
Panoramë e Qytetit të Durrësit
Promovimi i librit “EMRA QË NUK HARROHEN – ARSIMTARË SHQIPTARË NË DIASPORË” të autorëve Tahir Z.Berisha, Hamza Halabaku dhe Çerkin Bytyçi që u mbajt në Durrës në kuadër të Seminarit Kombëtar “Hapësira të reja për mësimin plotësues të gjuhës shqipe”, më 23 – 25 qershor 2007.
Fjalën e hapjes e mbajti znj.Antonjeta Luli, sekretare e përgjithshme në MASH të Shqipërisë, ndërsa të pranishmit i përshëndetën zz.Genc Pollo, Ministër i Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë, Fehmi Ismaili, sekretar i përhershëm në MASHT të Kosovës, Klodian Pajuni, Prefekt i Qarkut të Durrësit, Naim Dedushi, Drejtor në Departamentin e Mërgatës në Qeverinë e Kosovës dhe Flamur Gashi, Drejtor në Institutin Kombëtar të Diasporës.
Seancën e përurimit të librit e drejtoi z.Nuhi Gashi, këshilltar i lartë në MASHT të Kosovës, kurse për veprën foli gjerësisht koautori Tahir Z.Berisha. Ai në fillim e përshëndeti iniciativën për organizimin e këtij seminari të parë të përbashkët të dy ministrive dhe uroi që kjo praktikë të vazhdoi edhe në të ardhmën, sepse mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë e vijojnë bashkarisht fëmijët shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare dhe propozoi që ministritë tona të hartojnë një program të përbashkët dhe të përgadisin tekstet më të nevojshme unike.
Në vazhdim ai theksoi se edhe tre vëllimet e kësaj monografie që u janë kushtuar mësuesve veteranë që i hapën shkollat e para legale në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, në 1600 faqe u përfshinë rreth tre mijë veteranë të arsimit të ardhur nga Shqipëria dhe viset tjera shqiptare (që janë shkolluar në Shqipëri). Ata punuan me përkushtim e enthuziazëm të madh dhe nxënësve të këtyre viseve për herë të parë në mënyrë legale ua mësuan gjuhën amtare dhe ua zhvilluan ndjenjat kombëtare gjatë periudhës 1941 – 1951.
Por, edhe ky vëllimi IV nën të njëjtin titull, që u kushtohet mësuesve shqiptarë në diasporë ka një rëndësi të veçantë si digë e fuqishme për pengimin e asimilimit të fëmijëve shqiptarë, të cilëve po u kërcënohet zhdukja e gjuhës amtare dhe humbja e identitetit kombëtar.
Në fund, një numri të pjesëmarrësve që ishin të përfshirë në këtë vëllim, iu dorëzua nga një ekzemplar i librit dhe u apelua që edhe të tjerët që ende nuk janë përfshirë t’i dërgojnë shënimet biografike, në mënyrë që edhe ata të përfshihen në ndonjë ribotim eventual kështu që edhe emrat e tyre të mos harrohen.
FOTO ALBUMI
Më poshtë mund të shihni foto nga promovimi.
Për të parë albumin, ju duhet FLASH PLAYER
--------------------
BOTIM I RËNDËSISHËM PËR HISTORIKUN E SHKOLLËS SHQIPE NË MËRGIM
Çerkin Bytyçi

Këtë mësim, që buron nga shkolla shqipe dhe nga mësimdhënësit të cilët nuk kursyen asgjë për të arritur sukseset e mëdha, brezat e transmetuan dhe vazhdojnë ta transmetojnë në të gjitha kohët.
Prandaj, u konsiderua se kjo punë e madhe dhe tejet e suksesshme, vlen të evidencohet në këtë botim të veçantë, i cili nuk pretendon të jetë më i përsosuri, por një mundësi informimi për të gjithë të interesuarit e tashëm dhe të ardhshëm, studiuesit e këtij fenomeni të respektuar, institucionet dhe asociacionet që merren me aspektet e mërgimit dhe organizimit të mërgatës, ministritë dhe organet arsimore shqiptare, për të mbështetur vlerësimet, studimet dhe planet e organizimit të mëtejshëm të arsimit shqip në mesin e diasporës sonë.
Lidhur me rëndësinë e këtij libri, Dr Pajazit Nushi, në cilësinë e recenzentit shprehet: “Ky libër do të ketë rëndësi historike. Me të kompletohet “Dosja” e pashtershme e arsimtarëve shqiptarë - bartës të zhvillimit të gjithmbarshëm të shqiptarëve në trojet e tyre dhe në diasporë. Të gjithë këta arsimtarë, që janë përfshirë në këtë libër, janë bartës të zhvillimit të mendimit, të ndjenjave dhe të vullnetit të qytetarëve shqiptarë që zhvillohen dhe formohen në mjedise socio-ekonomike e politike të vendeve të ndryshme.
Rëndësia e veprimtarisë së tyre është e madhe në disa pikëpamje: këta kontribuojnë për zhvillimin e personalitetit të secilit nxënës, ngadalësimin dhe pengimin e procesit të asimilimit kulturor dhe kombëtar, interferimin e harresës historike për prejardhjen e familjes së nxënësve etj. Duke kontribuar për këto qëllime, arsimtarët shqiptarë në diasporë kontribuojnë për vendin ku gjenden familjet e këtyre nxënësve dhe për vendin ku ndonjëri nga këta herët a vonë do të kthehet. Libri ka karakter kryesisht dokumentar dhe është i pari i këtij lloji që botohet në gjuhën shqipe. “
Recenzent i këtij libri është edhe Dr. Fazli Syla. Ja se çfarë shkruan përkitazi me këtë projekt:
“Rrethanat e rënda ekonomike e politike kanë bërë që brenda disa dekadave të fundit një pjesë e madhe e kombit tonë të orientohej nga bota e jashtme, duke u përpjekur që të ruajnë identitetin kombëtar dhe për t`i arsimuar brezat e rinj në gjuhën amtare.
Ndaj, ky libër kushtuar arsimtarëve në diasporë paraqet një nismë të mirë për plotësimin e të dhënave për arsimtarët si individë dhe për gjithë veprimtarinë arsimore, kulturore e kombëtare të shkollës shqipe dhe të arsimtarëve shqiptarë në diasporë.
Pra, ky paraqet edhe një qasje të re diasporës sonë, e cila kërkon një orientim më të menduar e më të programuar për lidhje të përhershme politike, ekonomike, kulturore, arsimore dhe forma të tjera të komunikimit, në mënyrë që diaspora jonë të luajë rolin që e ka luajtur dhe që mund ta luajë në tërësinë e jetës shtetërore e kombëtare.”
Botues i librit është Ministria për Kulturë, Rini e Sport e Kosovës përkatësisht Departamenti i Çështjeve Jorezidente.
No comments:
Post a Comment