
Kujtim i përbashkët para xhamisë
Promovimi i librit “TROJET QË NUK SHUHEN (Shënime nga Vërbani dhe Anamorava)”, në fshatin e lindjes së autorit, në Vërban, më 22.V.1994
Fjalën e hyrjes e mbajti Prof.Nezir Selmani – Zharku, ndërsa në diskutime morën pjesë Prof.dr.Musa Limani, zoti Rabit Rexhepi (veteran i arsimit), Prof.Mujë Berisha (shkrimtar), Prof.Xhevat Emërllahu etj.
Fjalën e hyrjes e mbajti Prof.Nezir Selmani – Zharku, ndërsa në diskutime morën pjesë Prof.dr.Musa Limani, zoti Rabit Rexhepi (veteran i arsimit), Prof.Mujë Berisha (shkrimtar), Prof.Xhevat Emërllahu etj.
FOTO ALBUMI
Me poshte mund te shihni foto nga promovimi.
Per te pare albumin, ju duhet FLASH PLAYER
--------------------
Prof.Nezir Selmani:

‘Këtu, ku së pari pamë qiellin,
Të mirat – të këqijat do t’i presim,
Këtu më këndshëm na ngroh dielli,
Këtu të qetë, pra dhe të vdesim!’
… Me ‘Lisi në derë të kovaçit’, autori simbolizon popullin shqiptar, i cili gjithmonë ka qenë i përsekutuar e i përbuzur nga barbarët, por i ka qëndruar stoikisht çdo rrebeshi sikur lisi në derë të kovaçit… Libri ‘Trojet që nuk shuhen’, siç e kemi thënë edhe më parë, ka një titull simbolik, sepse autori që në fillim, me anë të këtij titulli, na tregon se populli s’ka mort, sepse atë e kanë krijuar mijëvjeçarët e nuk mund ta zhdukë momenti. Berisha me këtë libër na ka ofruar një lloj antologjie, një kopsht me lule ku mund të mbledhin të gjitha shtresat, sepse ka material të llojllojshëm: publicistikë, beletristikë, histori, etnologji e të tjera. Ai është i afërt e i dashur për të gjithë, sepse shkruan me popullin e për popullin, e letërsia sa më shumë që të lidhet për fatin e vendit e të popullit, aq më e madhe është. Edhe Lorka ka thënë: ‘Lani sytë me ujët e gurrës së vendlindjes së juaj’… Pra, edhe ky libër do të jetë libri më i dashur në bibliotekat personale të gjeneratës së re, e veçanërisht të atyre të Anamoravës e sidomos të atyre të bashkëvendësve të autorit – të katundit Vërban, sepse nëse dëshiron dikush të përpilojë ndonjë monografi për Anamoravën, si bazë do ta ketë këtë libër për ta paraqitur në fusnota dhe për ta bërë të pavdekshëm autorin.”
Prof.dr.Musa Limani:

… Në vazhdim më lejoni që t’u prezentoj vetëm dy raste që mua më kujtohen si nxënës, kur z.T.Berisha ishte drejtor i shkollës së mesme ekonomike në Gjilan.
Rasti i parë. – Për arsye objektive nuk isha paraqitur me kohë të regjistrohesha në shkollë të mesme. Kishte kaluar më shumë se një muaj nga fillimi i vitit shkollor, kur unë me babain trokitëm në derën e kësaj shkolle. Babai pasi u përshëndet me drejtorin i tha: ‘E kam sjellë djalin që ta regjistroj te ju, por pak jam vonue…’. Drejtori pa u hamendur i tha:’Për këtë nuk ka problem. Këtë punë do ta kryejmë, por më tregoni se nga jeni?’. ‘Po, unë jam nga Vërbani’ – iu përgjigj babai. ‘Nga Vërbani, po si asht e mundun që të mos njihemi, sepse edhe unë jam nga Vërbani?!’ – i tha drejtori. ‘Po kjo asht e mundun – i tha babai – sepse unë jam nga Vërbani i Bujanocit e ti je nga Vërbani i Vitisë’. Drejtori si i habitur tha: ‘Sot po ndëgjoj se qenka edhe nji Vërban’. Kështu, z.T.Berisha, për ‘vëllaun e vogël’ theu ligjin dhe aktet normative të shkollës dhe më regjistroi në shkollë edhe pse isha vonuar gati plot dy muaj nga fillimi i vitit shkollor. Mirëpo nuk gaboi pasi që me atë potez fitoi një doktor të shkencave ekonomike dhe një pedagog universitar.
Rasti i dytë. – Do t’ju rrëfej për rastin që ka të bëj me portretin e Skënderbeut. Mua më shkonte vizatimi dhe për të gjitha figurat historike që i mësonim i vizatoja. Në këtë kohë në program për historinë kombëtare mësonim shumë pak. Në vitin e dytë nga historia jonë kombëtare profesori i historisë shpjegoi ndër të tjera edhe për Skënderbeun. Ato ditë fshehurazi më ra në dorë një libër nga Shqipëria, ku gjendej portreti i Skënderbeut. Unë me të shpejtë bleva hamerin dhe tushin e zi dhe për një ditë e vizatova këtë portret. Të nesërmen më i gëzueshëm se kurdoherë më parë, më herët se ditave tjera, shkova në shkollë dhe hyra drejt në zyrën e drejtorit. Nga drejtori kërkova që portreti të futej në kornizë. Drejtori pa u hamendur fare më përkëdheli duke më thënë: ‘Të lumshin duert, bukur e paske vizatue Skënderbeun, mu ashtu si e meriton nji hero kombëtar!’. Ai thirri kuririn i cili poashtu quhej Tahir. Meqë kishte besim të plotë te kuriri i shkollës, i tha të hiqej fotografia e Rankoviqit dhe kornizën ta sjellte në zyre. Kështu u bë dhe në kornizën e fotografisë së Rankoviqit e vumë portretin e Skënderbeut. Unë me të shpejtë vrapova për në klasë duke iu treguar shokëve vizatimin që e kisha bërë. Kur e panë portretin e Skënderbeut nga entuziazmi dhe emocioni kombëtar e gjithë klasa u çua në këmbë duke brohoritur: ‘Rroftë Skënderbeu!’. Me insistimin e shokëve të klasës portretin e Skënderbeut e vumë për gjysmë më lartë se fotografia e Titos. Ishte viti 1962. Për këtë gjë shumë shpejtë u informuan organet përkatëse të komunës së Gjilanit dhe gjatë pauzës së parë erdhën nga organet e sigurimit dhe e morën këtë portret. Për këtë gjë u muar në pyetje drejtori dhe disa profesorë (profesori i gjuhës shqipe dhe i historisë), por jo edhe unë si autor i vizatimit.”
Rabit Rexhepi, veteran i arsimit:

… Tahir Berisha me mund dhe vullnet të pashoq, por si tiktaku i orës së mirë për gati pesë decenie i kontribuoi vetëdijësimit të popullit shqiptar. I frymëzuar nga ky çast solemn, për punën e çmuar të Tahirit i shkrova edhe ca rreshta e vargje që nuk ia nënshtrova as rregullave të metrikës poetike, as të prozës, por që në mënyrë të sinqertë flasin për kontributin e Tahir Berishës:
Viteve shkollorë në vitet ’60-ta,
Në qytetin Gjilan,
Një arsimdashës i fisit Berishë,
Jo n’xhami, as n’kishë
Por në shkollë si drejtor,
Bëri mrekulli dhe arsimit i dha hov…”
No comments:
Post a Comment