Promovim: "Shenime dhe Ecejake", Londer 2001


Panoramë e Londrës

Promovimi i ditarit “SHËNIME DHE ECEJAKE TË NJË REFUGJATI NGA KOSOVA”, në Londër më 21.01.2001

Në organizim të Bashkësisë Shqiptare “Faik Konica” në Britani të Madhe, në Londër u promovua ky libër që u botua dhe u ribotua në Angli e që përfshinë ecejaket e autorit dhe përjetimet e tij gjatë luftës dhe qëndrimit nëpër kampet e refugjatëve në Maqedoni dhe Turqi.

Promovimin e kryesoi z.Talat Pllana, kryetar i kësaj bashkësie, kurse për vlerat e veprës foli Profesor Sami Islami, recensent dhe lektor i librit. Në diskutim morën pjesë Zoti Simon Kuzhnini, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, Ferdinand Nikaj, Agron Biba etj.

Me këtë rast me recitime u dalluan nxënësit Arben dhe Fitore Pllana, Labeat Islami dhe vogëlushi Besar Zasella. Mbresa të veçanta la edhe aktori Driton Miftari me monologun “Amaneti i Adem Jasharit”. Në fund edhe autori falënderoi organizatorët dhe u dhuroi nga një ekzemplar të librit.
--------------------
Dr. ILJAZ GOGAJ,
ish punëtor i Institutit të Historisë në Tiranë:

"... Vlerë të veçantë merr libri edhe për të dhënat që na jep autori për veprimtarinë kulturore patriotike të shqiptarëve në diasporë, posaçërisht në ishullin Britanik, ku ai vetë është një ndër veprimtarët aktivë. Intelektual me interesa albanistike, me kulturën e plotësuar dhe kurreshtar e zelltar siç është, ai ka mundur të futet bukur mirë në universin e botës së "katundit të madh" Londër dhe të zbulojë sa më shumë fakte historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Autori na jep të thuash një galeri të tërë personalitetesh e personash shqiptarë në Angli, ku vihen në pah të dhëna të reja për figura si Ahmet Zogu dhe pastaj me rradhë Faik Konica, Tajar Zavalani, Dervish Duma, Anton Logoreci, Alfred Andoni, Qazim Kastrati, Ihsan Bej Toptani etj...

...E pasur në dokumente dhe fakte të tjera të vërteta jetësore, lënda e veprës së Tahir Berishës kuptohet bindshëm dhe, falë stilit të shtruar dhe të përmbajtur, gërshetuar me mençuri popullore, ajo lexohet këndshëm dhe bëhet kësisoj një libër i mirëpritur prej lexuesve. Veçanërisht i kërkuar duhet të jetë libri në mërgim, ku bren dhimbja e plagës së kurbetit. Pastaj libri bëhet joshës me fotot e shumta cilësore (meritë e veçantë e autorit) si edhe me mbulesën e gjetur në përmbajtje dhe në formë."

--------------------
Zeqir Muçolli, prof.:
"... Tahir Berisha librin "Shënime dhe ecejake" e ka begatuar me të dhëna shumë interesante për lexuesin, të cilat kanë të bëjnë me shqiptarët dhe miqtë e tyre në këtë vend (Angli) të cilët me veprimtarinë e tyre i ndihmuan në mënyra të ndryshme prezentimit të popullit dhe të çështjes shqiptare dhe kështu ndihmuan në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje. Kështu lexuesi i këtij libri do të ketë mundësi që të njihet me Aubrey Herbertin, themeluesin e parë të Shoqatës Anglo - Shqiptare më 1912, pastaj me Edit Durhamin, mike e madhe e popullit shqiptar, Herry Hodgkinson, kryetarin e Shoqatës Anglo - Shqiptare të viteve 1985 - 1994, si dhe kryetarin e tanishëm të kësaj shoqate z.Noel Malkolm, i cili njëherësh është edhe autor i librit "Kosova - një histori e shkurtër" ...

... Ky libër ka shumë material dokumentues, kështu ai përmban 383 fotografi, 5 harta, 5 piktura etj. ..."

--------------------
Nezir Selmani, prof.:
"... Në librin "Shënime dhe ecejake", Tahir Berisha na i paraqet peripecitë e refugjatëve, të cilat i përjetoi edhe ai vetë, sepse pasi i kaloi tri kampe, më në fund u vendos në mbiemrin e Shqipërisë - në Londër...

... Libri i ka 120 portrete individuale; 199 portrete kolektive; 31 panorama ndërtesash si dhe 37 simbole siç janë: harta, flamuj, lapidare, varre masive e të tjera ...

... Tahiri na paraqet shënime të thukta me një stil lakonik nga të tri kampet, por më së shumti paraqet fakte nga Londra. Ai është një verlibrist me të cilin na paraqet pop-art duke na e bërë të njohur me restorantin e parë "Trepça", të cilin e kishte hapur kosovari i parë Anton M. Preça nga Peja, i cili kishte shkuar në Angli në fund të shekullit XIX. Në këtë restorant ishin mysafirë të rregullt mikesha e përbetuar e popullit shqiptar Mis Edit Durham, parlamentari Aubrey Herbert, Faik Konica e shumë miq të tjerë anglezë e patriotë shqiptarë. Gjatë mbajtjes së Konferencës së Londrës (1912 - 1913), këtë restorant e kishin vizituar edhe Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Mehmet Konica (vëllai i Faik Konicës) etj ...

... libri i Tahir Berishës është një libër i mrekullueshëm, sepse lindi nga tragjedia e një populli, nga trazimi shpirtëror i shkrimtarit , prandaj kishte me qenë mirë që kjo vepër të botohet edhe si libër xhepi ...
"
--------------------

FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER

No comments: