjitha këto shënime janë nxjerrë nga një intervistë e gjatë që ia ka pas dhënë më 1991 ish-drejtorit të Muzeut të Revolucionit në Prishtinë, mr.Shefki Stubllës. Mendoj se edhe kjo vepër më e re e tij do të mirëpritet nga lexuesit dhe dashamirët e arsimit e të kulturës sonë kombëtare. Shtoj gjithashtu se kjo vepër do të jetë edhe një nxitje për shumë veteranë që të shkruajnë vepra të kësaj kategorie…”

ZENUN REXHEPI:
“Në të gjithë librat që përgaditi e botoi Tahir Z.Berisha, si një fije e kuqe përshkohet teza: arsimtarët shqiptarë në Kosovë e gjetiu përherë ishin të ndjekur e të persekutuar, ngase me zell e dashuri punonin për ngritjen arsimore e kulturore të popullit shqiptar. Kur dihet se “populli i arsimuar nuk mund të mbahet në robëri”, nuk është çudi që arsimtarët përherë ishin “therrë në sy” për regjimet pushtuese dhe për ata që nuk ia donin të mirën popullit shqiptar.

Fati dhe rruga jetësore e Tahir Z.Berishës, që nga shkuarja e tij në Zarbincë të malësisë së Bujanocit e duke vazhduar me peripecitë e ndjekjet në Viti, Gjilan (ku e kishte edhe dosjen në UDB), e Prishtinë, si në kohën kur përgatitej për të qenë sa më i kualifikuar e më i aftë për detyrën e arsimtarit, për të cilën ishte inspiruar nga babai i tij Zeqë Vërbani, ashtu edhe gjatë tërë karrierës së tij, është një prej fateve karakteristike të arsimtarëve shqiptarë të Kosovës…

Tahir Berisha, pas publikimit të materialeve për fatin e arsimit shqip në Kosovë e të arsimtarëve shqiptarë, në veprën e tij më të re, përmes një të rrëfyeri të drejtpërdrejtë e me gjuhë të rrjedhshme, ka paraqitur rrugën e tij jetësore, që është, pa dyshim, një prej segmenteve të rëndësishme të arsimit shqip përgjithësisht. Si e tillë, edhe kjo vepër do të zgjojë kërshërinë e arsimdashësve dhe të lexuesve kudo që janë, por edhe do të shërbejë si një nga burimet për historiatin e arsimit shqip në Kosovë.”


VEHAP SHITA:
“Kam pasur nderin të bashkëpunoj një kohë të gjatë me të dy autorët, librat e të cilëve po promovojmë sot. Prandaj, nuk po mundem pa shfaqur kënaqësinë time që edhe sot, në këto ditë të vështira për popullin tonë, dy veteranët e arsimit tonë kombëtar po na dhurojnë dy libra monografiko-tematikë me "Shënime dhe kujtime" dhe me "Rrëfime në vetën e parë", që flasin për një periudhë të jetës e të zhvillimit tonë, bashkëkohës e pionë të të cilës jemi shumica nesh.

Bashkëkohësve të çdo kohe mund t'u duket normale gjithë ajo që ndodh në kohën e tyre, ku ata vetë janë pjesëmarrës ose autorë të drejtëpërdrejtë. Dy autorët tanë, i nderuari ndër më të vjetrit e më të merituarit veteranë të arsimit shqip në Kosovë, zoti Mehmet Gjevori, dhe nxënësi e bashkëpunëtori i tij besnik, që po e shoqëron edhe në moshën tashmë të shtyrë, zoti Tahir Berisha, me këta dy libra të tyre na treguan se ne, që jemi bashkëkohës të tyre, kemi çka të themi e çka t'u lëmë të shkruara gjeneratave të tashme e atyre që do të vijnë më pas. Dhe jo vetëm kaq, por se është e nevojshme dhe e domosdoshme që ta shënojmë në mënyrë sa më të dokumentuar dhe dokumentare kohën që po lëmë pas.

Duke i uruar për punën e tyre e duke u dëshiruar shëndet të mirë e pleqëri të mbarë, ashtu si deri tash, dua t'i falënderoj për botimin e librave të tyre edhe me bindjen se do të jenë cytje për punëtorët e arsimit e të kulturës, të shkencës e të arteve, të politikës e të publicistikës, që të nguten e të thonë gjithçka që është për t'u thënë, se koha po ecën, gjërat e bëmat po harrohen e dokumentacionet kanë mbetur kryesisht në duar të armikut, i cili do të përpiqet t'i shtrembërojë ose t'i zhdukë.

Më lejoni t'i themë disa fjalë për librin e z.Tahir Berishës, "Rrëfime në vetën e parë". Si thotë autori në parathënien e vet, nxitje për këtë libër ka qenë një intervistë e gjatë që mr.Shefki Stublla, dikur drejtor e këshilltar në Muzeun e Revolucionit të Kosovës, e ka bërë me zoti Berishën në vitin 1991. E bërë për "nevoja interne" të një institucioni të mbyllur, atëherë të kaluar nën administrim të dhunshëm të pushtuesit serb, kjo intervistë - edhe me pyetjet e z.Stubllës edhe më përgjigjet e z.Berishës - nuk ka se si të mos e kishte zemëruar titullarin serb të Muzeut. Por, falë angazhimit të z.Stubllës, ajo intervistë është ruajtur në origjinalin e saj dhe i ka shërbyer sot z.Berishës si strumbullar rreth të cilit ka grumbulluar edhe gjithë atë që ka thënë ose që ka shkruar gjatë karrierës së tij të pasur, sado të përkorë e të heshtur, më se 50-vjeçare.

Duke shikuar sot datat kur janë publikuar, bie fjala, "Idealet e tradhtuara" (1990) ose "Serbia, Jugosllavia dhe shqiptarët", "Edhe Jugosllavia u soll si njerkë ndaj shqiptarëve" apo "Si filloi të krijohet rasti i Batusës" (shkurt - qershor 1991) ose "Për çdo bisedë nga pozita të barabarta" (shkurt 1993) - vërejmë një përcjellje kontinuitive dhe vlerësim e gjykim të guximshëm të aktualitetit shoqëror e politik edhe nga arsimtarët tanë, gjithnjë të preokupuar me fatin e popullit tonë. Për më tepër, ata, arsimtarët, pra, palca dhe zemra e inteligjencies sonë kombëtare, duke qenë gjithnjë qendër e thjerrëz e jetës dhe e zhvillimit tonë, ishin dhe janë gjithnjë vigjilentë ndaj gjithë asaj që ka ndodhur e që ndodh në rrethin tonë, por edhe analitikë e parashikues të asaj që mund të ndodhë. Arsimtarët sikur vërtet e kanë ndier pulsin e aktualitetit, kanë reaguar haptazi e guximshëm para opinionit qoftë në tubime e forume ku kanë bërë pjesë, qoftë në shtyp e në periodik, shpeshherë edhe duke e rrezikuar veten e familjen për pasojat që kanë mundur dhe që mund të kenë.

Dy - tri punime që i përmenda këtu, janë vetëm ca nga punimet e shënimet që na ofron libri "Rrëfime në vetën e parë", rrëfime këto që nuk janë vetëm të autorit, por edhe të shokëve e të bashkëpunëtorëve të tij, që, duke shkruar për tri veprat e mëparshme të tij "Trojet që nuk shuhen" edhe "Emra që nuk harrohen" I e II, në të vërtetë, janë solidarizuar, njëfarë mënyre janë identifikuar me autorin e veprat e tija dhe ato që thuhen në to. Nëpër të trija këto vepra, por edhe në librin që po promovojmë sot, përcjellim fatin tragjik të popullit tonë, i cili, në luftë për liri e pavarësi, për zhvillim e emancipim, është dashur të kacafytet më së shumti me fqinjët e vet të parë, të cilët, fatkeqësisht për ne dhe për ata vetë, janë përpjekur t'i gllabërojnë tokat tona e të na fusin në zgjedhën e tyre.

Ky, pra, fati tragjik i popullit tonë në luftën e tij, në të cilën pikërisht arsimtarët tanë kanë qenë pionë dhe prijës, përvijohet si fije e kuqe, është ind i të katër librave të Tahir Z.Berishës. Puna dhe pozita e arsimtarëve dhe e arsimit shqip në Kosovë, por edhe ndjekjet, burgosjet, keqtrajtimet, torturimet e jo rrallë edhe likuidimet fizike të tyre, nëse janë ravizuar shkurtimisht në librat "Emra që nuk harrohen" - në "Trojet që nuk shuhen" dhe në "Rrëfimet në vetën e parë" janë paraqitur në mënyrë shpeshherë tronditëse, por gjithnjë krenare për burrërinë dhe trimërinë me të cilën njeriu ynë ka qendruar kryelartë e ballëhapur edhe para rrezikut më të madh që i kanoset - vdekjes ballë për ballë me armikun.

Kësisoji, libri "Rrëfime në vetën e parë", edhe pse e ka shkruar vetë Tahir Z.Berisha dhe vetë është protagonist i tij, nuk është libër autobiografik e as monografik. Madje edhe as intervista me z.Stubllën, që ka shumë elemente të biografisë së Tahir Berishës e të familjes së tij, sidomos të babait të tij, Zeqë Vërbanit, i cili gjithashtu ka qenë një personalitet i shquar për kohën dhe rajonin e vet të Anamoravës, nuk e ka vetëm atë karakter. Berisha, në librin e tij, jep një vistër pikëpamjesh të tij, por edhe të një rrethi të tërë njerëzish për kohën dhe për ambientin në të cilin ka vepruar dhe të cilin e ka vështruar me syrin e kronikut dhe të gjykuesit e të vlerësuesit.

Vetë arsimtar dhe punonjës i arsimit, nuk është çudi që arsimi dhe ecejaket e tij zënë vendin qendror edhe në këtë libër më të ri të zoti Berishës. Por, autorin do ta shohim këtu aktiv dhe të angazhuar pothuaj në të gjitha fushat e jetës shoqërore, kulturore, politike, madje edhe ekonomike - pra - në të gjitha punktet ku farkohet fati i popullit tonë, i cili, në të gjitha rrëfimet e tij në këtë libër, është subjekt dhe objekt i vështrimit të tij. Në qoftë se në intervistat e tija shfaq mendimet e vlerësimet e veta lidhur me pyetjet që i bëjnë intervistuesit, në "ecejaket" e tij do të shohim se edhe ky punonjës i heshtur i arsimit, ky punonjës "lojal" i administratës të cilës i ka "shërbyer", ka qenë "gjithnjë nën mbikëqyrjen e organeve të Sigurimit, është përjashtuar disa herë nga Partia, është hedhur nga një detyrë në tjetrën ose është suspenduar nga puna si i "papërshtatshëm" për regjimin aktual.

Duke lexuar tash ato që ka shkruar Tahir Z.Berisha, mund të shohim gjithë ato që kanë lexuar midis rreshtave e nën rreshta ato organe që u kanë shërbyer organeve të Sigurimit Shtetëror serb për t'i përcjellë arsimtarët e intelektualët tanë, për t'i penguar e paralizuar në punën e tyre, në mos edhe për t'i arrestuar e dënuar me burg ose edhe për t'i likuiduar fare siç ka ndodhur pikërisht me shumë arsimtarë tanë, për të cilët Tahir Berisha, me bashkëpunëtorët e tij, ka dhënë shënime të bollshme në të gjithë librat e tij. Këtu, në "Rrëfimet në vetën e parë" do të jetë prekës rrëfimi për vrasjen e babait të autorit nga mareshali italian dhe pushkatimi i një luftëtari partizan nga bashkëluftëtarët e tij, i cili, sypatrembur, i shikoi në sy ekzekutorët e tij në shërbim të të huajit gjakatar.

I ndarë në 8 pjesë biografiko-monografike e tematike, libri është një shëtitje impresive nëpër gjithë atë që ka përjetuar dhe që ka parë, ose më mirë, që ka vështruar, që ka cilësuar e vlerësuar autori si pjesëmarrës e dëshmitar i ngjarjeve dhe i dukurive, i veprimeve dhe i fateve të njerëzve që kanë qenë bashkëpjesëmarrës të ngjarjeve dhe të veprimeve nëpër të cilat ka kaluar ose në të cilat ka qenë edhe vetë drejtpërdrejt i angazhuar. Në libër vërtet do të ndiejmë dhe do të përcjellim përpjekjet e autorit dhe të bashkëpunëtorëve e të bashkëluftëtarëve të tij për zhvillimin e përparimin e arsimit shqip në Kosovë, për pozitën dhe respektimin e arsimtarëve, për vendin e tyre të merituar në shoqëri, por edhe për integrime gjithëkombëtare në fushën e arsimit.

Në kapitullin "Meditime", pos mendimeve dhe qëndrimeve në të kaluarën më të afërt, për të cilat fola më parë, do të shohim se Tahir Z.Berisha edhe tash, në pension dhe në moshë të shtyrë, është aktiv dhe aktual - në marzh me aktualitetin tonë sot. Ai do të shkruajë edhe tash, më 24 korrik 1998, për "moskonsekuencën dhe hezitimin e fuqive të mëdha rreth çështjes së Kosovës", për "ndërmjetësit ndërkombëtarë - pleqnarë të dobët provincialë" e të tjera.

"Rrëfimet në vetën e parë" sjellin edhe ca skica e kujtime të autorit nga "Shtëpia e vjetër e vendlindjes" e shkolla ku autori e ka nisur punën e arsimtarit si mësues i ri 17-vjeçar në Zarbincën e Anamoravës, atje "ku bën dreqi ve", si do t'i thotë një kolegë më i vjetër. Libri sjell edhe një pjesë të korrespondecës së autorit që ravizon përpjekjet e tij për "integrime gjithkombëtare të veteranëve të arsimit shqip". Me tri shtojcat ilustrative, autori i ka dhënë librit të tij edhe ngjyrat e librit autobiografik nga të cilat e ka liruar në pjesën më të madhe të "Rrëfimeve në vetën e parë".

I shkruar me një stil të thjeshtë e gjuhë të pastër letrare, libri "Rrëfime në vetën e parë", besoj, do të lexohet lehtë e këndshëm në të gjitha trojet shqiptare.

Po e përfundoj këtë vështrim të shkurtër, duke falënderuar të dy autorët e nderuar për dhuratat e bukura që na ofruan duke uruar që të kenë shëndet e energji që na befasojnë me dhurata të reja, si këto.”

Promovim: "Zeqe Verbani dhe koha e tij", Verban 1997


Zeqë Vërbani (1886-1943)

Promovimi i Monografise “ZEQË VËRBANI DHE KOHA E TIJ” të autorit Mujë Berisha, në Vërban më 31.08.1997

Në 54-vjetorin e hapjes së shkollës së parë në Vërban dhe vrasjes së Zeqë Vërbanit, u mbajt promovimi i Monografisë së autorit Mujë Berisha “Zeqë Vërbani dhe koha e tij”. Promovimin e hapi z.Ibrahim Emërllahu, drejtor i shkollës. Pas intonimit të himnit kombëtar u bë zbulimi i portretit të Zeqë Vërbanit, punim i piktores Shqipe Berisha-Shala.

Kryesuesi i promovimit, Tahir Z.Berisha, pasi përshendeti z.Mehmet Gjevorin, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës, delegacionin e Vërbanit të Bujanocit, Ajet Jasharin nga Turqia dhe mysafirët tjerë nga Prishtina, Peja, Gjilani, Ferizaji dhe Kaçaniku, ua dha fjalën recenzentëve Dr.Mehmet Halimi dhe Dr.Daut Bislimi. Pas tyre Prof.Ramiz Kuqi nga Kaçaniku, e lexoi vjershën kushtuar Zeqë Vërbanit. Në diskutim morën pjesë Jetish Vishi-Bislimi, mësues i parë i kësaj shkolle, Ramadan Hoxha-Cërnica, Prof.dr.Musa Limani etj.

Në fund u falënderua edhe autori Prof.Mujë Berisha dhe pastaj vazhdoi programi kulturo-zbavitës.


FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER


--------------------

Pse e çmoj tim et?
(Me rastin e 56-vjetorit të vrasjes së Zeqë Vërbanit)

Unë e çmoj shumë tim et,
Se kur isha fëmi në djep,
Të më lidhin s’lejoi kurrë,
Duarlirë u rrita, u bëra burrë!

Në odë hyja pa ndalesa,
Me burra rrija pa pengesa,
Këshillat e tij i dëgjova,
Historinë n’odë e mësova.

Kur për shqiptarë shkolla s’kishte,
Ai dëshirë të flaktë për to kishte.
Tha: “Pa shkolla s’bën të jemi,
Shkollat shqipe do t’i kemi!”

Kur “me sy e pashë vdekjen”
Me trup të vet ma shpëtoi jetën
E kujtoj, pra, sa të jet jeta
Por, ndoshta, ende borxh i mbeta?

Tahir Z.Berisha
Shtator 1999
--------------------

Kundër kolonizimit të Kosovës dhe Reformës Agrare

Kolonizimi së pari filloi në trevat rreth Gjilanit (e pastaj u zgjerua edhe në trevat e tjera të Kosovës. Kështu, në 61 vendbanime të këtij rrethi u kolonizuan 1142 familje serbe e malazeze. Vetëm në komunën e Sllatinës së Epërme u vendosën 294 familje …

Këtyre kolonistëve kryesisht iu nda toka që iu muar me të padrejtë fshatarëve shqiptarë të Sllatinës së Epërme dhe të Ramjanit". Ky veprim i pushtetit shkaktoi shumë ngatërresa e mosmarrëveshje ndërmjet vendësve autoktonë dhe kolonistëve, i cili u përdor edhe si mjet presioni ndaj popullatës shqiptare për t'u shpërngulur nga trojet e veta etnike.

Zeqë Vërbani nuk mund t'i shikonte me indiferentizëm padrejtësitë që u bëheshin fshatarëve nga ana e pushtetit dhe kolonistëve. Traumat e tyre i përjetoi si të vetat. Meqë edhe vetë ishte bir fshatari, e dinte se toka e bukës dhe kullosat për fshatarin kanë rëndësi jetike. Prandaj, i revoltuar nga tërë këto të këqia, që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, mori guximin që, si kryetar komune në Sllatinë të Epërme, e pastaj edhe si deputet i Kuvendit të Parë të Krahinës së Vrajës, të reagojë haptas duke u vënë në anën e popullit të vet.

Së pari këtë e bëri bashkë me parinë shqiptare të rrethit të Gjilanit në takimin me mbretin Aleksandër Karagjorgjeviqin, në shtëpinë e deputetit dinak Tomë Popoviqit, në Gjilan, kur mbreti e vizitoi Kosovën në fillim të vitit 1927. Në atë takim, patrioti, Hamdi Kurteshi, i nxitur nga interesimi i mbretit për gjendjen e shqiptarëve, e hap një dialog të ashpër, duke iu ankuar se me masat e reformës agrare ishte rrezikuar ekzistenca e fshatarësisë shqiptare dhe ishte shtuar pakënaqësia e tyre. Mbreti, i revoltuar nga ato fjalë që dëgjoi nga Hamdi Kurteshi dhe të tjerët, ishte zemëruar keq dhe, pa e pirë kafenë, u ishte drejtuar të pranishmëvet me këto fjalë kërcënuese: "Nëse nuk jeni të kënaqur me këtë regjim, ja ku e keni Shqipërinë dhe Turqinë dhe mund të shkoni kur të doni!". Pas këtyre fjalëve, biseda ishte ndërprerë si e padëshirueshme për të dy palët, ndërsa te përfaqësuesit shqiptarë kishte lënë përshtypje shumë të keqe.

Për ta zbutur sado pak "incidentin", Tomë Popoviqi e merr iniciativën që një delegacion i parisë shqiptare të kësaj ane ta vizitojë mbretin Aleksandër në Beograd. Kjo vizitë realizohet më 19.II.1927, me pjesëmarrjen e 23 përfaqësuesve shqiptarë. Ndër ta ishte edhe Zeqë Vërbani (është ruajtur fotografia). Sipas rrëfimeve të Zeqës, pas kthimit nga Beogradi, dhe kujtimeve të mëvonshme të disa pjesëmarrësve të vizitës në Beograd, delegacioni ishte pritur mirë nga mbreti dhe kryetari i qeverisë N.Pashiqi. Madje, mbreti secilit ia kishte dhuruar nga një kuti duhani të gravuar me kurorën mbretërore, emrin dhe datën e vizitës, si shenjë falënderimi për peshqeshet që këta ia kishin dhuruar mbretit (qilima, jana, etj.). Me atë rast mbreti Aleksandër iu kishte premtuar mysafirëve se do të merreshin masa urgjente për korigjimin e gabimeve lidhur me zbatimin e reformës agrare dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në rrethin e Gjilanit. Po ashtu, u kishte premtuar se nëse Partia jugosllave radikale do të fitonte përsëri në zgjedhje, së shpejti do të realizohej projekti për ndërtimin e hekurudhës Ferizaj - Gjilan - Bujanoc. Edhe mysafirët u ishin zotuar mikëpritësve të saj se do të përkrahnin këtë parti, duke ua siguruar votat kandidatëve të saj. Lidhur me këtë takim dhe me pjesëmarrjen e Zeqë Vërbanit në të, janë ruajtur edhe anekdota.
----------

Paria e Anamoravës në vizitë te mbreti Aleksandër Karagjorgjeviqi në Beograd (19.02.1927)

Rreshti I në këmbë (nga e majta): Mehmet Devaja, Feriz Llashtica, Hajdar Demosha nga Begunca, Zeqir Sejdiu - Zeqë Vërbani, Rexhë Kurdia nga Komogllava, Musë Tomaku nga Pograxha; rreshti II (në këmbë): Hamdi Kurteshi nga Pozherani, Rashit Llashtica, Adil Agë Dobërçani, Sinan Staneci, Kamber Dani nga Hogoshti, Jonuz Përlepnica, Shefki Zhegra, Veli Kopërnica; rreshti III (ulur): Jakup Karaçeva, Tomë Popoviqi, Haxhi Jusuf Shkodriqi nga Desivojca, Sejdë Budrika, Islam Pira nga Pozherani; rreshti IV (ulur këmbëkryq): Ramiz Kabashi, Osman Agë Muçivërca, Sali Fejza nga Hogoshti, Hafiz Osmani nga Dobërçani dhe Ramadan Shipashnica.

----------
Meqë, as përkundër premtimeve të mbretit, pushteti nuk ndërmori asgjë për përmirësimin e padrejtësive ndaj fshatarëve, ndërsa situata e tyre dita-ditës keqësohej, Zeqë Vërbani, i nxitur edhe nga ankesat e shumta të tyre, reagoi për herë të dytë. Këtë herë në cilësinë e kryetarit të komunës dhe të deputetit të Kuvendit të Parë të Krahinës së Vrajës, i shkroi zyrtarisht mbretit Aleksandër një telegram protestues, të cilin ia dërgoi në selinë e tij në Topollë, më 13.V.1928. Nëpërmjet telegramit Zeqa, në emër të shqiptarëve të Sllatinës së Epërme, shpreh mospajtimin për marrjen e pasurisë, të arave dhe livadheve të tyre të trashëguara nga gjyshërit e stërgjyshërit, e për të cilat i kanë edhe tapitë. Këtu, më poshtë po e japim tekstin e telegramit të përkthyer në gjuhën shqipe nga origjinal (i cili ruhet në Arkivin e Jugosllavisë dhe në Arkivin e Kosovës):
----------
LARTËMADHËRISË SË TIJ MBRETIT ALEKSANDËR
Topollë

Ne shqiptarët e rrethit të Gjilanit të fshatit Sllatinë e Epërme, me devotshmëri më të përulët qytetare, pasi i shterëm të gjitha mjetet e tjera të rregullta, marrim guximin që Juve, Lartëmadhëri, të ju dërgojmë sa vijon: pasuritë, arat dhe livadhet që na kanë mbetur nga gjyshërit tanë qysh para njëqind vjetësh dhe për të cilat i kemi tapitë, rend me rend po u merren fshatarëve tanë dhe po u jepen kolonistëve, edhe pse ka mjaft mera për këtë qëllim kudo, pra edhe në rrethin e Gjilanit. Sikur të kishte nevojë për këtë, ne do t'i ndanim vetë pasuritë me kolonistët pa urdhërin e pushtetit, por për këtë nuk ka nevojë, por me një veprim të tillë vetëm po dëshirohet që të krijohet gjaku i keq ndërmjet kolonistëve dhe popullsisë myslimane (shqiptare), gjë që nuk shkon në favor të rregullit dhe qetësisë së atdheut tonë të dashur... Prandaj, me përultësi më të madhe lutemi për fjalën Tuaj të lartë që pasuritë tona mos t'i prekin, por ato të na mbesin neve!

Në emër të shqiptarëve të fshatit Sllatinë e Epërme, me përultësi ndaj madhërisë Suaj mbretërore,

Zeqir Sejdiu
kryetar komune dhe deputeti i Krahinës së Vrajës

----------
Ngjarjet që pasuan më vonë, dëshmuan se as premtimet e mbretit Aleksandër dhe as telegrami protestues i Zeqë Vërbanit, nuk patën efekt. Madje, autorit të tij i është zënë për "...gabim të madh, gjoja pse ai si kryetar komune dhe deputet rajonal në këtë mënyrë po e pengonte politikën zyrtare rreth zbatimit të masave të reformës agrare", nëpërmjet të së cilës, në të vërtetë, po zbatohej politika kolonizuese serbomadhe, mbështetës i së cilës ishte vetë mbreti.

Megjithatë, më së keqi e pësuan fshatarët e Sllatinës së Poshtme në përpjekjet e tyre për t'i shpëtuar gjashtë hektarë mera të katundit, të cilët në mënyrë arbitrare ua uzurpuan "kolonistët e Tankosiqit Mirko dhe Simo Miliniqi”. Atë ditë kur e kishin kufizuar këtë pronë si të veten, kishin bërë aheng me pije e me të shtëna armësh në ajër. Kur u ishin afruar fshatarët shqiptarë për të protestuar, e disa edhe duke gjuajtur me gurë, kolonistët ua kthejnë me armë. Me atë rast ishte vrarë në vend Mehmet Demelezi, ndërkaq ishin plagosur: Ramiz Frangu, Metush Frangu dhe Tush Frangu, si dhe e mitura Xhevrije Sylë Demelezi. Por, në vend se të përgjigjeshin vrasësit, burgosen: Bejtë Frangu, Elmaz Mjaku dhe Bahri Frangu, të cilët pas tre muajsh qëndrimi në burg, me ndihmën dhe intervenimet e shumta të kryetarit të komunës, Zeqë Vërbanit, mezi ishin liruar.

Raste të ngjashme të uzurpimit të merave pati edhe në fshatra të tjera, ndërsa ajo e Sodovinës së Jerlive, e njohur për kullosa të mira, edhe pse disa herë qe marrë në konsiderim për t'iu ndarë kolonistëve, shpëtoi falë angazhimit të Zeqë Vërbanit dhe deputetit Tomë Popoviqit, i cili kishte nevojë për votat e banorëve të kësaj treve.
------------------

Zeqë Vërbani dëshmor i kombit

Regjimi jugosllav Zeqë Vërbanin e kishte shpallur si viktimë të terrorit fashist. Mirëpo, pasi ai nuk u vra me duar lidhur, por me armë në dorë në një përleshje të armatosur me patrollën e ushtrisë fashiste italiane, Shoqata e Veteranëve të Luftës Antifashiste NÇ të Kosovës – Dega në Viti, me vendimin Nr.106, dt.16.11.2007, Zeqë Vërbanin e shpalli Dëshmor të kombit shqiptar të LANÇ të Kosovës.

Në vitin 2007 atij iu ngrit përmendorja në vendin ku u vra me këtë tekst:

“ZEQË VËRBANI (1886 – 1943), DËSHMOR I KOMBIT SHIPTAR dhe arsimdashës i flakët, u vra më 9 shtator 1943, në një përleshje të armatosur me fashistët italianë. Me atë rast mbeti i vrarë dhe një “Marshalle” italian dhe u plagos një tjetër. Nga predha bombe u plagosën dhe: Hajrush Hajrullahu nga Gërmova dhe Sherif e Haki Misini nga Sodovina e Jerlive.

Po në këtë vend, në Maj të 43-ës, kur një patrullë ushtarësh fashistë bullgar rrethoi shtëpinë e Zeqës, për ta likuiduar bashkë me familjen, u vra një nënoficer bullgar dhe Ali Kovaçi nga Vërbani, Nezir Myftari nga Goshica dhe Mustafë Ramadani nga Smira.”



I biri i Zeqë Vërbanit, Xhaviti, duke u kujdesur për përmendoren e babait të vet.
----------
Mediat Televizive

----------

Hashim Shala - Gezim i madh sod në Vërban


----------

Demir Krasniqi:

"ZEQË VËRBANI" - rapsodi

N'dorë e mora çiftelinë,
Ta shpaloj pak historinë.
Ta këndoj nji trim shqiptar -
Zeqë Vërbanin, atdhetar!
Zeqë Vërbani, si kreshnik -
Ka nxanë Grykën n'Kaçanik,
Dërgut pashës i ka dalë n'pritë,
Nji ushtri e kanë koritë!
Po ban Pasha: "Mjeri unë,i mjeri,
Me këta trima nuk koka seri!"
Idriz Seferi e Zeqë Vërbani -
Qesi trimash i don vatani!...
Këta kreshnikë prej Karadaku -
S'po i trembë topi, s'po i trembë gjaku!...
Le e rritë mbi kreshta t'gurit -
Kokan loza e Bajram Currit!"
Zeqë Vërbani në rreth t'Vitisë -
Karrshillak po i banë Serbisë!
Nuk duron çetnikë, komitë,
N'dru , Stojanin, e ka llomitë!
Zeqë Vërbanin, atë zog shqiptari -
S'e trembë serbi,as bullgari!
S'e trembë Krajli i Serbisë,
Jo, as Cari i Rusisë!...
Po kjanë Krajli, n'Beligrat:
"Nji shqiptar, s'po m'le rehat!
N'telegram, po m'proteston -
Për AGRAR, po m'kundërshton!"...
Se n'Gjilan, Krajli ka ardhë -
Zeqë Vërbani, i del për ballë:
"Ty, bre, Krajl, po t'shoh budallë,
Këto zullume, pse s'po i ndalë!
Ti, more, Krajl, keq po gabon,
Qysh po bjenë n'Kosovë, kolonë!
N'vend me i hapë shkollat shqiptare -
Po zbaton REFORMË AGRARE!...
Tokat tona me TAPI -
Ja u jepë serbëve e Malit t'Zi!
Po i bjen serbë e malazezë -
Kjo REFORMË, të qoftë e zezë!"...
Kështu thotë faqja e historisë -
Kurrë zullumi s'iu nda Shqipnisë!
Nga pushtuesit, nga barbarët -
Kurrë ditë t'bardhë, nuk panë shqiptarët!
Erdhi këtu lloj-lloj barbari -
Iku turku,erdh bullgari,
Malazezi e serbijani,
Këmishazitë dhe italiani!...
Zeqë Vërbani, n'robni ish rritë,
Nëpër lufta, ishte kalitë!
Italianët dhe këmishazitë -
N'tokat tona, ia vrajshin sytë!
"Marrshall"-zeza, italiani,
Thot:"Kush asht, ai Zeqë Vërbani?
Këmishazitë,po m'i ngacmon,
Këtë regjim, s'po ma duron!"...
Zeqë Vërbani, ai burrë trim,
I del "Marrshallit" n'dyluftim!
N'dyluftim, iu shue jeta,
Veç për komb e troje t'veta!
Zeqë Vërbani, ai sokol mali,
Me armiqë, luftën s'e ndali,
S'e frikësoi Mbreti, as Krajli -
Për Kosovë, jetën e fali!
Zeqë Vërbani, çau stuhi -
Hapi shkolla e ndërroi kufi.
Luftë mbas lufte në Vërban -
Për Atdhe, u ba kurban!
Sa t'ketë trima, si Karadaku -
Kurrë pa tym nuk jet oxhaku!
Sa t'ketë trima, si Kaçaniku -
Kurrë n'Kosovë, s'mund t'shkelë armiku!
Sa t'ketë trima, si Stagova -
Kurrë pa Zot, nuk jet Kosova!
Sa t'ketë trima, si Zeqë Vërbani -
Kurrë pa Zot, nuk jet vatani!
...
Zeqë Berisha - Zeqë Vërbani,
Lumja nana, ty, që t'bani!
T'njeh Tirana, t'njeh Gjilani -
Lum, si Ty, që t'pat vatani!

Demir Krasniqi, u lind më 1950 në Tugjec të Malësisë së Gollakut (Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Shkollën e Mesme të Muzikës në Prishtinë dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë të Muzikës, por për shkaqe ekonomike nuk arriti që ta mbarojë. Ndërkohë u diplomua në dy degë të gazetarisë (Radio-gazetari dhe gazetari hulumtuese) në Universitetin e Gazetarisë Norvegjeze dhe në Universitetin e Gazetarisë Kanadeze.

Si arsimtar i kulturës muzikore, ka punuar në shumë shkolla fillore dhe të mesme, por është marrë edhe me gazetari në radio e televizion. Është i njohur dhe mjaft i popullarizuar, sidomos në Anamoravë si rapsod edhe interpret i muzikës popullore, krijues i këngëve në frymën e melosit tradicional popullor dhe kultivues i parodive, humorit dhe satirës popullore.

Është pjesëmarrës i dhjetra festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare, publikues i shumë disqeve të gramafonit dhe i mbi 70 albumeve të këngëve dhe muzikës popullore shqiptare. Demiri është autor i mbi dy mijë këngëve dhe valleve origjinale dhe mbledhës i mbi 4000 këngëve të ndryshme popullore. Deri më tash i ka botuar këto vepra:

"Mallëngjime dhe oshtima", Prishtinë, 1993;
"Qamili i Vogël - zë që nuk shuhet", Prishtinë, 1995;
"Gjakon Kosova", Gjilan, 1998;
"Këngë krismash lirie", Gjilan, 2000;
"Bejtë Pireva", Gjilan, 2002;
"Zeqir Maroca", Gjilan, 2002;
"Këngë krismash lirie", II, Gjilan, 2003;
"Familja Kurti nga Tugjeci", Gjilan, 2003.
Në dorëshkrim i ka të gatshme edhe shumë vepra të tjera që presin botimin.

Demir Krasniqi jeton dhe vepron në Gjilan.

Promovim "Emra qe nuk harrohen" I e II, Shkup 1997

Promovim i përbashkët i vëllimeve I e II të monografisë “EMRA QË NUK HARROHEN – ARSIMTARËT VETERANË (1941 – 1951) dhe Arsimi Shqip në Kosovë”, në Shkup më 27.2.1997

FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga manifestimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER

Promovim: "Emra qe nuk harrohen" Vellimi I e II, Presheve 1997


Kujtim i përbashkët

Promovimi i përbashkët i vëllimeve I e II të monografisë “EMRA QË NUK HARROHEN – ARSIMTARËT VETERANË (1941 – 1951)”, në Preshevë më 30.05.1997

Promovimi u mbajt me rastin e “Muajit të Librit”. Fjalën hyrëse e mbajti znj.Havçe Hasani, drejtoreshë e Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashtica” në Preshevë, ndërsa me referate u paraqitën: Dr.Abdullah Vokrri, Vehap Shita, kritik letrar dhe Haki Sylejmani, kryetar i Degës së Shoqatës së Veteranëve të Arsimit në Preshevë. Më në fund edhe autori e mori fjalën, falënderoi organizatorët dhe u përgjegj në pyetjet e të pranishmëve.


FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER

Promovim: "Emra qe nuk harrohen" Vellimi I e II, Tirane 1996


Kujtim i përbashkët

Promovim i përbashkët i vëllimeve I e II të monografisë “EMRA QË NUK HARROHEN – ARSIMTARËT VETERANË (1941 – 1951) dhe Arsimi Shqip në Kosovë”, në Tiranë më 01.11.1996

Ky promovim u mbajt me iniciativën e Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë dhe në organizim të Shoqatës Atdhetare Politike “Kosova”, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Promovimin e hapi z.Murat Gjonbalaj, kryetar i SHAP “Kosova”. Me referate u paraqitën: Prof.dr.Shefik Osmani, Prof.docent Qemal Mandia dhe Prof.Gani Demiri-Ratkoceri, ndërsa në diskutim morën pjesë: Prof.dr.Musa Kraja, Zeqir Muçolli dhe Mujë Berisha. Më në fund edhe autori u falënderua dhe u përgjigj në shumë pyetje të pjesëmarrësve.


FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER


--------------------

Prof.dr.Shefik Osmani:
“… Me këtë vepër, mësuesi, drejtori i shkollës, inspektori i arsimit, luftëtari, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit (të Kosovës), autori i disa veprave, na jep një material të pasur për historinë e zhvillimit të arsimit shqip në Kosovë (9141 – 1951)… Të një mijë faqet e dy vëllimeve të autorit tonë, janë plot burime të dhënash që e fajësojnë OZN-ën dhe UDB-ën për gjenocidin që ushtroi kundër armatës së arsimtarëve shqiptarë, kundër inteligjencies kosovare, kundër kulturës shqiptare… Materiali i paraqitur nga z.Tahir Berisha, dëshmon për një punë me përkushtim. Me një durim të admirueshëm, ai grumbulloi foto të panumërta individuale e kolektive, faksimile të rëndësishme, riprodhoi dokumente me vlera historike, përgaditi pasqyra e lista arsimtarësh, që kanë rëndësi për ata që do të shkruajnë historinë e zhvillimit të arsimit në ato rajone. Ai bredhi si bleta për të vjelur dëshmi gojore, nuk u kursye të shfletojë gazeta, revista e libra, të hap dosje të pluhërosura nga dollapet arkivore, duke i bërë të dhënat e grumbulluara të flasin me gojën e dëshmitarit të vërtetë. Ai vërtetë i gjeti të mbyllura dyert e këtyre institucioneve, të bllokuara fondet e bibliotekave, të dëmtuara ose të asgjësuara dokumentet arkivore, por sa më të kyqura gjindeshin këto dyer, sa më tepër fonde revistash gjendeshin të bllokuara, sa më të pranishme bëheshin kërcënimet, rreziqet dhe masat represive, aq më tepër shtohej, aq më shumë rritje këmbëngulja e autorit për të zbuluar të dhëna të reja për të pasuruar veprën e tij, për të zgjeruar dokumentacionin, fototekën etj… Dy vëllimet e T.Berishës përshkruhen nga patosi për heroizmin e këtyre mësuesve misionarë, për besnikërinë dhe vetëmohimin e tyre për shkollën dhe nxënësit e tyre, për qëndresën dhe stoicizmin e tyre ndaj vuajtjeve, ndaj ndjekjeve të policisë, ndaj të papriturave që kanoseshin nga pushtuesit. Prandaj, kjo vepër është një kontribut i madh, një nismë për një vepër më komplete për historinë e arsimit në Kosovë.”

Prof.doc.Qemal Mandia (Gjatë LDB shërbeu si mësues në Kosovë”:
“… Si veteran i arsimit mund të them se vepra e Prof.Tahir Berishës është shkruar me dashuri e durim hulumtues, sa më mallëngjeu. Besoj se këtë ndjenjë do ta provojë kushdo që e lexon e që ka punuar në arsim (dhe i rodhën lotët gjatë leximit-TB)… Vepra e z.Berishës është rezultat i një pune të madhe të vështirë e të guximshme për nga grumbullimi e hulumtimi i dokumenteve. Është e pasur për vlerat që paraqet… Ajo është një kontribut i rëndësishëm për historinë e plotë të shkollës e të arsimit tonë kombëtar…”

Gani Demiri – Ratkoceri:
“… Vepra e z.Tahir Berishës ka një rëndësi të madhe e të veçantë, sepse është vepra e parë që shtjellon kontributin e madh që kanë dhënë arsimtarët shqiptarë për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës në Kosovë e në trevat e tjera etnike shqiptare jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë… Kjo vepër madhore në rreth 1100 faqe në dy vëllime, hedh dritë mbi punën e palodhur të mësuesve të nderuar shqiptarë të viteve 1941 – 1951, për zhvillimin e arsimit e të kulturës kombëtare shqiptare në Kosovë e vise të tjera etnike shqiptare të mbetura nën regjimet e ish-Jugosllavisë… Lexuesi ndjen krenari e kënaqësi të papërshkruar kur e shfleton këtë libër e lexon për veprimtarinë e (2032) veteranëve të arsimit, të cilët parakalojnë para tij si në paradë ushtarake, kur rendohen para tij portrete e biografi me përpjekjet e punën e një armate mësuesish – edukatorësh të shumë brezave të popullit tonë. Këta veteranë meritojnë respekt e dashuri. Veç këtyre, lexuesin e rremben edhe kurreshtja që të dijë për punën, sakrificat, ku lindën, ku mësuan, ku punuan, sepse të tilla kanë qenë kushtet dhe rrethanat, në të cilat punuan…”

Prof.dr.Musa Kraja:
“… I nderuari z.Berisha, Ju keni bërë një punë shumë të vlertë, duke çarë me plot sukses në letërsinë dokumentare pedagogjike, duke vlerësuar më të thjeshtët e më të mëdhenjtë njerëz – mësuesit… Ju ishit vetë mësues e Kryemësues me shkronjë të madhe. Ju i njohët dhe i kuptuat e i ndjetë ata, prandaj u ulët e hulumtuat, kërkuat e kërkuat gjithandej, seleksionuat pa paragjykime krahinore, fetare e ideologjike, por u nisët nga MËSUESIT E SHKOLLËS SHQIPE. Prandaj, vepra Juaj është pritur dhe pritet mirë, si mirënjohje e thellë për kolegët tanë. Si i thonë një fjale “Trimi e do trimin”, “Fisniku e do fisnikun”, “Mësuesi i vërtetë e do mësuesin”… Prandaj, vepra Juaj flet edhe me ne, mësuesit e studjuesit shqiptarë të këtej kufirit, e na flet konkretisht se është letërsi dokumentare pedagogjike, fushë në të cilën po krijoni emrin Tuaj të nderuar…”
--------------------


MËSUESVE VETERANË

Erdhën bashkë me shkronjat
Dhe dashurinë në zemër,
Nga Shqipëria Mëmë
N’Kosovën – Bijë trime,
Në votrën e vëllait
Plot kalamaj t’uritur
Për dije sa për bukën.

Dhe na i hapën shkollat,
Dhe na e ndritën mendjen,
Dhe na e shtuan shpresën,
Me shkronjat fanar drite,
Me shkronjat arbdhetare,
Dhe na e shtuan rritën
Nga pjerrët – vertikale.

Ne për jetë borxh ua kemi
Një falënderim dhe zotim:
S’do t’i harrojmë prore
Këta të arsimit pishtarë,
Këto statuja – përmendore
Dhe hapin s’do ta ndalim
Deri në fitore

Mujë Berisha
Tiranë, 1.XI.1996
--------------------

Intervistë

Promovim: "Emra qe nuk harrohen" Vellimi II, Prishtine 1996


Kujtim i përbashkët

Promovimi i vëllimit II të monografisë “EMRA QË NUK HARROHEN – ARSIMTARËT VETERANË (1941 – 1951)”, në Prishtinë më 26.09.1996

Për vlerat e këtij vëllimi me referate u paraqitën Prof.dr.Pajazit Nushi dhe Dr.Abdullah Vokrri, ndërsa në diskutim morën pjesë: Dr.Mehmet Halimi, Prof.dr.Xhevahir Shaqiri, Prof.dr.Kajtaz Rrecaj, Ismajl Bajra, Mustafa Bahtiri, Prof.dr.Shefki Sejdiu, Mr.Hashim Islami, znj.Mehrije Rexha ( e veja e Prof.Zekerija Rexhës) që erdhi nga Tirana etj.

Në fund e mori fjalën edhe autori, i cili falënderoi organizatorët dhe u dhuroj mysafirëve nga një ekzemplar të Monografisë.


FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER

Promovim: "Emra Qe Nuk Harrohen" Vellimi I, Prishtine 1995


Kujtim i përbashkët para Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë

Promovimi i vëllimit I të monografisë “EMRA QË NU HARROHEN – ARSIMTARËT VETERANË (1941 – 1951) dhe Arsimi shqip në Kosovë”, në Prishtinë më 17.VI.1995

Promovimi u mbajt në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Tubimin e kryesoi zoti Mehmet Gjevori, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës. Me referate u paraqitën Prof.dr.Pajazit Nushi dhe Dr.Abdullah Vokrri, kurse në diskutim morën pjesë: Beqir Musliu – poet, Prof.dr.Musa Limani, Prof.Zeqir Muçolli, Dr.Mehmet Rukiqi, Prof.dr.Tefik Basha, Prof.dr.Isak Shema, Mr.Ahmet Kelmendi, Xhafer Kabashi – veteran i arsimit, Prof.dr.Xhavit Ahmeti – këshilltar i Presidentit Dr.Ibrahim Rugova etj.

Në fund u falënderua edhe autori dhe vazhdoi kokteli dhe shkëmbimi i mendimeve deri vonë…


FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER


--------------------

MEHMET GJEVORI:
“… Vetë mësues, profesor e drejtor shkolle, inspektor e kryeinspektor i arsimit në Kosovë, njëri nga iniciatorët e Takimeve të veteranëve të arsimit të Kosovës (1982 – 1989) dhe gjithnjë organizator e sekretar i tyre, Tahir Z.Berisha diti të mbledhë e të mbarështrojë në këtë libër të dhënat themelore për arsimtarët, por edhe problematikën e arsimit shqip që nga shkolla e parë shqipe e deri në ditët tona. Me pak fjalë, me një stil të rrjedhshëm e shtjellim të thukët, me një gjuhë të pastër letrare, T.Berisha e shtron lëndën në mënyrë shumë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, të afrueshme edhe për shtresat më të gjera të lexuesve, e të nevojshme dhe të dobishme edhe për punonjësit e arsimit e të shkencës që duan ta njohin dhe ta shtjellojnë më tutje këtë lëndë.”

Dr.ABDULLAH VOKRRI:
“… Autori me të drejtë konstaton se kjo plejadë e arsimtarëve dhe kuadro që do ta zhvillojnë edhe shkencën e kulturën shqiptare, artin e letërsinë dhe do të krijojnë bërthamën e kuadrove edhe për institucionet tona më të larta arsimore, shkencore e kulturore. Edhe pse mbi ta u vërsulën stuhitë dhe dallgët më të egra dhe barbare, ata nuk u ndanë kurrë nga misioni i tyre fisnik. Përkundrazi, punuan me ngulm dhe me mençuri ditën ta ruajnë fizionominë e shkollës sonë kombëtare. Për këta flitet në Leksikonin e arsimtarëve, në të cilin, për herë të parë në historikun e shkollave shqipe të Kosovës, janë shënuar në një vend biografitë e shkurtra të mbi një mijë veteranëve të arsimit, të cilët shërbyen në këto vise gjatë periudhës 1941 – 1951 e më vonë.”

Promovim: "Trojet qe nuk shuhen" Verban 1994


Kujtim i përbashkët para xhamisë

Promovimi i librit “TROJET QË NUK SHUHEN (Shënime nga Vërbani dhe Anamorava)”, në fshatin e lindjes së autorit, në Vërban, më 22.V.1994

Fjalën e hyrjes e mbajti Prof.Nezir Selmani – Zharku, ndërsa në diskutime morën pjesë Prof.dr.Musa Limani, zoti Rabit Rexhepi (veteran i arsimit), Prof.Mujë Berisha (shkrimtar), Prof.Xhevat Emërllahu etj.


FOTO ALBUMI
Me poshte mund te shihni foto nga promovimi.
Per te pare albumin, ju duhet FLASH PLAYER


--------------------
Prof.Nezir Selmani:
Nezir Selmani“Dëshira e dashuria janë ‘flatra’ për vepra të mëdha. Këto dy cilësi e nxitën Tahir Berishën që të shkruaj një libër për vendlindjen, për farefisin, për të afërmit, për bashkëvendësit dhe për popullin e vet me të cilin e ndau të mirën dhe të keqen, të ëmblën dhe të hidhurën… Ndër bukuritë e katundit Vërban, siç shkruan autori, qenë edhe lisat. Ata ishin simbol i rrebesheve të shumëta. Ata ishin dëshmitarët më të mirë të vuajtjeve e të mjerimeve të këtij populli. Autori shfaq një sentimentalitet dhe një dëshpërim të madh për prerjen e tyre nga këshilli i fshatit… Herët autori përjetoi shumë represalje, qysh kur ia vranë babain para syve të tij dhe vetëm në saje të gjatësisë së trupit të babait shpëtoi dhe mbeti gjallë djali. Shpëtoi djali ‘i dëshirit’ të cilin nëna e priti 16 vjet dhe siç thotë Kadareja: ‘Kjo është shkretërira më e trishtueshme për një gura’. Nëpër këto represalje kaluan shumë patriotë shqiptarë të Anamoravës, që autori ia bën të njohur gjeneratave të reja, sepse ata u munduan ta ndihmojnë, ta edukojnë, ta arsimojnë dhe ta qesin në dritë këtë popull si dhe vetë autori i këtij libri, i cili që nga rinia e hershme e gjer në pensionim u mundua të punojë me ndërgjegje që t’ua bëjë jetën më të lumtur të gjithe njerëzve përreth tij… Nuk mund të mos e përmendim këtu pjesën e tretë, e ndoshta më të rëndësishme, të autorit, e cila me të vërtetë është një beletristikë që buron nga zemra e pastër e atëbotë e re me plot kreativitet e talent të hovshëm, që si thotë edhe vet në faqen 12, ia ndalën hovin përfaqësuesit e ‘devotshëm’ të pushtetit. Por nuk është i vetmi Tahiri që ia ndalën hovin, shumë e shumë penda u thyen që në fëmijërinë e tyre, në hapat e parë të jetës dhe u zhdukën njëherë e përgjithmonë. Nga tri poezi e katër proza që i kemi në këtë libër, shihet se po lindte një talent i rrallë dhe po mos t’i ishte ndalë hovi tani me siguri do të kishim një shkrimtar me një fond krijimtarie të pasur si në prozë ashtu edhe në poezi e ndoshta edhe në gjininë më të vështirë në dramë… Që në vjershën e parë autori paraqet autoktoninë e shqiptarëve, të cilët me gjithë dimrin e ftohtë e lagështinë, figura këto që simbolizojnë rrebeshet e pushtuesve nuk largohen nga shtëpitë e tyre:

‘Këtu, ku së pari pamë qiellin,
Të mirat – të këqijat do t’i presim,
Këtu më këndshëm na ngroh dielli,
Këtu të qetë, pra dhe të vdesim!’

… Me ‘Lisi në derë të kovaçit’, autori simbolizon popullin shqiptar, i cili gjithmonë ka qenë i përsekutuar e i përbuzur nga barbarët, por i ka qëndruar stoikisht çdo rrebeshi sikur lisi në derë të kovaçit… Libri ‘Trojet që nuk shuhen’, siç e kemi thënë edhe më parë, ka një titull simbolik, sepse autori që në fillim, me anë të këtij titulli, na tregon se populli s’ka mort, sepse atë e kanë krijuar mijëvjeçarët e nuk mund ta zhdukë momenti. Berisha me këtë libër na ka ofruar një lloj antologjie, një kopsht me lule ku mund të mbledhin të gjitha shtresat, sepse ka material të llojllojshëm: publicistikë, beletristikë, histori, etnologji e të tjera. Ai është i afërt e i dashur për të gjithë, sepse shkruan me popullin e për popullin, e letërsia sa më shumë që të lidhet për fatin e vendit e të popullit, aq më e madhe është. Edhe Lorka ka thënë: ‘Lani sytë me ujët e gurrës së vendlindjes së juaj’… Pra, edhe ky libër do të jetë libri më i dashur në bibliotekat personale të gjeneratës së re, e veçanërisht të atyre të Anamoravës e sidomos të atyre të bashkëvendësve të autorit – të katundit Vërban, sepse nëse dëshiron dikush të përpilojë ndonjë monografi për Anamoravën, si bazë do ta ketë këtë libër për ta paraqitur në fusnota dhe për ta bërë të pavdekshëm autorin.”


Prof.dr.Musa Limani:
Prof.dr.Musa Limani“… Kam kënaqësine e veçantë që sot gjendem para vërbanasve për dy arsye: së pari që në fshatin e autorit, pas disa promovimeve të mëparshme bëhet promovimi i veprës ‘Trojet që nuk shuhen’ dhe së dyti që për herë të parë unë, ‘vëllau i juaj i vogël’, gjendem në mesin e juaj, të vëllezërve të gjakut tim. Në këtë vepër autori në pika të shkurtëra ka paraqitur prejardhjen e Vërbanit tim nga Vërbani i juaj dhe unë sot jam plot emocione dhe shfrytëzoj nga rasti që kjo datë (22 maji), të mbetet datë tradicionale për takimin e vërbanasve të të dy Vërbaneve… Duke mos pasur pretendime që të bëj ndonjë vështrim kritik, mund të them se vepra ‘Trojet që nuk shuhen’ paraqet një monografi për fshatin Vërban, duke e përshkruar historikun dhe rritën e këtij fshati, si dhe veprimtarinë patriotike të individëve të fshatit dhe popullatës së Anamoravës. Me këtë autori ka tentuar t’i vejë theksin rrezistencës aktive që bënë individët dhe popullata a Anamoravës kundër okupatorit serbosllav. Këtu, mbështetet rëndësia e kësaj vepre dhe kontributi i autorit. Andaj, kjo vepër duhet të na shërbejë si shembull, për shkruarjen e monografive të fshatrave e trojeve tona, nëpërmes të cilave në mënyrë autoktone, me argumente dhe objektive do të formohet historia jonë kombëtare… Me siguri, autori për shkak të modestisë apo për arsye të tjera, në këtë vepër nuk flet për veprimtarinë e tij arsimore – pedagogjike. Z.Tahir Berisha i takon gjeneratës që është pishtare e arsimit shqip. Veprimtarinë e vet arsimore e fillon në ciklin e ulët shkollor, duke shërbyer si mësues, në pjesët veriore të trojeve shqiptare (Zarbincë), atëherë kur mbi 90% e popullatës shqiptare ishte analfabete, mandej duke u inkuadruar profesor dhe drejtor në ciklin e shkollimit të mesëm, e deri te inspektori i arsimit në nivel të Kosovës. Kudo që punoi la përshtypjen e njeriut, pedagogut dhe intelektualit të mirëfilltë, për çka ishte i dashur si nga nxënësit ashtu edhe nga kolektivi dhe rrethi ku punoi e veproi…

… Në vazhdim më lejoni që t’u prezentoj vetëm dy raste që mua më kujtohen si nxënës, kur z.T.Berisha ishte drejtor i shkollës së mesme ekonomike në Gjilan.

Rasti i parë. – Për arsye objektive nuk isha paraqitur me kohë të regjistrohesha në shkollë të mesme. Kishte kaluar më shumë se një muaj nga fillimi i vitit shkollor, kur unë me babain trokitëm në derën e kësaj shkolle. Babai pasi u përshëndet me drejtorin i tha: ‘E kam sjellë djalin që ta regjistroj te ju, por pak jam vonue…’. Drejtori pa u hamendur i tha:’Për këtë nuk ka problem. Këtë punë do ta kryejmë, por më tregoni se nga jeni?’. ‘Po, unë jam nga Vërbani’ – iu përgjigj babai. ‘Nga Vërbani, po si asht e mundun që të mos njihemi, sepse edhe unë jam nga Vërbani?!’ – i tha drejtori. ‘Po kjo asht e mundun – i tha babai – sepse unë jam nga Vërbani i Bujanocit e ti je nga Vërbani i Vitisë’. Drejtori si i habitur tha: ‘Sot po ndëgjoj se qenka edhe nji Vërban’. Kështu, z.T.Berisha, për ‘vëllaun e vogël’ theu ligjin dhe aktet normative të shkollës dhe më regjistroi në shkollë edhe pse isha vonuar gati plot dy muaj nga fillimi i vitit shkollor. Mirëpo nuk gaboi pasi që me atë potez fitoi një doktor të shkencave ekonomike dhe një pedagog universitar.

Rasti i dytë. – Do t’ju rrëfej për rastin që ka të bëj me portretin e Skënderbeut. Mua më shkonte vizatimi dhe për të gjitha figurat historike që i mësonim i vizatoja. Në këtë kohë në program për historinë kombëtare mësonim shumë pak. Në vitin e dytë nga historia jonë kombëtare profesori i historisë shpjegoi ndër të tjera edhe për Skënderbeun. Ato ditë fshehurazi më ra në dorë një libër nga Shqipëria, ku gjendej portreti i Skënderbeut. Unë me të shpejtë bleva hamerin dhe tushin e zi dhe për një ditë e vizatova këtë portret. Të nesërmen më i gëzueshëm se kurdoherë më parë, më herët se ditave tjera, shkova në shkollë dhe hyra drejt në zyrën e drejtorit. Nga drejtori kërkova që portreti të futej në kornizë. Drejtori pa u hamendur fare më përkëdheli duke më thënë: ‘Të lumshin duert, bukur e paske vizatue Skënderbeun, mu ashtu si e meriton nji hero kombëtar!’. Ai thirri kuririn i cili poashtu quhej Tahir. Meqë kishte besim të plotë te kuriri i shkollës, i tha të hiqej fotografia e Rankoviqit dhe kornizën ta sjellte në zyre. Kështu u bë dhe në kornizën e fotografisë së Rankoviqit e vumë portretin e Skënderbeut. Unë me të shpejtë vrapova për në klasë duke iu treguar shokëve vizatimin që e kisha bërë. Kur e panë portretin e Skënderbeut nga entuziazmi dhe emocioni kombëtar e gjithë klasa u çua në këmbë duke brohoritur: ‘Rroftë Skënderbeu!’. Me insistimin e shokëve të klasës portretin e Skënderbeut e vumë për gjysmë më lartë se fotografia e Titos. Ishte viti 1962. Për këtë gjë shumë shpejtë u informuan organet përkatëse të komunës së Gjilanit dhe gjatë pauzës së parë erdhën nga organet e sigurimit dhe e morën këtë portret. Për këtë gjë u muar në pyetje drejtori dhe disa profesorë (profesori i gjuhës shqipe dhe i historisë), por jo edhe unë si autor i vizatimit.”


Rabit Rexhepi, veteran i arsimit:
Rabit Rexhepi“E kam lexuar librin e mikut tim Tahir Berisha, por më duket se recensentët i kanë vënë në pah të gjitha vlerat e tij primare, ndaj nuk shoh të nevojshme që edhe unë të veçoj diç të posaçme. Por, shoh të nevojshme që këtu, në Vërban, në vendlindjen e Tahirit dhe para bashkëvendësve të tij, intelektualëve të këtij mjedisi, të flas rreth kontributit të çmuar që Tahiri i dha arsimit të Anamoravës në veçanti dhe atij kosovar në përgjithësi…

… Tahir Berisha me mund dhe vullnet të pashoq, por si tiktaku i orës së mirë për gati pesë decenie i kontribuoi vetëdijësimit të popullit shqiptar. I frymëzuar nga ky çast solemn, për punën e çmuar të Tahirit i shkrova edhe ca rreshta e vargje që nuk ia nënshtrova as rregullave të metrikës poetike, as të prozës, por që në mënyrë të sinqertë flasin për kontributin e Tahir Berishës:

Viteve shkollorë në vitet ’60-ta,
Në qytetin Gjilan,
Një arsimdashës i fisit Berishë,
Jo n’xhami, as n’kishë
Por në shkollë si drejtor,
Bëri mrekulli dhe arsimit i dha hov…”

Promovim: "Trojet qe nuk shuhen" Prishtine 1993


Pamje nga Kryesia e punës

Promovimi kryesor i librit “TROJET QË NUK SHUHEN (Shënime nga Vërbani dhe Anamorava)”, në Prishtinë më 23.VII.1993.

Tubimin e hapi përfaqësuesi i botuesit NPB “Valton”, Zenun Rexhepi, e në diskutim morën pjesë: Zoti Mehmet Gjevori, redaktor i librit, Dr. Tefik Basha, recensent, Dr.Mehmet Halimi, lektor, Akademik dr.Jashar Rexhepagiq, Vehap Shita, kritik letrar, Dr. Engjëll Sedaj, Selim Musliu, Idriz Alaj, gazetar, Prof.dr.Kajtaz Rrecaj, Prof.dr.Dali Emërllahu, Dr.Sabit Uka, Dr.Sabile Keçmezi-Basha, Mr Zijadin Munishi, Prof.Salih Nushi, Zeqir Muçolli, prof.Shefqet Qorolli, prof.Mujë Berisha, shkrimtar dhe Suat Berisha, ekonomist i diplomuar etj.

Të gjithë e çmuan lartë veprën dhe e përgëzuan autorin, duke i uruar sukses edhe në punën e ardhshme. Në fund u falënderua edhe autori dhe pas përfundimit të promovimit vazhdoi kokteli.


FOTO ALBUMI
Me poshte mund te shihni foto nga promovimi.
Per te pare albumin, ju duhet FLASH PLAYER


--------------------
Prof.dr.Tefik Basha:
Prof.dr.Tefik Basha“Në këtë vepër të Tahir Berishës vehen në spikamë vuajtjet, skamja, torturat, masakrat dhe presionet që e karakterizonin tërë popullatën shqiptare ndër shekuj, e që ishin regjistruar në mendjen e fëmijërisë së tij të hershme. Si në kujtesën e tij, ashtu edhe në kujtesën e fshatarëve tjerë me kohë ishin ngulitur të gjitha poshtërimet, tradhtitë, krimet, shpërnguljet dhe dëbimet e kësaj popullate nga vatrat dhe trojet e tyre shekullore, si dhe shlyerja e ca vlerave të relikteve kombëtare. Prandaj, autori, i shtyer nga kurreshtja dhe dashuria e madhe, por edhe nga malli e nostalgjia për vendlindjen, shpeshherë shfryhet në shkrimet e veta të kohëpaskohshme në shtypin tonë të përditshëm.”

Vehap Shita:
Vehap Shita“Në një libër ‘monografiko-kronik’ e ‘publicistiko-artistik’, si ky, Tahir Berisha është përcaktuar për një vepër që do të pasqyrojë fatin e njeriut dhe të mjedisit që ai e do me gjithë shpirt, që i kthehet dhe jeton gjithnjë me të. Së këndejmi edhe gjithë dashuria dhe sinqeriteti me të cilin ai i përshkruan ngjarjet e situatat, njerëzit dhe fatet e tyre. Shikuar nga ky aspekt, libri edhe mund t’i kalojë caqet e ngushta lokale dhe të marrë vlera të përgjithshme nacionale dhe universale, pa marrë parasysh tërë përkorësinë me të cilën autori mund t’i jetë përveshur koncipimit dhe thurjes së tij.

Duke u nisur nga këto që thashë më sipër, mendoj se ky libër, ndonëse në kohë të vështira në të cilat po gjendemi, vlen të botohet dhe do të jetë një dokument i vlefshëm jo vetëm për Vërbanin e Anamoravën, ku e ka dislokuar autori, por edhe për Kosovën dhe popullin tonë në tërësi, për jetën dhe fatin tonë në periudha dramatike të njëmendësisë sonë në të kaluarën jo fort të largët dhe sot.”

Promovim: "Trojet qe nuk shuhen" Zarbince 1993


Ndërtesa e Sh.F. të Zarbicës

Promovimi i librit “TROJET QË NUK SHUHEN (Shënime nga Vërbani dhe Anamorava)”, mbajtur në Zarbicë të Bujanocit, më 2 korrik 1993.

Tubimin e hapi Zenun Rexhepi, përfaqësues i Botuesit NPB “Valton”, ndërsa në diskutim morën pjesë: Prof.dr.Tefik Basha, recensent i librit, Dr.Mehmet Halimi, lektor, Prof.dr.Dali Emërllahu, Prof.Tefik Geci, Sabit Murati, drejtor i Shkollës Fillore “Skenderbeu” në Zarbicë etj. Në fund u falënderua edhe autori.

Çka i parapriu këtij promovimi në Zarbicë?

Në të përditshmen “Bujku” të 8 janarit 1993 me pikëllim të thellë lexova lajmin se ishte djegur ndërtesa e Shkollës Fillore “Skënderbeu” në Zarbicë, të cilën e kisha hapur për herë të parë në vitin 1946, kur, si 18-vjeçar, sapo e pata marrë ditarin në dorë. Edhe më tepër u brengosa kur mora vesh se afër 300-400 nxënës shqiptarë të fshatrave: Zarbicë, Ramabuqe, Suharnë, Novosellë, Priboc dhe Qarr, kishin mbetur jashtë në pikë të dimrit, ndërsa organet e pushtetit lokal heshtnin dhe nuk e thoshin asnjë fjalë për shkaqet e djegies së saj e as për mundësitë e ndërtimit të godinës së re.

Aty për aty, si mësues i parë i kësaj shkolle, më lindi ideja që të bëjmë një apel publik për ndihmë dhe i pari premtova pensionin tim mujor, për ndërtimin e shkollës së re. Ky apel, që pas katër ditësh u botua në të përditshmen “Bujku”, bëri jehonë të madhe dhe gëzoi përkrahje si te mësuesit që kishin shërbyer në atë shkollë, ashtu edhe te popullsia arsimdashëse e asaj ane, e u treguan të gatshme për ndihmë edhe disa firma private dhe sidomos punëtorët tanë me punë të përkohshme në botën e jashtme. Nuk vonoi dhe nga kolektivi i shkollës më arriti falënderimi me shkrim dhe autorizimi që të formojmë edhe në Prishtinë një këshill për mbledhjen e ndihmave.

Këshillin e formuam, mblodhëm një sasi ndihmash dhe më 2 korrik 1993, në ditën e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, e vizituam Zarbicën për të dorëzuar ndihmat simbolike që kishim mbledhur. Në solemnitetin e rastit bëmë edhe një lloj promovimi të librit “Trojet që nuk shuhen”. Me atë rast, si mësues i parë i kësaj shkolle, kolektivit të arsimtarëve, disa ish-nxënësve të mi dhe prindërve të nxënësve të sotëm, iu drejtova me një fjalim që më vonë u botua në vëllimin I të librit “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951)”, Prishtinë 1994.


FOTO ALBUMI
Me poshte mund te shihni foto nga promovimi.
Per te pare albumin, ju duhet FLASH PLAYER